Presidenti amerikan Joe Biden njofton të martën se çdo i rritur në vend mund të vaksinohet duke filluar nga 19 prilli, rreth dy javë më herët se afati që kishte njoftuar ai më herët.
Ndërsa shtohen furnizimet me tre vaksinat në SHBA, zoti Biden tha javën e kaluar se rreth 90% e të rriturve amerikanë do të kualifikoheshin deri në datën 19 prill, por tani ai po e zgjeron këtë numër duke përfshirë të gjithë të rriturit që duan të vaksinohen.
Sondazhet në shkallë vendi tregojnë se rreth 20% e të rriturve thonë se për arsye të ndryshme do të refuzojnë të vaksinohen.
Disa kanë thënë se mendojnë se është e panevojshme ose se injeksionet mund të rezultojnë të dëmshme, ndërsa të tjerë kanë shprehur mosbesim tek një program i drejtuar nga qeveria.
Përqindja e atyre që kundërshtojnë vaksinat ka rënë gjatë muajve të fundit, pasi shumica e njerëzve të vaksinuar nuk kanë raportuar asnjë ose vetëm efekte të përkohshme që nuk zgjasin më shumë se një ditë.
Zoti Biden, i cili u vaksinua para se të merrte detyrën në janar, do ta bëjë njoftimin në Shtëpinë e Bardhë pasi të vizitojë një qendër vaksinimi në Virxhinia, në periferi të Uashingtonit.
Ai pritet të bëjë komente mbi “situatën e vaksinimeve” në vend. Shifrat e fundit të qeverisë tregojnë se më shumë se 62 milionë amerikanë janë vaksinuar plotësisht, rreth 23% e popullsisë mbi moshën 18 vjeçare.
Më shumë se 107 milion njerëz kanë marrë të paktën një dozë të vaksinave Moderna dhe Pfizer-BioNTech dhe një grup më i vogël njerëzish atë me një dozë të vetme të prodhuara nga Johnson & Johnson.
Fillimisht, Shtetet e Bashkuara i vunë vaksinat në dispozicion të të moshuarve dhe punonjësve thelbësorë të vijës së parë.
Data e re e kualifikimit brenda dy javësh do t’u japë të gjithë të rriturve një shans për t’u regjistruar për vaksinim.