Ballina Aktualitet Paketa e Presidentit Biden mbi infrastrukturën përballë kundërshtisë së republikanëve

Paketa e Presidentit Biden mbi infrastrukturën përballë kundërshtisë së republikanëve

 

Këtë javë ligjvënësit amerikanë pritet të diskutojnë rreth paketës 2 trilionë dollarëshe mbi infrastrukturën të Presidentit Joe Biden. Paketa pritet të përballet me kundërshtinë e republikanëve të cilët thonë se fatura e saj është tejet e kushtueshme. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Michelle Quinn sjell më shumë detaje.

Presidenti Joe Biden do të takohet këtë javë me një grup ligjvënësish nga të dyja palët, për të diskutuar lidhur me paketën e tij të infrastrukturës e cila synon përmirësimin e rrjetit rrugor, urave, lidhje më të shpejtë në internet, trena me shpejtësi të lartë e projekte të tjera infrastrukturore.

Zotin Biden përballet me të njëjtën sfidë që kishte në fillim të këtij viti me paketën mbi rimëkëmbjen ekonomike me një vlerë prej 1.9 trilionë dollarësh. Ai pritet të zgjedhë mes dy mundësish, atë të negociimit me republikanët rreth asaj se çka duhet të përfshihet në paketë dhe se si do të paguhet ajo ose të bëjë përpara me miratimin e saj vetëm me votat e demokratëve. Në Senat demokratët dhe republikanët kanë një numër të barabartë votash, 50 me 50; është vota e Nënpresidentes Kamala Harris e cila do të ishte përcaktuese në rast të një barazimi.

Deri më tani, Presidenti Biden po kërkon mbështetje dypartiake lidhur me paketën e tij.

Presidenti është i gatshëm të negociojë mbi paketën. Ai e di se plani i tij aktual do të ndryshohet. Kjo është natyra e kompromisit. Pra, pavarësisht nëse është një paketë të madhe apo disa të tilla, ai dëshiron të bisedojë me republikanët“, thotë Sekretarja e Energjisë Jennifer Granholm.

Nga ana tjetër udhëheqësit republikanë e kanë bërë të ditur kundërshtimin e tyre ndaj paketës, duke thënë se ajo është tepër e kushtueshme. Ata kundështojnë gjithashtu zgjidhjen që propozon Presidenti Biden se si do të paguhet fatura e kësaj pakete, atë nëpërmjet rritjes së taksës së korporatave në 28 për qind, nga 21 që është aktualisht. Një masë e tillë do të ndryshonte pjesërisht vendimin e marrë nga administrata Trump katër vjet më parë, për uljet e taksave ndaj korporatave.

Republikanët thonë se ata shpresojnë që negociatat me zotin Biden të shkojnë më mirë sesa ato mbi paketën e shpëtimit ekonomik.

Ne jemi të gatshëm të negociojmë me të mbi paketën e infrastrukturës dhe kjo shifër është shumë e lartë. Negociatat duhet të jenë ndryshe nga ato që u zhvilluan mbi planin e shpëtimit”, thotë Senatori republikan Roger Wicker.

Në një raport të fundit të Shoqatës amerikane të Inxhinierëve të Ndërtimit gjendja e infrastrukturës vlerësohet si tejet e rënduar. Shoqata thotë se situata është krijuar për shkak të viteve të tëra mosveprimi, ndaj sipas saj kërkohet ndërhyrje për përmirësimin e sistemin infrastrukturor në vend.