Ballina Bota Çekia heq gjendjen e jashtëzakonshme pas gjashtë muajsh

Çekia heq gjendjen e jashtëzakonshme pas gjashtë muajsh

 

Në Çeki u rihapën të hënën shkollat, bibliotekat, kopshtet zoologjike dhe dyqanet për fëmijë, pas disa muajsh mbylljeje, për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Gjendja e jashtëzakonshme gjashtëmujore po ashtu skadoi në mesnatë.

Bashkë me të u hoqën edhe kufizimet në lëvizje, përfshirë orën policore gjatë natës dhe ndalesën e udhëtimit nga një qark në tjetrin.

Nxënësit deri në klasën e pestë u rikthyen në shkolla.

Atyre do t’iu kërkohet dy herë në javë të bëjnë testin për koronavirus.

Ministria e Shëndetësisë e Çekisë raportoi të dielën për 976 raste të reja me koronavirus, që është shifra më e ulët ditore qysh në muajin shtator.

Mesatarja shtatëditore ra në më pak se 4,000, që është ende e lartë krahasuar me shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian, por shumë më e vogël se mbi 12,000, sa ishte në fillim të marsit.

Dyqanet joesenciale, restorantet dhe qendrat sportive dhe argëtuese në Çeki janë të mbyllura qysh në tetor. Ato janë rihapur shkurtimisht në dhjetor, para Festës së Krishtlindjeve, por janë mbyllur brenda ditësh, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me koronavirus.

Në total, Çekia, vend me 10.7 milionë banorë, ka regjistruar mbi 1.5 milion raste me koronavirus dhe afro 28,000 viktima.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, Çekia ka numrin më të lartë të vdekjeve (259.7) për kokë banori.