Ballina Ravijëzime Kush i nëmi Bjeshkët e Nemuna? – Nga Mehmet ELEZI

Kush i nëmi Bjeshkët e Nemuna? – Nga Mehmet ELEZI

 

 

Artisti holandez Jaap van’t Veer, që punon prej dhjetë vjetësh në Alpet shqiptare, në Luginën e Valbonës dhe në “Bjeshkët e Namuna”, pati një takim me kryeministrin Berisha në fund të muajit gusht. Takimi u njoftua në media. Artisti i tha kryeministrit se “Bjeshkët e Namuna” tashmë i quajmë Bjeshkët e Bekuara.
Por ku janë Bjeshkët e Nemuna (ose Bjeshkët e Namuna)?
Me gjasë, për t’ shprehur butë, kemi të bëjmë me një keqkuptim i madh…
Pra ku janë Bjeshkët e Nemuna?
Përgjigjja është e gatshme, ke përshtypje se gjithkush e di: në Veri të Shqipërisë, në Alpe. Madje Wikipedia në gjuhën shqipe ve shenjën e barazimit ndërmjet tyre dhe Alpeve, kur shkruan: “Bjeshkët e Nemuna (gjithashtu e njohur si Alpet Shqiptare…)”. Përcaktime të përafërta gjen nëpër tekstet shkollore.
Në ngulsh këmbë ku shtrihen saktësisht, me kë kufizohen në Veri, në Jug, në Lindje, në Perëndim, përgjigjja turbullohet, vendndodhja nëpërtymet e largohet si nëpër një ëndërr të turbullt. Mbase ndihmojnë anasit, banorët e katundeve veriore?
As ata nuk dinë gjë. Veç në u përgjigjtë ndonjëri me fjalët e librit të gjeografisë, të mësuar dikur në shkollë fillore.
Nuk ndodh kështu kur pyet për cilindo mal a bjeshkë të atyre viseve. Njerëzit e atjeshëm dinë me kallëzue ku është Rrethi i Bardhë, Qafa e Diellit a Shtegu i Dhenve, ku janë Thethi e Rupat, Syni i Skafkaçit e Lkeni (Liqeni) i Dashit, Gjerovica, Strellci. Ta thonë edhe emrin e gurit, përroit, qafës, vorrit, që shënon në mënyrë të përpiktë kufirin ku mbaron njëri vend e ku nis tjetri.
Ngjitu Grykës së Dragobisë përgjatë bregut të Valbonës, deri ku lumi buron duke rrahur krahët si pulëbardhë, bashkudhëtari të dëfton me hollësi edhe emërvende që lidhen me lashtësinë, me mugëtirat e mesjetës e me gojëdhënat, me Mujin e Halilin. Qe ku është Shpella e Imerit të Mujës (Omerit të Mujit) në Klysyrë, aty kanë shti në dhé djalin dhe aty ka vajtuar Ajkuna; shtrati si prehër në derë të Shpellës është prore “i verdhë” (i gjelbër), bari aty nuk thahet kurrë. Ja edhe Lugjet e Verdha (të gjelbra), ku trimat dilnin me çetue e ku kullotin dhitë e egra, duke këputur maja bari me vesë edhe lule.
Ku ndodhen pra Bjeshkët e Nemuna? Ku fillojnë, ku mbarojnë?
Në qoftë se kurrkush prej atyre që i kanë banuar e u japin jetë atyre trojeve prej mija vjetësh nuk i njeh me këtë emër, atëherë kush i pagëzoi kështu? Dhe kush e regjistroi zyrtarisht këtë emër ndjellazi, që trand? Për çfarë arsyeje ndeshzezë?
Studiuesi Sulejman Ahmeti më ka thënë më se një herë se Bjeshkët e Nemuna nuk dëshmohet kund si emërtim i shqiptarëve. Sipas tij, është përkthim prej serbishtes. Sllavët, për arsyet e veta, e quajnë “prokleti” (të nëmur, të mallkuar) këtë pjesë të Alpeve. Por vetë shqiptarët, banorët e tyre, jo.
Ky kërkues është ndër njohësit më të mirë të atyre trevave. Lerë e rritur në Vuthaj të Gucisë, aty ka kaluar rininë. Eshtë bashkautor i Fjalorit të Plavës e Gucisë dhe autor i një monografie të pasur me plotni të dhënash historike, gjeografike (përfshi emërvendet), etnografike, folklorike dhe gjuhësore.
Ndoshta krejt pahiri, sepse s’ka qenë ky qëllimi i tij, edhe akademiku Luan Starova në veprën e vet letrare sjell dëshmi se Bjeshkët e Nemuna është emërtim i bartur. Te romani Kurbani Ballkanik (Tiranë, Toena 2007) shkruan: “Në një moment helikopteri u gjend mbi Kurorën e bjeshkëve të Prokletisë”. Disa rreshta më pas në të njëjtën faqe këtë emërvend e jep të përkthyer në shqip (vetëm një herë në atë libër) dhe jo rastësisht të konceptuar si emërvend në numrin njëjës, siç nuk është në gjuhën shqipe: “Kanosej rreziku që Bjeshkët e Nemuna ta gëlltiste helikopterin dhe askush të mos kuptonte më asgjë për të”. Pas katër-pesë faqesh i kthehet burimit sllav: “U end me muaj nëpër bjeshkët e pakalueshme. Arriti madje edhe në majë të Prokletisë”. Dhe sërish më vonë: “…jemi në majën e bjeshkës Prokletia”. Dhe përsëri vijon me këtë emër.
Mbase dëshminë më kryefortë se emërvendi Bjeshkët e Nemuna nuk është dheas, i vendit, por është marrë prej tjetërkund, e jep Fishta. Ani pse në mënyrë të tërthortë.
Tërë teatri i luftës i Lahutës së Malcis zhvillohet në malsitë e Veriut e përreth tyre. Nëse emërtimi Bjeshkët e Nemuna do të kish qenë i lashtë e i njëmendtë, pse poeti nuk e vuri atë në qendër të veprës? Nëpër vargjet e Lahutës përmenden me emra malet e luginat e krojet e lumenjtë, Vizitori e Limi, Plava e Gucia e Prizreni…; ndeshen e përflaken me vetimë e bubullimë figura të mitologjisë shqiptare, dragoi e kulshedra, lëvizin orët e zanat. S’kishte rast më të mirë për poetin me harmonizue artistikisht në Lahutë skenat epike të plojës së përgjakshme me kumbimin tragjik të emërvendit Bjeshkë të Nemuna, në qoftë se ky toponim do të kishte ekzistuar përnjëmend. Me një emërvend kaq dramatik, metaforë e gjallë që ta shti dridhmën, arti fishtian mund të luante si të donte.
Nuk del kund emri Bjeshkët e Nemuna as te Liria e Mjedës, ku himnizohet kryengritja e Hotit dhe heroizmi i malsorëve për liri. As te Risto Siliqi, që i këndoi me frymëzim luftës së dukagjinasve: “Ku me gjamë qiella s’prani/ Ku janë majet rrokë me re/ Aty gjindet i shaljani/Mehmet Shpendi trim si dre”. Te Gjeçovi, te përmbledhjet me prozë popullore të Anton Çettës, te V. Prenushi, B. Palaj, Pater A. Harapi jo se jo, nuk di të ketë dalë. As te Visaret e Kombit.
Nëse jo në Hot e në Grudë e në Plavë e Gusi, nëse jo në Kelmend, në Theth e në Dukagjin e as në bjeshkët e Malsisë së Gjakovës historikisht nuk njëjtësohen kund bjeshkë që shqiptarët i quajnë Bjeshkët e Nemuna, atëherë ku gjinden këto?
Në veri të Drinit e në krejt Veriun shqiptar nuk njihen hapësira të tjera me bjeshkë të përmendura, të cilat mund të hamendësohej se janë Bjeshkët e Nemuna.
Ndër burimet më të hershme që njoftojnë për këtë emërtim janë shënimet e gazetares zvicerane Noel Rozher (Noëlle Roger), e cila gjatë dhjetëvjetëshit të dytë e të tretë të qindvjetëshit të shkuar ka udhëtuar shumë herë nëpër Shqipëri . Në një reportazh me titull Në malet e malsorëve (Dans les montagnes des malissores), pasi flet për malet në brigjet e Liqenit të Shkodrës e të Drinit dhe për malet e Mirditës, shkruan se këto mbështesin një “labirinth të pafund vargmalesh dhe luginash të egra, i cili në hartat e paraluftës mban emrin e bjeshkëve të nëmura” . Reportazhi është botuar me 09 qershor 1924 në Journal de Genève.
Nga ky shkrim del se ajo i vendos Bjeshkët e Nemuna në veri të lumit Drin.
Në pamje të parë duket sikur me këtë fjali sillet dëshmi edhe për thelbin dheas të këtij emërvendi, për vjetërsinë e autoktoninë e tij. Por jo. Ky pohim ndihmon me qitë në dritë pikërisht të kundërtën.
Rozher nuk thotë se vendasit i quajnë Bjeshkët e Nemuna. Ajo bën kujdes me saktësue se kështu quhen “në harta”, madje “në hartat e paraluftës”. Domethënë në hartat e përdorura para Luftës së Parë Botërore, kur shqiptarët ende s’kishin shtet, ndërsa për shkolla shqipe e harta të studiuesve shqiptarë as që mund të bëhej fjalë.
Hartat e kohës ishin punime të topografëve ose udhëtarëve të huaj, kryesisht për qëllime ushtarake e për pasuritë minerare. Të shumtën e herës vendet tona në këto harta shënoheshin me emërtimet që përdornin fqinjët. Aq e zakonshme ishte kjo praktikë në rrethanat e atëhershme, sa edhe sot e kësaj dite nëpër dokumente e shkrime të të huajve gjejmë jo rrallë Draç për Durrës, Skutar për Shkodër, Valona për Vlorë (pa folur për raste skajshëm tendencioze, kur Shqipëria e Jugut shënohet “Vorio-Epir”!). Për arsye të njohura, kjo dukuri është më e përhapur për emërvendet e Kosovës, të Maqedonisë e të Malit të Zi: Gjakovica e Peç për Gjakovë e Pejë, Bitola për Manastir, Bari për Tivar.
Për të njëjtat arsye emërvendin Bjeshkët e Nemuna e gjen edhe te një dijetar Hahni e të tjerë udhëtarë të huaj. I kanë marrë prej të njëjtave burime. Vetëm sa i zënë në gojë duke përshkruar udhëtimin, dhe nuk ndalen te domethënia ose etimologjia e emërvendit. Këto s’kanë qenë cak studimi për ta.
Pra është ngat mendjeje se ky emërvend i përdorur “në hartat e paraluftës”, siç shkruan Rozher, të jetë i fqinjëve sllavë, të cilët e përdorin edhe në të folurën e përditshme; dhe jo i shqiptarëve anas, gjuha e krijimtaria e mëhershme e të cilëve nuk e përmban kund.
Duket se prej fqinjëve sllavë ka kaluar nëpër harta të kryeqyteteve të kontinentit dhe është përthithur dyfish prej rusëve, të cilët doemos e kanë pasur edhe në hartat e veta. Në Shqipëri, menjëherë pas ardhjes së komunistëve në pushtet, ky emërvend, si krejt përmbajtja dhe konceptet e shkollës sovjetike, është marrë verbërisht pa asnjë qëndrim kritik dhe është pajisur zyrtarisht me pasaportë shqiptare, duke e përfshirë në tekste shkollore e gjithandej.
Shqiptarët që nuk e njihnin prapavijën e tij, prejardhjen, madje edhe në rrethe të larta kulturore e arsimore, e morën të mirëqenë. Dhe bjeshkët tona madhështore plot diell e bar e borë e pyje e ujvara, me liqene e nëntokë me metale të çmueshme, bjeshkët shqiptare plot mite e legjenda, murana e dendësi historie kombëtare, në një ditë të bukur njehën ose u gdhinë të nëmura, të mallkuara.
Siç vlerësojnë N. Malcom, E. Çabej e dijetarë të tjerë të mëdhenj, ato masive malesh kështjellore me banorët e tyre të panënshtruar patën shërbyer si bankë, ku gjatë pushtimeve të gjata asimiluese të qyteteve e ultësirave shqiptare u ruajt e pacenuar fara e racës sonë, gjeni e gjuha e lashtë shqipe. Tashti bash ato u zgjuan të mbuluara me një emër që rrëqeth: Bjeshkët e Nemuna.
Për ngarkesën që përmbante, emërvendi Bjeshkët e Nemuna nisi me u ba joshës në krijimtarinë letrare; aq sa në një farë kuptimi estetika e shkrimtarëve dhe poetëve (përfshi autorin e këtyre rreshtave) sot mund të mos ndihet aq mirë nga zbulimi i përkatësisë joshqiptare të tij.
Janë një tërësi të dhënash e argumentesh bindëse, që kallëzojnë shkoqur se emërtimi Bjeshkët e Nemuna është fëmijë ilegal, i paligjshëm. Gjuhëtarët, gjeografët e studiues të tjerë mund të hulumtojnë me gjetë të tjera dëshmi ose me vërtetue të kundërtën, në qoftë se mund të vërtetohet. Fëmija i jashtëligjshëm në shqipen e përditshme quhet kopil. Gjasat janë se dikush në kohë të turbullta na ka lënë edhe këtë kopil në derë. Edhe pse i tillë, është birësuar si me pasë qenë rrënjës, pjellë e pastër shqiptare.
Kjo qasje duket bindëse edhe për një arsye tjetër.
Nuk është në shpirtin e shqiptarëve, nuk është në mendësinë e në kulturën e tyre me mallkue vendet e veta, truallin, bukën e të mirën. Ka ndodhur nëpër balada a legjenda, por jo si dëshirë; ka qenë thjesht shfryrje dufi në kushte tjetërsimi prej fatkeqësisë rrënuese. Për shembull në Klysyrë , 8-9 km larg qytetit Bajram Curri, ku besohet se është vorri i Imerit të Mujës. Në atë grykë bjeshke thuhet se s’këndojnë qyqja as turreci, sepse Ajkuna, e mbytur prej dhimbtës për djalin e vrarë, i pati mallkuar, siç pati truar edhe hënën e pafajshme (T’u shkimtë drita ty, mori hanë…):
Kurrë këtu qyqja mos këndoftë
As turreci mos u ndjeftë!
Por kjo nemë nuk përfshin bjeshkët. Eshtë e pjesshme, e kufizuar vetëm te kënga e qyqes dhe e turtullit dhe vetëm në një pëllëmbë vend në luginë të Valbonës, në këmbë të Brijave të Gjarpnit.
Kryesorja: kjo nemë nuk ngjiti kund, nuk preku, mbeti në trajtë hijeje, e shpërndarë nëpër ajër si dhimbja. Si dhe në raste të ngjashme, ajo nuk prodhoi kurrë emërvend. Klysyra vazhdoi me u quejtë Klysyrë e Valbona Valbonë. Dhe hënës nuk iu shkim drita!
Qe pra çka mund të bëjë thjesht një pakujdesi, një shpërfillje gjuhësore ose një nënshtrim. Edhe bjeshkëve madhështore shqiptare një lëshim i panevojshëm u ka prekur vetvetësinë, identitetin, i ka tjetërsuar. Tashti duhet punë me nxjerrë pasaportë të re për to (nëse!).
Shërbimi më i vogël që mund t’i bëjmë vetes: të paktën ne vetë të mos shpërfillim atë që kemi vlerë tonën; dhe të mos ligjësojmë çka të tjerët jo dashamirës kanë shqiptuar ose shestuar për ne, në dëmin tonë.