Nga Prof. Lisen BASHKURTI
Me 22 mars 2021 u konstitua Qeveria Kurti në Kosovë. Ardhja e kësaj qeverie në pushtet është mirepritur nga mbarë opinioni publik në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Preshevë e kudo në diasporë. Pritshmëri të mëdha ka pasur edhe në Perëndim, që nga Evropa deri në ShBA, ku analistë, opinionistë dhe ekspertë të shumtë janë shprehur me optimizëm për Qeverinë Kurti.
Nuk kanë munguar edhe zërat kundër, skeptikë apo nihilistë, por kjo është e natyrshme për sistemet dhe shoqëritë plurale. Të panatyrshme janë disa qëndrime paragjykuese të zërave opozitarë brënda Kosovës e jashtë saj, të cilët vijnë nga llogoret që e kanë rrënuar shtetin e ri të Kosovës ende pa u ngritur mirë me barrët e mosfunksionalizmit, të nepotizmit, të krimit dhe korrupsionit si dhe të dështimeve në rrafshin ndërkombëtar.
1.Pritshmëritë e mëdha, sfida më e madhe
Pavarësisht kësaj tablloje diverse, ajo që dominon paraprakisht për Qeverinë Kurti është shpresa, optimizmi dhe pritshmëritë e mëdha. Sipas këtyre pritshmërive në Kosovë po nisë një erë e re, ku do të fillojë të funksionojë shteti me check dhe balancë, sundimi i ligjit, liritë e të drejtat e njeriut, lufta kundër keqqeverisjes, korrupsionit dhe krimit të organizuar, administrata e bazuar në aftësi dhe meritokraci, ekonomia e tregut, punësimi dhe drejtësia sociale, arsimi dhe shëndetsia të reformuara.
Është një agjendë tejet ambicioze, duke marrë parasysh gjëndjen në të cilën ndodhet Kosova mbas një periudhe të gjatë qeverisjeje pa transprancë, pa përgjegjësi dhe pa aftësi, sikundër edhe mbas një cikli krizash politike, ekonomike dhe sociale që kanë prekur në masë të gjërë qytetarët e Kosovës.
Qeverisjet e epokës së luftës tanimë i përkasin historisë. Liderët e uniformave të gjelbra ngadalë po ngelen në analet e së kaluarës. Koha e mburrjeve të luftës po kalon. Njerëzit i janë kthyer së tanishmes dhe të ardhmes. Tranzicioni tejet i vështirë po kapërcehet tanimë. Padyshim është kthesë epokale që Kosova po e arrin me rrugë dhe mjete demokratike.
Qeveria Kurti ka ardhë me votë plebishitare qytetare. Është votuar programi i LVV. Është votuar për qeverijse të re me parime Evropiane. Qartësia, konsistenca dhe këmbëngulja në zbatimin e këtij programi përbën bazën e suksesit të Qeverisë dhe të mbarë Kosovës. Për këtë Qeveria Kurti lypet t’i qëndrojë fort, me vullnet të paepur politik, profesional dhe etik programit qeverisës. Në këtë mënyrë do të sigurontë qeverisjen e re, mbështetjen e qytetarëve të saj, të faktorëve të brëndshëm dhe ndërkombëtar.
2. Parimet qeverisëse më të rëndësishme se vetë qeveria
Në demokraci, thoshte Presidenti Uillson, më të rëndësishme janë parimet qeverisëse sesa vetë qeveria. Mirëqeverisja fillon nga brënda-jashtë. Kosova ka nevojë për një qeverisje me parime të qarta. Këto parime nuk ka nevojë të shpiken dhe as të eksperimentohen. Shpikjet dhe eksperimentimet vetëm zgjasin agoninë e tranzicionit dhe shtojnë kohën e keqqeverisjes.
Katër janë parimet themelore të qeverisjes Evropiane që Kosova ka nevojë urgjente ti zbatojë, por edhe Shqipëria pas saj. Së pari, është legjitimiteti. Ky parim themeltar lypet të zbatohet gjatë tërë kohës, jo vetëm për të ardhur në pushtet, por edhe për të justifikuar ardhjen me përpilimin dhe zbatimin e politikave të premtuara për sigurimin e mbështetjes jo vetëm të votusve por, por edhe të atyre kundër. Ardhja në qeveri është legjitimitet për të qeverisur në dobi të të gjithëve pa dallim dhe pa diskriminime politike, ekonomike dhe sociale. Parimi i legjitimitetit për ardhje në pushtet, por edhe për qeverisje të tillë është premtim i dhënë i Kurtit para qytetërëve të Kosovës. Qytetarët e presin këtë premtim të realizohet. Këtë Kurti e ka theksuar në shprehjen se “populli na ka votuar, por edhe mund të na heqë”.
Parimi i dytë, i qeverisjes Evropiane ka të bëjë me transparencën. Transparenca është shtylla e etikës qeverisëse, ose e qeverisjes me duar të pastra. Ky parim i ka munguar kah mot Kosovës, por edhe më i munguar në Shqipëri. Mungesa e transparencës i ka hapur rrugën nepotizmit në qeverisje, keqmenaxhimit të financave publike, korrupsionit dhe krimit të organizuar, që kanë gërryer bazat morale të shtetit dhe institucioneve publike qëndrore dhe lokale dhe besimit të opinionit të gjërë në Kosovë ndaj tyre. Zbatimi i parimit të transparencës në luftën kundër keqqeverisjes, nepotizmit në institucione, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit është premtim i dhënë i Kurtit para qytetarëve. Zbatimi i këtij parimi rikthen besimin e qytetarëve te shteti e qeveria e tyre dhe rritë mbështetjen dhe shpresën se Kosova bëhet dhe bëhet shpejt dhe mirë. Në demokraci besimi është i pari. Të tjerat vijnë pas tij.
Parimi i tretë i qeverisjes Evropiane është llogaridhënia. Llogaridhënia lidhet me përgjegjshmërinë e drejtuesve të qeverisë, të shtetit dhe të institucioneve publike vertikalisht dhe horizontalisht dhe gjatë tërë kohës. Llogaridhënia është proces i kudondodhur dhe permanent. Llogaridhënia bëhet cdo ditë, në cdo sektor, në cdo sistem, nga cdo individ, nga cdo institucion, cdo ditë e për cdo gjë. Ky parim është dukshëm i munguar deri tani në Kosovë dhe dukshëm i munguar edhe në Shqipëri. Rëndom, në Kosovë është dhënë llogari kryesisht gjatë fushatave elektorale, në Shqipëri pak dhe aspak. Kjo duhet bërë, por është shumë vonë dhe shumë pak. Kurti e ka bërë këtë premtim para qytetarëve. Qeveria Rama nuk po e bën këtë fushatë, por po e anashkalon qëllimisht. Është koha për të mbajtur premtimet kudo. Llogaridhënia është mënyrë qeverisje. Është përditësim qeverisës. Është pastrim i përditshëm. Është skanim i përditshëm. Është diagnistikim i përditshëm. Është terapi e përditshme. Është shërim i përditshëm. Është përmirësim i përditshëm qeverisës.
Parimi i katërt Evropian i qeverisjes është gjithëpërfshirja. Në demokracinë liberale alternativat qeverisëse vijnë me mbështetjen e shumicës. Por, mbas ardhjes në pushtet cdo alternativë qeverisëse merr përgjegjësi dhe ka detyrim kushtetues e ligjor që të mendojë dhe të punojë njëlloj për të gjithë qytetarët, pra për mbështetësit dhe për kundërshtarët. Qeverija punon me financat e të gjithëve dhe ka përgjegjësi për të gjithë. Diskriminimi politik nga një qeveri është tërësisht i papranueshëm në demokraci. E kundërta e diskriminimit është gjithëpërfshirja. Këtu është një nga sfidat më të mëdha për qeverisjen Kurti. Në Kosovë gjatë fushatës ky parim nuk është akcentuar sa dhe si duhet. Por në qeverisje konkrete është thelbësore për Qeverinë Kurti që ky parim jo vetëm të theksohet në krijimin e agjendës politike, në formulimin e politikave, por parasëgjithash në zbatimin e tyre. Qeveria Kurti është e të gjithëve. Punon për drejtimin e mbarë Kosovës. Ajo shfrytëzon kontributet financiare të tërë qyetarëve të Kosovës. Qeveria Kurti lypet të provojë se është ndryshe nga qeveritë parardhëse parasëgjithash nga zbatimi i parimit të gjithëpërfshirjes. Ajo lypet të nxjerrë mësime nga shëmbulli diskriminues i “tepsisë dhe timonit” të Qeverisë Rama, që mbolli diskriminimin jo vetëm për kundërshtarët, por edhe për socialistët e thjeshtë kudo. Askush nuk duhet të ndjehet i perjashtuar nën Qeverinë Kurti në kuptimin e politikë-bërjes, vendim-marrjes, të zbatimit dhe të benifiteve. Qeverisja Evropiane vjen me votë shumice, por qeveris me të gjithë, pa perjashtuar askënd, me kontributin e të gjithëve dhe me përfitime për të gjithë. Gjithëpërfshirja zbutë polarizimin politik, përcajen, konfrontimin, tensionet, konfliktet dhe krizat politike që janë pengesa serioze për hartimin dhe zbatimin e politikave.
3. Ndryshimi nisë nga brënda, pastaj shtrihet jashtë
Ndryshe nga qeveritë paraardhëse Qeveria Kurti mendon se ndryshimi madh për Kosovën nisë nga brënda. Pra nisë nga mirëqeverisja e vëndit dhe nga adresimi shpejt dhe mirë i sfidave të ndërtimit dhe të funksionimit të shtetit, sundimit të ligjit, respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të pakicave, ngritjes ekonomike, punësimit dhe zgjidhjeve sociale, arsimit e shëndetsisë etj. Zbatimi i kësaj agjende të brëndshme e vendos Kosovën në binarë të shtetit demokratik funksional për mbarë qytetarët e saj. Pa këto reforma të thella shteti i Kosovës nuk mund të adresojë agjendën e jashtme ndërkombëtare.
Agjenda e jashtme e Kosovës varet shumë nga performanca e shtetit të saj, nga imazhi i tij dhe nga reputacioni ndërkombëtar. Pa performancë pozitive, pa imazhë të mirë dhe pa reputacion të lartë ndërkombëtar asnjë agjendë ndërkombëtar nuk mund të ketë suksese. Për Kosovën kjo është edhe më imperative, për shkakun se performanca, imazhi dhe reputacioni i Kosovës jo vetëm që nuk janë të duhurat, por janë të dëmtuara seriozisht nga keqeverisjet e mëparshme. Edhe Shqipëria e Qeverisë Rama këtu e ka “thembrën e Akilit”, tek performanca e keqe qeverisëse, imazhi i dobët dhe reputacioni i dëmtuar ndërkombëtar. Bllokimi i hapjes së negociatave për antarësim në BE buron nga këto plagë të Qeverisë Rama.
Po lidhur me Kosovën, performanca, imazhi dhe reputacioni ndërkombëtar i Shtetit të saj kanë qënë dhe janë tagër i goditjeve agresive dhe të pandërprera të diplomacisë Serbe kudo në botë. Politika e jashtme dhe diplomacia Serbe prej vitit 1999, për një dekadë, deri nga vitet 2010 ka punuar fort për përmirësimin e performancës, imazhit dhe reputacionit ndërkombëtar të saj. Si rezultat i kësaj pune Serbia e sotme ka arritur të distancohet në mënyrë të konsiderueshme nga e kaluara e saj e viteve ’90. Mbas kësaj metamorfoze në rrafsh ndërkombëtar, politika e jashtme dhe diplomacia Serbe ka prioritizuar agresionin kundër performancës, imazhit dhe reputacionit ndërkombëtar të Kosovës. Kthimet prapa të disa njohjeve ndërkombëtare, bllokimi i integrimit në disa organizata rajonale dhe disa pengesa në rafshin e politikave Evropiane ndaj Kosovës, sic është mos liberalizimi i vizave për qytetarët e saj janë pasojë edhe e agresivitetit Serb ndaj Kosovës. Me dhimbje duhet thënë se në këtë aspekt pjesërisht Serbia ka pasur sukses. Me agresionin e saj Serbia arriti ta gozhdonte Kosovën sipas agjendës së vet, të bllokonte zhvillimet e brëndshme dhe të mbante në status quo procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Serbia arriti qëllimshëm gati sa të gulfaste përparimin e Kosovës dhe, ndërkohë që vetë përparonte së brëndshmi dhe së jashtmi, dialogun me Kosovën e bllokonte.
Këtij suksesi të pjesshëm Serb i duhet dhënë fund sa më shpejt. E kjo bëhet me qasjen qeverisëse të Qeverisë Kurti: agjenda e brëndshme e para, nga burojnë përmirësimi i përformancës qeverisëse, ndryshimi i imazhit të vëndit dhe lartësimi i reputacionit ndërkombëtar të Shtetit të Kosovës. E më pas, zhvillohet natyrshëm, me shpejtësi, por pa nxitim, edhe agjenda ndërkombëtare, ku përfshihet edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënive me Serbinë përmes njohjes reciproke të të dy shteteve.
Me 22 mars 2021 u konstitua Qeveria Kurti në Kosovë, ardhja e kësaj qeverie në pushtet është mirëpritur nga mbarë opinion publik në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Preshevë e kudo në diasporë. Pritshmëri të mëdha ka pasur edhe në Perëndim, që nga Evropa deri në ShBA, ku analistë, opinionistë dhe ekspertë të shumtë janë shprehur me optimizëm për Qeverinë Kurti.
Qeveria Kurti lypet të mos zhgënjejë mbështetësit e saj, por edhe të adresojë zërat kundër, skeptikët apo nihilistët, të natyrshëm në sistemet dhe shoqëritë plural, sikundër edhe qëndrimet e panatyrshme paragjykuese të zërave opozitarë brënda Kosovës, apo të kundërshtarëve të saj në rrafsh ndërkombëtar. Është shans i madh për Kosovën. Shans që nuk duhet humbur. Është frymëzim i madh edhe për Shqipërinë, hapsirat shqipfolëse dhe mbarë Ballkanin Perëndimor. Fundi i tranzicionit po troket. Le t’i hapim portat me votën e litë dhe të ndershme.