Rreth 3 mijë turistë spanjollë që ndodheshin për pushime në Marok kanë mbetur të bllokuar në këtë vend pas pezullimit të fluturimeve me Spanjën në kuadër të masave kundër mutacionit të koronavirusit.
Ministrja e Jashtme e Spanjës, Arancha Gonzalez Laya në një deklaratë për radion spanjolle Onda Cero u bëri thirrje qytetarëve spanjollë që të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe të mos udhëtojnë nëse nuk është e nevojshme në këtë periudhë ku pandemia është intensive.
Ajo ka kritikuar shtetasit spanjollë që kanë shkuar në Marok pavarësisht rekomandimeve për të mos udhëtuar në periudhën e pushimit të Pashkëve.
“Edhe ata kanë vendosur ndaj nesh kufizime ashtu sikurse ne kemi vendosur për vendet e tjera. Kur ndodh kjo është e padobishme të telefonosh qeverinë dhe të kërkosh që të zgjidhë problemin”, tha Laya.
“Pavarësisht çdo gjëje ne do të ndërmarrim iniciativat e nevojshme për rikthimin në vend të shtetasve spanjollë që kanë mbetur në Marok. Por nuk duhet të harrojmë një gjë, e cila është se si qytetarë duhet të mbajmë një përgjegjësi të madhe. Në një kohë kur në kufij ka pasiguri kaq intensive është më mirë të qëndrohet larg udhëtimit”, deklaroi ajo.
Për shkak të variantit të ri COVID-19, Maroku mori vendimin që të pezullojë fluturimet me shumë vende përfshirë Spanjën, Francën, Algjerinë, Egjiptin, Greqinë, Finlandën, Libanin, Norvegjinë, Poloninë, Kuvajtin, Malin, Ganën, Republikën Demokratike të Kongos, Guinenë dhe Libinë.