Korporata amerikane “Nike” ka paditur për shkelje të markës tregtare, kompaninë  me bazë në Bruklin “MSCHF”, e cila ka nxjerrë në shitje një palë atlete të quajtura “Këpucët e djallit” dhe që përmbajnë në shollë një pikë gjaku të vërtetë njerëzor, të dhuruar nga anëtarët e kolektivit të artit.

Ato janë modifikim i atleteve “Nike Air Max 97” dhe shfaqin një kryq të përmbysur.

“MSCHF” nxori ​​në treg 666 palë atlete në bashkëpunim me reperin Lil Nas X dhe ato u shitën në më pak se një minutë.

“MSCHF dhe këpucët e paautorizuara të djallit ka të ngjarë të shkaktojnë konfuzion dhe të krijojnë një lidhje të gabuar midis produkteve të MSCHF dhe Nike”, thotë gjiganti i këpucëve sportive në procesin gjyqësor.

Atletet e zeza dhe të kuqe u “prezantuan” nga MSCHF të hënën, që përkon me publikimin e këngës së fundit të Lil Nas X Montero (Call Me ëith Your Name), e cila debutoi në YouTube të Premten e kaluar.

Në video, reperi shihet duke rrëshqitur nga parajsa në ferr.

 Imazhet dhe këpucët i referohen vargut biblik Luka 10:18 – “Dhe ai u tha atyre: Unë e kam parë Satanin si rrufe nga qielli”.

Ekipi i “Nike” u tërhoq pasi u zbulua modifikimi i bërë nga kompania.

Gjigandi i atleteve nuk miraton ose autorizon Këpucët e Personalizuara të djallit dhe për këtë arsye çështja mes palëve do të zgjidhet në Gjykatën e Qarkut të Nju Jorkut.

“Këpucët e djallit” kanë shkaktuar reagime të shumta. Disa Konservatorë, përfshirë Guvernatorin e Dakotës së Jugut Kristi Noem dhe disa ndjekës fetarë, u fyen nga modeli i diskutueshëm i këpucëve dhe kritikuan Lil Nas X dhe MSCHF në Twitter.