Ballina Rajoni Serbia i dhuron Maqedonisë së Veriut 20.000 doza të vaksinës Sputnik V

Serbia i dhuron Maqedonisë së Veriut 20.000 doza të vaksinës Sputnik V

 

Maqedonia e Veriut ka pranuar të enjten 20.000 doza të vaksinës ruse Sputnik V, si donacion nga Serbia ndërsa së shpejti pritet të marrë edhe 20.00 doza tjera të prodhuesit rus, po nga Serbia.

“Të enjten pranuam donacionin e dytë nga Serbia, një akt i miqësisë së madhe që vjen në një kohë shumë të rëndësishme për ne. Bëhet fjalë për 20.000 doza të vaksinës Sputnik Vqë ne marrim nga Serbia mike, në një periudhë që është shumë e rëndësishme për të vazhduar me vaksinimin masiv në vend”, ka deklaruar kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.

Ky është donacioni i dytë nga Serbia, pasi më parë, autoritetet serbe kishin dhuruar 8.000 doza të vaksinës së kompanisë amerikane, Pfizer.

LEXONI EDHE KËTË:

Maqedonia e V. nis vaksinimin e personave mbi 77 vjeç

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se donacioni nga Serbia do të mundësojë vazhdimin e imunizimit, derisa të mbërrijnë vaksinat, të cilat qeveria i ka kontraktuar me prodhues të ndryshëm.

“Disa prej këtyre vaksinave do të përdoren për të moshuarit, ndërsa të tjerat për disa nga grupet të rrezikuar në infrastrukturën shtetërore, si punonjësit e policisë, armatës, gjykatave, kopshteve, gazetarët, të punësuarit në transportin publik dhe zjarrfikësit”, deklaroi Filipçe.

Vaksinimi i popullatës në Maqedoninë e Veriut ka nisur të mërkurën me vaksinat e kompanisë, AstraZeneca, që Shkupi zyrtar i mori përmes programit COVAX. Të 24.000 dozat e AstraZenecas do të përdoren për vaksinimin e personave të moshës mbi 77 vjeç.

Ministria e Shëndetësisë, ndërkohë, të enjten ka njoftuar për 29 viktima të reja me koronavirus, 1.402 të infektuar si dhe 761 të shëruar.

Deri më tani në Maqedoninë e Veriut me COVID-19 janë diagnostikuar mbi 131.000 persona, prej të cilëve, 3.810 e kanë humbur jetën, mbi 107.000 janë shëruar ndërsa rreth 19.000 të tjerë janë ende aktivë me koronavirus.