Punëtorë nga Shqipëria kanë shfrytëzuar mundësinë e vaksinimit kundër koronavirusit në Serbi. Të shtunën aty ka nisur vaksinimi i punëtorëve nga të gjitha shtetet e rajonit, mundësuar nga Oda Ekonomike e Serbisë.
Në mesin e të vaksinuarve ishin stjuardesat e kompanisë ajrore shqiptare “Albawings”. Një fotografi e tyre në Serbi është bërë virale në mediat serbe.
“Për ne ishte e rëndësishme sepse ishte e vetmja mundësi, momentalisht për t’u vaksinuar, duke qenë se jemi pjesë e në kompanie ajrore, dëshironim të kishim mundësi që stafi ynë të ishte qind për qind i vaksinuar dhe duke qenë se në Shqipëri aktualisht nuk mundësohet për këtë kategori që ne përfaqësojmë, gjetëm mundësinë që të vinim këtu në Beograd”, ka deklaruar një stjuardesë për REL.
Ndërkohë, një punëtor i Aeroportit të Tiranës ka thënë se organizimi ishte në rregull.
“Mendoj që është një mundësi e mirë për ta bërë, kjo tregon edhe seriozitetin e shtetit të Serbisë, pa diskutim edhe fuqinë e saj si shtet”, ka thënë ai pasi kishte marrë vaksinën e AstraZenecas.
Në Serbi të shtunën ka nisur vaksinimi kundër COVID-19 i punëtorëve të bizneseve të shteteve të Ballkanit. Për vaksinim janë paraqitur mbi 7.500 punëtorë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi. Vaksinimi kundër koronavirusit po bëhet nën organizimin e Odës Ekonomike të Serbisë e cila në bashkëpunim me Qeverinë e Serbisë ka siguruar 10.000 doza të vaksinës AstraZeneca.
Oda Ekonomike e Kosovës më herët kishte njoftuar se ka refuzuar të marrë pjesë për vaksinë në Serbi për “arsye parimore”, megjithatë nga Oda Ekonomike e Serbisë kanë thënë se disa biznesmenë nga Kosova janë paraqitur tek ata për vaksinim. Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit kundër koronavirusit.