Ballina Aktualitet Shtëpia e Bardhë, pauza me J&J nuk do të ulë ritmin e...

Shtëpia e Bardhë, pauza me J&J nuk do të ulë ritmin e vaksinimeve

 

Ekipi i Shtëpisë së Bardhë që menaxhon përgjigjen ndaj COVID-19-s tha të mërkurën se vendimi i zyrtarëve amerikanë të shëndetësisë për të pezulluar imunizimin me vaksinën e kompanisë Johnson & Johnson, nuk do të ketë asnjë efekt në programin e vaksinimit. Ata siguruan publikun që sistemi funksionon.

Në një konferencë virtuale, Koordinatori i Përgjigjes së Shtëpisë së Bardhë ndaj COVID-19-s, Jeff Zients tha se Johnson & Johnson përbën vetëm pesë për qind të vaksinave që janë përdorur për imunizim.

Ai tha gjithashtu se vendi disponon sasi mëse të mjaftueshme të të dy vaksinave të tjera, të kompanive Moderna dhe Pfizer/BioNTech, për të vazhduar apo edhe përshpejtuar ritmin aktual të vaksinimeve në vend. Aktualisht kryen 3.3 milionë vaksinime çdo ditë.

Zoti Zients shtoi se objektivi i presidentit për të vaksinuar 200 milionë njerëz me paktën një dozë vaksine deri në ditën e tij të 100-të në detyrë, e cila shënohet në fund të prillit, mund të përmbushet. Deri tani më shumë se 190 milionë vetë kanë marrë të paktën një dozë vaksine.

Në një deklaratë të përbashkët të martën, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDC) dhe Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) rekomanduan një pauzë në imunizimet me vaksinën e kompanisë Johnson & Johnson, për shkak të identifikimit të gjashtë rasteve me mpiksje të rralla të gjakut.

Agjencitë thanë se pauza është një masë për të shmangur çdo rrezik dhe pritet që të zgjaste disa ditë. Autoritetet thanë gjithashtu se gjashtë rastet e mpiksjes së gjakut janë identifikuar mes më shumë se 7.2 milionë personave që kanë marrë tashmë vaksinën e kompanisë Johnson & Johnson.