Ballina Aktualitet Kërkohet dorëheqja e Qeverisë në Bosnje – shkak trajtimi i pandemisë

Kërkohet dorëheqja e Qeverisë në Bosnje – shkak trajtimi i pandemisë

 

Mbi 1,000 njerëz marshuan të martën në Sarajevë, për të kërkuar dorëheqjen e Qeverisë së Bosnje e Hercegovinës, për shkak të, siç thanë, trajtimit të dobët të pandemisë së koronavirusit.

Autoritetet thanë se 99 njerëz kanë humbur jetën nga koronavirusi në Bosnje në 24 orët e fundit.

Kjo, sipas tyre, është shifër rekorde për vendin me 3.3 milionë banorë.

Bosnja, në total, ka regjistruar rreth 7,000 viktima nga koronavirusi – një ndër shifrat më të larta për kokë banori në Evropë.

Protestuesit bllokuan trafikun në rrugën kryesore të Sarajevës, ndërsa atyre iu bashkuan qindra njerëz nga makinat e tyre.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrimet: “Mos luani me jetët tona” dhe “Dorëheqje”.

Bosnja, së voni, nisi vaksinimin kundër koronavirusit me vaksina të dhuruara nga jashtë.

“Ky do të duhej të ishte një vend krenar dhe jo një vend që merr donacione”, tha një protestues me emrin Nexhad Haxhibajriq, raporton AP.

“E drejta për vaksinim është e drejtë universale”, shtoi ai.

Organizatorët e protestës u dhanë autoriteteve dy javë kohë për të dhënë dorëheqje; në të kundërtën thanë se do të organizojnë protesta të reja.