Ballina Rajoni Turqia i kërkon BE-së liberalizimin e vizave

Turqia i kërkon BE-së liberalizimin e vizave

 

Turqia i ka kërkuar Bashkimit Evropian të marrë veprime “konkrete dhe konstruktive” në lidhje me marrëveshjen për migrantët dhe liberalizimin e vizave.

Liderët e Bashkimit Evropian në samitin e mbajtur të enjten u zotuan për rritjen e niveleve tregtare me Ankaranë. Megjithatë, ata paralajmëruan se mund të vendosin sanksione ndaj Turqisë, nëse rifillon me kërkimet e saj “të paligjshme” të gazit në Mesdheun Lindor.

Blloku tha se do ta rishqyrtojë edhe një herë pozicionin ndaj Turqisë, në një takim të Këshillit Evropian që do të mbahet në muajin qershor.

Por, Ankaraja tha se BE-ja “nuk ka autoritet” të shpallë si të “paligjshme” aktivitetet e kërkimit të gazit, duke fajësuar Greqinë për këtë “retorikë”, raporton agjencia DPA.

Marrëdhëniet e Turqisë me Perëndimin, përfshirë Francën dhe Shtetet e Bashkuara, u përshkallëzuan gjatë vitit të kaluar pasi Ankaraja dërgoi anije kërkimi të gazit në Mesdheun Lindor, duke nxitur reagimin e Greqisë dhe Qipros, të dyja vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Tensionet janë ulur që kur Turqia rifilloi bisedimet me Greqinë, për herë të parë që nga viti 2016.

Zyrtarët e BE-së e kanë kritikuar vazhdimisht Turqinë për shkelje të të drejtave të njeriut.

Së fundi, liderët e BE-së janë shprehur të shqetësuar lidhur me lëvizjet e Ankarasë për të shuar një parti opozitare dhe largimin që Qeveria e Turqisë bëri nga Konventa e Stambollit, një traktat që synon mbrojtjen e grave nga dhuna.