Ballina Art Zbulohet në Francë harta më e vjetër 3D në Europë

Zbulohet në Francë harta më e vjetër 3D në Europë

 

Pllaka prej guri e periudhës së bronzit në Francë është harta më e vjetër 3D në Europë

Pllaka prej guri me përmasa 2 metra e gjatë dhe 1.5 metër e gjerë, e zbuluar për herë të parë në vitin 1900 u rigjet në një kantinë, në një kështjellë në Francë, në vitin 2014.

Arkeologët të cilët studiuan modelet e gdhendura në gurin 4000-vjeçar besojnë se shenjat tregojnë një hartë në një zonë në Brittany perëndimore. Ata thonë se kjo e bën pllakën prej guri hartën më të vjetër 3D të një zone të njohur në Europë.

Pjesa e shkëmbit, e njohur si Pllaka e Saint-Bélec, mendohet se daton në epokën e hershme të bronzit, mes viteve 1900 dhe 1650 para Krishtit. Ajo u zbulua për herë të parë në vitin 1900 gjatë gërmimeve në një vend varrim prehistorik në Finistère në Brittany-në perëndimore, nga arkeologu vendas Paul du Chatellier.

Pllaka duket se u harrua për më shumë se një shekull, e ruajtur për dekada nën shtëpinë e z. Chatellier, Château de Kernuz. Por studiuesit në kërkim të pllakës e gjetën atë në një kantinë, në vitin 2014.
Pasi u analizuan shenjat dhe gdhendjet në gur, kërkuesit dyshuan se mund të ishte një hartë.

“Prania e motiveve të përsëritura të bashkuara nga viza” në sipërfaqe të bën të mendosh se ishte një hartë që përshkruante një zonë të Finistère, shkruan një studim në Buletinin e Shoqërisë Prehistorike Franceze. Studiuesit thonë se gdhendjet janë një paraqitje 3D e luginës së lumit Odet, ndërsa disa linja duket se përshkruajnë rrjetin lumor të zonës.

“Kjo është me siguri harta më e vjetër që është gjetur e një territori” – tha për BBC, dr. Clément Nicolas, një ndër autorët e studimit, nga Universiteti i Bournemouth.

“Ka disa harta të këtij lloji të gdhendura në gur në të gjithë botën. Në përgjithësi janë vetëm interpretime. Por kjo është hera e parë që një hartë tregon një zonë në një shkallë specifike. Dr. Nicolas tregon se harta mund të jetë përdorur për të treguar një zonë të veçantë. “Ishte ndoshta një mënyrë për të treguar pronësinë e një territori nga ana e një princi të vogël ose mbreti të asaj kohe” – tha ai.

“Ne priremi të nënvlerësojmë njohuritë gjeografike të njerëzimit në të kaluarën. Kjo pllakë është e rëndësishme pasi thekson këtë njohuri hartografike.”

Burimi: BBC