Ballina Aktualitet Biden: 90% e të rriturve në SHBA do të mund të vaksinohen...

Biden: 90% e të rriturve në SHBA do të mund të vaksinohen deri më 19 prill

 

Presidenti Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve të hënën të mos nënvlerësojnë masat e kujdesit për të frenuar pandeminë, ndërkohë që SHBA po përjeton një rritje të infektimeve në të gjithë vendin.

Në komentet e bëra nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Biden tha të hënën se 90% e të rriturve në Shtetet e Bashkuara do të kenë të drejtë të marrin një vaksinë deri më 19 prill.

Por ai u kërkoi amerikanëve të vazhdojnë të përdorin maskën. Ai tha se disa nga sjelljet e papërgjegjshme që shihen nëpër televizione javët e fundit nënkuptojnë më shumë raste me COVID në ditët e ardhshme.

“Tani nuk është koha të fesojmë, është koha të bëjmë më të mirën si vend… Le ta çojmë luftën deri në fund,” tha ai.

Ndërkohë, Dr. Rochelle Walensky, drejtoreshë e Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, me emocion të qartë në zërin e saj, u kërkoi zyrtarëve publikë dhe të tjerëve të flasin për seriozitetin e situatës, në përpjekje për të parandaluar një valë të katërt të COVID-19.

Të dielën Shtetet e Bashkuara tejkaluan 30 milion raste me COVID-19 në total ndërsa mesatarja shtatë-ditore e rasteve të reja ka qenë rreth 60,000 në ditë, tha ajo. Kjo përfaqëson një rritje prej 10% krahasuar me periudhën shtatë ditore paraardhëse. Shtrimet në spital gjithashtu u rritën dhe vdekjet kanë filluar të shtohen gjithashtu.

“Një situatë e kobshme po afron… tani për tani jam e frikësuar”, tha zonja Walensky në një konferencë me gazetarët.

Zyrtarët përmendën shtetet që hapën ekonomitë dhe lehtësuan kufizimet e pandemisë para kohe si dhe shtimin e udhëtimeve, si arsye për keqësimin e gjendjes.

Zonja Walensky tha se trajektorja e pandemisë në Shtetet e Bashkuara dukej e ngjashme me vendet e Evropës, të tilla si Gjermania, Italia dhe Franca, të cilat kanë përjetuar një rritje të rasteve kohët e fundit.

“Ne nuk kemi luksin e mosveprimit. Për … shëndetin e vendit tonë, ne duhet të punojmë së bashku tani për të parandaluar një valë të katërt,” tha ajo.

Presidenti Biden ka vendosur objektimin për të vaksinuar 200 milion njerëz në 100 ditët e tij të para në detyrë, dhe vaksinimet po shtohen në të gjithë vendin.

Por disa pjesë të Shteteve të Bashkuara kanë hequr dorë nga mandatet e maskave dhe kufizime të tjera për COVID-19n, ndërkohë që amerikanët po udhëtojnë tani më shumë për pushimet e pranverës.

“Duroni dhe pak”, tha eksperti i sëmundjeve infektive Dr. Anthony Fauci rreth mbajtjes së masave mbrojtëse. “Do të jetë një garë midis vaksinës dhe asaj që po ndodh me dinamikën e shpërthimit. Ne mund ta fitojmë këtë garë duke qëndruar pak më gjatë.”

E pyetur në lidhje me udhëtimin e vetë zotit Biden për arsye biznesi dhe personale, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se ai udhëtoi me avionin Air Force One, i cili nuk ishte i njëjtë me avionët e pasagjerëve.