Kryeministri maqedonas Zoran Zaev dhe drejtuesit e opozitës shqiptare, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi u shprehën me optimizëm pas një takimi të përbashkët se do të mund të gjejnë zgjidhje për ligjin e nënshtetësisë, që rrjedhimisht do të rezultonte me zhbllokimin e punimeve të parlamentit.
Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kanë bllokuar me mbi 3 mijë amendamente komisionin për buxhet të parlamentit, i cili duhet t’i hapë rrugën dhënies së ndihmës ekonomike kompanive dhe individëve të dëmtuar nga pandemia e koronavirusit.
Aleanca dhe Alternativa deri sot ngulnin këmbë që të zgjidhet problemi i nënshtetësisë për një numër shqiptarësh në Maqedoninë e Veriut, të cilët janë refuzuar për dekada të tëra, si kusht për tërheqjen e amendamenteve për të zhbllokuar punimet e parlamentit.
Kryeministri Zoran Zaev tha se është bërë një hap i rëndësishëm drejt gjetjes së zgjidhjes së nënshtetësisë, por pa dhënë hollësi nga bisedimet.
Ziadin Sela i Aleancës për Shqiptarët tha se ky është “një problem që zgjat prej 30 vitesh, e që rëndon tek qytetarët e këtij vendi, të cilët punojnë dhe paguajnë taksa”. Edhe Afrim Gashi i partisë Alternativa shpreson se brenda disa ditësh do të arrihet përparim. Opozita fillimisht kërkonte që nënshtetësia të mund të jepej me tre dëshmitarë, ndërkohë që tani duket se po pajtohet që aplikantët të dorëzojnë dokumente siç janë dëftesat e shkollës së ndjekur në Maqedoninë e Veriut, faturat për shpenzimin e energjisë elektrike, ujit ose telefonit dhe dokumente të ngjashme.
Sipas të dhënave zyrtare, bëhet fjalë për 3 mijë e 200 qytetarë të cilët prej vitesh kërkojnë nënshtetësinë dhe jo për mijëra shqiptarë, siç vlerësonte fillimisht opozita shqiptare. Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet, thotë se rreth 1300 janë shqiptarë pa nënshtetësi, ndërsa akuzon opozitën se po manipulon me ndjenjat e shqiptarëve.