Ballina Rajoni Turqia dëshiron që rajoni të bëhet ishull i paqes, thotë Erdogan

Turqia dëshiron që rajoni të bëhet ishull i paqes, thotë Erdogan

 

Turqia dëshiron të zgjidhë konfliktet dhe të bëjë sa më shumë miq në mënyrë që ta kthejë rajonin e saj në një “ishull paqeje”, tha presidenti turk, Reccep Tayip Erdogan të mërkurën.

Turqia ka qenë në mosmarrëveshje me aleatët e NATO-s, si dhe rivalët arabë në Lindjen e Mesme, të cilët kanë shprehur zemërim me politikën e jashtme gjithnjë e më këmbëngulëse të Ankarasë.

Por, në muajt e fundit, zyrtarët turq janë përpjekur të ulin tensionet duke kërkuar përmirësim të marrëdhënieve.

Këtë muaj, Turqia tha se kishte vendosur kontakt diplomatik me Egjiptin, për herë të parë që nga viti 2013. Të dyja vendet njihen si rivale.

“Ne jemi të vendosur që të rrisin numrin e miqve tanë dhe të zgjidhim armiqësitë në rajon, duke e kthyer atë në një ishull paqeje”, i tha Erdogan kongresit Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në Ankara.

Përmes kësaj deklarate, Erdogan synon të zbusë tonin diplomatik, pas disa viteve të fushatave ushtarake në Siri, Libi dhe Irak.

Përfshirja e Turqisë në konfliktin e Libisë ka shkaktuar zhgënjim në vendet arabe, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin dhe Arabinë Saudite, të cilat mbështesin palën kundërshtare në atë vend.

Marrëdhëniet e Turqisë me Perëndimin, përfshirë Francën dhe Shtetet e Bashkuara, u përshkallëzuan gjatë vitit të kaluar pasi Ankaraja dërgoi anije kërkimi të gazit në Mesdheun Lindor, duke nxitur reagimin e Greqisë dhe Qipros, të dyja vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Tensionet janë ulur që kur Turqia rifilloi bisedimet me Greqinë për herë të parë që nga viti 2016, raporton agjencia AFP.