Ballina Aktualitet Kosova mbyll lokalet dhe kufizon lëvizjen e qytetarëve prej Covid-19

Kosova mbyll lokalet dhe kufizon lëvizjen e qytetarëve prej Covid-19

 

Qeveria e Kosovës ka miratuar ditën e sotme masa të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Njoftohet se këto masa, për dy javët e ardhshme do të ndalojnë qarkullimin e qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç rasteve urgjente.

Një tjetër masë e marrës është për të gjithë restorantet të cilët do të qëndrojnë të mbyllur nga data 7 prill deri me datë 18 prill, teksa lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi” apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë, nga data 7 prill deri më datë 18 prill. Në qendrat e hapura tregtare lejohet aktiviteti duke i respektuar masat dhe rekomandimet për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID – 19.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri me 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (7 prill deri me datë 18 prill) setyrohen që të organizojnë online të gjitha aktivitetet mësimore.

Ndërkaq, institucionet parashkollore vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19. Konviktet dhe mensat, me masat e reja, pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill 2021.
Me masat e reja ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona, (mbledhjet, seminaret, trajnimet, dasma, ahengje familjare, homazhe, e të ngjashme).

Për qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me rrezik të lartë, sipas listës zyrtare të Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), duhet të kenë test RT-PCR negativ për COVID-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit, në të kundërtën duhet të vetizolohen për shtatë ditë.

Kujtojmë se këto masa vijnë në një kohë kur në Kosovë ka raste të shumta infektimesh nga koronavirus. Aty ka nisur vaksinimi por kjo ka ndodhur vetëm prej një donacioni të bërë nga Bashkimi Europian në kuadër të mbështetjes së vendeve të rajonit ndaj pandemisë COVID-19.