KUSH DUHET TA DIJË SA SHQIPTARË KA NË BOTËN E JASHTME, CILA ËSHTË GJENDJA E TYRE SOT DHE CILA ËSHTË STRATEGJIA E SHTETIT PËR RIKTHIMIN E TYRE NË ATDHE?
Nga prof. dr. Abdulla MEHMETI
Ministria e Shtetit për Diasporën e Republikës së Shqipërisë, sipas detyrimeve në pajtim me Kushtetutën, në çdo moment duhet të ketë përgjigje të saktë për numrin e shqiptarëve në botën e jashtme, jo vetëm të Shqipërisë, por për të gjithë shqiptarët e rajonit, të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Luginës së Preshevës, Çamërisë, Sanxhakut të Pazarit të Ri, si dhe për numrin dhe gjendjen e shqiptarëve kudo në botë.
Nëse marrim parasysh se edhe Republika e Kosovës ka ministri për Diasporën, si edhe Republika e Maqedonisë Veriore ka raste që udhëhiqet nga ndonjë ministër shqiptar, është tepër e papërgjegjshme që të mos dihet saktë numri i shqiptarëve në përgjithësi, dhe sidomos numri i përafërt i shqiptarëve nga Maqedonia në botën e jashtme.
Në të kundërtën, pse të mos dyshojmë se këto pushtete janë në shërbim të strategjisë sllave e greke për zbrazjen sistematike të trojeve etnike shqiptare!
Në këtë rast, qëllimi këtij shkrimi nuk duhet të kuptohet si vërejtje apo kritikë, por nxitje për reflektim, përderisa të gjitha punët tjera të pushtetit të shqiptarëve nuk janë në nivel më të kënaqshëm. Mjerisht!
(2 prill 2021)