Korporata amerikane “Nike” ka paditur për shkelje të markës tregtare, kompaninë me bazë në Bruklin “MSCHF”, e cila ka nxjerrë në shitje një palë atlete të quajtura “Këpucët e djallit” dhe që përmbajnë në shollë një pikë gjaku të vërtetë njerëzor, të dhuruar nga anëtarët e kolektivit të artit.
Ato janë modifikim i atleteve “Nike Air Max 97” dhe shfaqin një kryq të përmbysur.
“MSCHF” nxori në treg 666 palë atlete në bashkëpunim me reperin Lil Nas X dhe ato u shitën në më pak se një minutë.
“MSCHF dhe këpucët e paautorizuara të djallit ka të ngjarë të shkaktojnë konfuzion dhe të krijojnë një lidhje të gabuar midis produkteve të MSCHF dhe Nike”, thotë gjiganti i këpucëve sportive në procesin gjyqësor.
Atletet e zeza dhe të kuqe u “prezantuan” nga MSCHF të hënën, që përkon me publikimin e këngës së fundit të Lil Nas X Montero (Call Me ëith Your Name), e cila debutoi në YouTube të Premten e kaluar.
Në video, reperi shihet duke rrëshqitur nga parajsa në ferr.
Imazhet dhe këpucët i referohen vargut biblik Luka 10:18 – “Dhe ai u tha atyre: Unë e kam parë Satanin si rrufe nga qielli”.
Ekipi i “Nike” u tërhoq pasi u zbulua modifikimi i bërë nga kompania.
Gjigandi i atleteve nuk miraton ose autorizon Këpucët e Personalizuara të djallit dhe për këtë arsye çështja mes palëve do të zgjidhet në Gjykatën e Qarkut të Nju Jorkut.
“Këpucët e djallit” kanë shkaktuar reagime të shumta. Disa Konservatorë, përfshirë Guvernatorin e Dakotës së Jugut Kristi Noem dhe disa ndjekës fetarë, u fyen nga modeli i diskutueshëm i këpucëve dhe kritikuan Lil Nas X dhe MSCHF në Twitter.