Ballina Kulturë Në Deçan promovohet romani, PREMTIMI, i Jetlira Avdijaj – Nga Adem Lushaj

Në Deçan promovohet romani, PREMTIMI, i Jetlira Avdijaj – Nga Adem Lushaj

 

(“Misteri i një aksidenti tragjik në të shkuarën. Një dashuri dhe një hakmarrje kryqëzojnë rrugët e dy personazheve. Njëri në kërkim të vrasësit të vëllait, tjetri të hakmarrjes për mashtrimin që i kanë bërë. Jeta e një personazhi të tretë krejt papritmas shkrihet me dy të tjerat, në një betejë vendimesh të drejta e të padrejta. Jona martohet me Emirin, ndërkohë që e dashuron Artin. Secili premton diçka, por vetëm njëri do arrijë ta mbajë premtimin. Por, si çdo gjë tjetër në jetë, edhe premtimet e tyre kanë çmim. Se çfarë çmimi paguajnë,…!?”)

Në sallën e Kuvendit komunal të Deçanit, nën organizim të kryetarit të Komunës, Bashkim Ramosaj, është promovuar romani “Premtimi” i autores, Jetlira Avdijaj (20 vjeçare), botuar nga shtëpia botuese “Jalifat Publishing” me seli në Houston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Ky është romani i pestë e kësaj autoreje, nga gjashtë librat e botuara deri më tash.

Në fjalën e tij, kryetari Ramosaj, është shprehur mirënjohës për krijuesen e re, e cila po dëshmon se Deçani, përkatësisht krijuesit deçanas, po vazhdojnë traditën krijuese dhe po pasurojnë opusin krijues të dëshmuar në çdo periudhë kohore. “Jam i prirë që të përkrahë botimet të cilat promovojnë vlerat tona, sikurse që po bën, Jetlira”, është shprehur Ramosaj, duke qenë mirënjohës ndaj veprës madhore që po bën, Tafilaj. “Ju, zotëri Ramiz Tafilaj, jeni duke bërë punë të madhe, duke mos kursyer asgjë, në përkrahjen e krijuesve shqiptar, nga gjitha viset shqiptare”, ka nënvizuar Ramosaj, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve.

Pas fjalës përshëndetëse të kryetarit Ramosaj, rreth përmbajtjes së romanit kanë diskutuar, Engjëll Berisha-drejtor i Bibliotekës “Ibrahim Rugova” në Gjakovë dhe Muharrem Kurti-kryetar i Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, po ashtu me seli në Gjakovë.

“për të shkruar roman, nevojitet talenti, leximi  dhe përkushtimi. Ndaj, autorja e këtij romani, ka talentin e lindur, leximin e ka pasion qysh nga fëmijëria, sikurse që nuk po i mungon as përkushtimi për të shkruar”, ka thënë drejtori i “Ibrahim Rugova”, Engjëll Berisha, sipas të cilit, me dispozitat qëposedon Jetlira, mund të kemi edhe shumë promovime, qofshin në prozë apo poezi. Gjithnjë sipas Berisha, shpesh rivaliteti pozitiv sjellë rezultate, ngase Jetlira po e vazhdon rrugën e vëllait të tij, Besnikut, i cili tashmë veç është emër për krijimet e tij. Ai, po ashtu ka thënë se Jetlira, Besniku, Arlindi, nuk po bëjnë diç të veçantë, ngase kanë një bazament të fortë, nga trungu familjar.  

Sikurse kolegu i tij, është shprehur edhe kryetari i “Gjon Nikollë Kazazi”, njëherit autori i pesë romaneve, Muharrem Kurti. “është një thënie se autorët që mund të shkruajnë, pesë apo më shumë romane, mund të jenë të moshës mbi 40 vjeçare. Por, siç po duket, këtë po e demanton Jetlira Avdijaj, ngase në këtë moshë të re, veç më i ka përfunduar pesë romanet e saj, të cilat janë lartë të vlerësuara edhe nga kritika letrare”, ka nënvizuar Kurti, sipas të cilit, leksiku që përdor një vajzë e re, është për t’u admiruar.

Ndërsa, botuesi i këtij romani dhe romaneve tjera të kësaj autoreje, Ramiz Tafilaj, ka thënë se do përkrah edhe krijime tjera të Jetlirës, ngase ka talent të jashtëzakonshëm dhe është krijuese me perspektivë. “Me këtë hov të punës, të krijimeve letrare, autorja është në rrugën e  arritjeve të mëdha, arritje të nivelit të krijuesve botërorë!”, është shprehur, Ramiz Tafilaj, duke premtuar se çdoherë do jetë i gatshëm të përkrah krijimet që promovojnë historinë, kulturën, artin dhe shkencën shqiptare.

Të mbash një premtim, nuk është lehtë. Ama, kur të premtosh, duhet të qëndrosh prapa atij premtimi. Një zemër e thyer mund të dashuroj sërish, por nuk do ketë besim më. Ëndrrat mund ti ringjallim, por një ëndërrvrarë do të ketë frikë të shpresoj për atëëndërr. Ëndrrat janë shpresa e jonë. Andaj të jetojmë për tëëndërruar. E, kur ëndërrojmë, le të punojmë që ëndrrat të mos mbesin vetëm ëndrra, por, të jetojnë bashkë me ne. Le t’i zhdukim me farë, sekretet. Le t”i vrasim të fshehtat, para se ato të na vrasin neve. Le të jetojmë për të dashuruar, sepse dashuri ka me bollëk për secilin prej nesh. A ka më mirë se të dashurosh?”. Këto ishin disa nga fjalët që i tha autorja e romanit, Jetlira Avdijaj, e cila përmes romanit te saj, “Premtimi”, na fut në një labirinth sfidash dhe të papriturash, ku secili nga personazhet përpiqet ta mbajë premtimin e tij, ta ruajë dinjitetin dhe njëkohësisht të përfshihet në avujt e dashurisë.

p. s.

Botimet e deritanishme të, Jetlira Avdijaj.

1. Liqeni dhe alienët (2014)

2. I nënti (2015)

3. Valsi i dashurisë-I (2018)

4. Valsi i dashurisë-II (2018)

5. Premtimi (2019)

6. Buzëqeshja e falur (2020)