Ekipi kosovar ka fituar dy medalje në Kampionatin Evropian në xhudo që po mbahet në Lisbonë të Portugalisë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Xhudistja kosovare Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e artë në Kampionin Evropian duke u bërë kampione evropiane në kategorinë deri 48 kilogramë, pasi e mposhti në finale ukrainasen Daria Bilodid, e cila është kampione e dyfishtë botërore dhe evropiane.
Më herët, Bilodid e kishte mposhtur dy herë Distria Krasniqin.
Ky është titulli i parë evropian për senior për xhudisten kosovare. Ajo kishte një medalje argjendi të fituar në vitin 2018 dhe një tjetër të bronztë në vitin 2020.
Deri në finale, 25-vjeçarja nga Peja kaloi italianen Francesca Giorda, izraeliten Shira Rishony dhe rusen Sabina Giliazova.
Por, përpos Distrias, ekipi kosovar në xhudo ka arritur të fitojë edhe vendin e tretë duke marrë medalje të bronztë me xhudisten Nora Gjakova në kategorinë deri 57 kilogramë duke e mposhtur gjeorgjianen Eteri Liparteliani.
Në gjysmë finale Nora pas 11 minutave luftë humbi nga portugezja Telma Monteiro. Nora ka fituar rregullisht medalje në kampionatet evropiane në të cilat është paraqitur që nga viti 2015. Tashmë i ka katër të bronzta, një të argjendtë e një të artë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i ka uruar xhudistet dhe gjithë Kosovën me rastin e fitores së dy medaljeve në këtë kampionat.
Kampionati Evropian i xhudos do të mbahet nga data 16 deri më 18 Prill në Lisbonë të Portugalisë, ndërsa marrin pjesë 45 shtete, 362 garues nga të cilët 212 meshkuj, 150 femra.
Në këtë kampionat, përpos Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës, Kosovën e përfaqësojnë edhe katër xhudistë tjerë: Flaka Loxha, Akil Gjakova, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka.