Ballina Rajoni Borrell kërkon vazhdim të shpejtë të dialogut Kosovë – Serbi

Borrell kërkon vazhdim të shpejtë të dialogut Kosovë – Serbi

 

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të angazhohet për vazhdim të shpejtë të dialogut Prishtinë-Beograd, të lehtësuar nga BE-ja, dhe normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë.

“Unë kam dëshirë që t’ju pres për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të dialogut sa më shpejtë të jetë e mundur dhe qëndroj fort i vendosur për të ndihmuar të dy palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, në një letër urimi që i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

Borrell u ka ofruar autoriteteve të Kosovës ndihmën e Bashkimit Evropian në luftimin e pandemisë së COVID-19 dhe në reforma.

“Kjo luftë do të mbetet një prioritet kryesor për të ardhmen. Ne gjithashtu duam ta shohim Kosovën teksa përparon në rrugën e saj evropiane. Do të nevojiten përpjekje të vendosura për reforma, për të forcuar sundimin e ligjit në Kosovë dhe për të promovuar zhvillimin socio-ekonomik”, thuhet në letrën e Borrell.

Bashkimi Evropian në vazhdimësi po i bën thirrje qeverisë së re në Kosovë që të angazhohet në dialog me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila do të mund të zgjidhte mosmarrëveshjet e gjata mes dy vendeve.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dialogu nuk është prioriteti kyç i tij, pasi qeverisë që ai e udhëheq, do t’i duhet të merret më shumë me forcimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e vendeve të punës.

Kurti gjithashtu ka vendosur, siç ka thënë, parime, të cilat duhet të zbatohen nga ana e Serbisë në mënyrë që të ketë dialog mes dy vendeve.

Njëra ndër to është njohja e realitetit se Kosova është shtet.

Por, zyrtarët e Qeverisë së Serbisë kanë reaguar ndaj këtyre deklaratave duke thënë se Kurti në fakt po e shpall të përfunduar dialogun.

Për Dushan Janjiqin nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, këmbëngulja e Brukselit zyrtar për vazhdimin e dialogut, është shqetësuese.

Sipas tij, administrata në Bruksel fare nuk e kupton dhe respekton realitetin e krijuar dhe kërkon që dialogu të rikthehet në formatin e vjetër, ku gjithçka për të cilën pajtohen palët nuk vlen në rast se nuk arrihet marrëveshja përfundimtare. Siç thotë Janjiq, çështja kyçe në kontestin ndërmjet dy palëve është statusi dhe pranimi i Kosovës.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, më 25 mars, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, pati paralajmëruar se takimi i parë midis kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet të ndodhë brenda disa javësh.

Procesi i dialogut Kosovë-Serbi ka nisur në vitin 2011 me bisedimet për çështje teknike, ndërkaq në vitin 2012 kishte evoluuar në bisedime politike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me përfaqësim të nivelit të lartë politik, ndërmjet kryeministrave dhe presidentëve të të dyja vendeve.

Gjatë dhjetë vjetëve të dialogut Kosovë-Serbi, besohet se janë arritur mbi 30 marrëveshje, ndonëse autoritetet në Prishtinë dhe në Beogradi, flasin me shifra të ndryshme për këto marrëveshje.

Në mesin e marrëveshjeve të arritura është edhe ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për formimin e së cilit, tashmë ekziston kontesti ndërmjet vetë palëve që e kanë arritur atë.