Ballina Kulinari Flija e shijshme nga prushi i traditës shqiptare

Flija e shijshme nga prushi i traditës shqiptare

 

Flija është një gatim tipik shqiptar me brumë që kërkon shumë punë, mund dhe djersë. Ajo bëhet kryesisht nëpër fshatra, ku është më e lehtë ndezja e zjarrit dhe puna me saç.

Në metropole si Tirana, përgatitja e flisë vështirësohet akoma më shumë.

Megjithatë, ka njerëz që zonave bujare të Veriut që nuk heqin dorë nga tradita.

Ata inspektojnë lagjet dhe rrethinat për vendodhjen perfekte për përgatitjen e flisë dhe për ndezjen e zjarrit. Gatimi i flisë është një proçes që angazhon gjithë familjen.

Për përgatitjen e saj nevojiten 4 orë të mira në shoqërinë e zjarrit bubulak dhe saçit tradicional.

Ajo konsiderohet një gatim që simbolizon vështirësitë e jetës por edhe bukurinë dhe shijen e saj.

Ata që e kanë provuar ta bëjnë flinë, e kuptojnë shumë mirë këtë artikull të AgroWeb.org, madje e kuptojnë vështirësinë që duhet për gatimin e saj, dhe kënaqësinë që përfton në kafshimin e parë.

Drutë janë shumë të rëndësishëm për përgatitjen e flisë, të cilën duhet ta duash, pastaj ta gatuash.

AgroWeb.org ju tregon se pas ndezjes së zjarrit, vendoset saçi dhe flija nis të marrë formë nga shtreasa në shtresë falë nxehtësisë përvëluese të këtij rrethi të çeliktë.

Çdo shtresë duhet pjekur me saçin e zjarrtë, ndaj mund ta imagjinoni sa e vështirë është për gratë malësore.

Më poshtë do të ndajmë me ju një recetë për gatimin e flisë të dërguar nga lexuesit e AgroWeb.org në zonën e Kukësit.

Përgatitja e brumit të flisë kërkon shumë pak përbërës, por siç e thamë edhe më lart shumë mund.

Për një tepsi të përmasave normale (si ato të byrekut) me fli do ju nevojiten përbërësit e mëposhtëm:

1. 10 kokrra vezë
2. Gjysëm kg vaj ulliri
3. Gjysëm kg qumësht
4. Gjysëm kg gjalpë
5. Ujë të vakët
6. 2 kg miell
7. Kripë, sipas dëshirë

Hapi i parë i recetës nga AgroWeb.org është përgatitja e qullit me ujë të vakët.

Merrni një enë të gjërë dhe hidhni ujin, miellin dhe kripë sipas dëshirës. Përzijini mirë deri sa të formohet qulli që nuk duhet të jetë shumë i trashë por as shumë i hollë.

Në një enë tjetër, hidhni vezët, vajin dhe qumështin. Përzijini mirë me njëra tjetrën deri sa lëngu të jetë i njëtrajtshëm.

Ndizeni zjarrin duke e rrethuar më gurë. Vendoseni saçin të ngrohet.

Lyejeni tepsinë me pak vaj (një lugë) dhe përhapeni atë. Hidheni qullin dhe shpërndajeni me lugë. Vendoseni saçin sipër saj deri sa të piqet.

Hiqeni saçin dhe vendoseni sërish në zjarr. Lyejeni shtresën e flisë me lëngun e vezëve dhe qumështit dhe mbulojeni sërish me saç.

Këto hapa do të ndiqen me kujdes deri sa tepsia të mbushet me shtresat e flisë, por mos harroni të mbani mend rradhën, pra një herë shtresa me qull dhe më pas lyerja me lënguun e vezëve.

Kur tepsia të jetë e mbushur, vendoseni mbi prush për 5 minuta dhe mbulojeni me saç.

Nxehtësia që e rrethon tepsinë nga lart dhe poshtë do i japë flisë fryrjen përfundimtare. Më pas mund ta prisni me feta dhe ta lyeni me gjalpin e nxehtë.

Padurimi për ta shijuar është i madh por duhet të prisni të ftohet pak.

Më pas mund ta shoqëroni me djathë ose mjaltë, apo ta konsumoni ashtu siç është. Flija mund të qëndrojë në frigorifer për disa ditë.

Recetat për përgatitjen e flisë mund të kenë ndryshime të vogla në varësi të traditës së zonës ku gatuhet./AgroWeb.org/