Ballina ED/OP VETËM SHENJTËRIA E POPULLIT SOVRAN ËSHTË E GJITHËPUSHTETSHME

VETËM SHENJTËRIA E POPULLIT SOVRAN ËSHTË E GJITHËPUSHTETSHME

 

Pushtetet vinë e shkojnë, por shteti i Kosovës duhet të mbetet amaneti më i shtrenjtë që iu lihet brezave trashëgim. Në historinë e shteteve kanë parakaluar aradha të tëra pushtetarësh, por në kujtesën brezave kanë ngelur vetëm ata që kanë privuar vetveten nga luksi i tepruar i të qenit i gjithëpushtetshëm.

Nga Mehmet PRISHTINA

Kosova është në rrugë të mbarë që të shënojë kthesën e duhur drejt konsolidimit politik e institucional. Pjekuria qytetare e treguar në zgjedhjet e 14 shkurtit përkufizoi qartë linjat e një mendimi të ri politik, ku energjia për ndryshim dhe qartësia e diskursit reformues u afishuan si slogane mobilizuese në një rrafsh më të gjerë social e politik.
Por, ardhmëria e një kombi asnjëherë nuk duhet të matet me fitoret politike të partive dhe subjekteve të ndryshme, sado impresive qofshin ato, madje edhe në raste kur ato fitore janë plebishitare siç ndodhi më 14 shkurt në Kosovë. Kjo edhe për faktin se një fitore politike duhet të kalojë nëpër mekanizmat e shumtë të oponencës publike dhe qëndrueshmërisë së projekteve e ideve konkrete. Tani për tani kemi vetëm shenja pozitive të një ndryshimi, por këto nuk mjaftojnë për të ardhur deri te ndryshimi substancial, aq i kërkuar dhe aq i nevojshëm për qytetarët e Kosovës.
Bazat e funksionimit të një shteti nuk nënkuptojnë ndërrimin mekanik të strukturave drejtuese qeverisëse, sepse në të kaluarën kanë ndodhur dhjetëra ndërrime të tilla, por kjo nuk ka prodhuar ndonjë efikasitet të lartë në performansën institucionale.
Kosova ka nevojë për një mendësi të re politike e shtetërore, e cila do të bazohej në ruajtjen e vazhdimësisë së politikave të mira qeverisëse dhe projektimin e standardeve të reja shtetndërtuese, që nënkupton edhe prerjen e plotë të fijeve që mbajnë lidhur praktikat abuzive të pushteteve pararendëse.

Janë dy momente mjaft sfiduese që e bëjnë Qeverinë e ardhshme të ndjehet jo komode që në start. Momenti i parë ka të bëjë me eliminimin e pasojave nga kriza shëndetësore e shkaktuar nga Covid-19 dhe fillimin një programi afatgjatë ekonomik e social, kurse momenti i dytë i përket sfidave që dalin nga dialogu i papërfunduar me Serbinë.
Përgjegjësia për t’u përballur me këto momente delikate bie kryekëput mbi kabinetin e ri qeverisës dhe të gjitha institucioneve ligjzbatuese, por kjo nuk mjafton nëse estabilishmenti i ri nuk krijon një klimë mirëkuptimi dhe bashkërendimi në mes të faktorëve të ndryshëm që vinë nga opozita, nga shoqëria civile, nga bota akademike, mediat etj. Sado i fuqishëm të jetë një pushtet, ai sërish do të ketë nevojë për aleanca mbi një bazë më të gjerë, sepse vetëm kështu mund të tejkalohen më lehtë temat e vështira që i imponon koha.
Kosova ndodhet në një proces ende të papërfunduar sa i përket rrumbullakimit të subjektivitetit ndërkombëtar, sepse ende nuk është anëtare e OKB-së, e NATO-s, e BE-së dhe e një mori agjencish e institucionesh ndërkombëtare. Gjithkush sot e di se ky është një proces i vështirë, që kërkon mund, durim, fleksibilitet dhe mbi të gjitha kërkon sens të zhvilluar për të detektuar ekuilibrat e politikës ndërkombëtare që mund të reflektohen në pozicionin e Kosovës si shtet i pavarur.
Pra, ky është një proces i vështirë, por jo i pamundur, nëse në politikën e Kosovës mbisundon pragmatizmi institucional dhe mirëkuptimi i brendshëm kombëtar e qytetar. Mbi të gjitha kjo elitë politike e ka për detyrë të arrijë dy objektiva madhorë: E para, të instalojë një frymë bashkëpunimi të shkëlqyeshëm pushtet-opozitë dhe e dyta, të inkorporojë komunitetin serb në jetën politike e institucionale të Kosovës, duke e bërë atë sa më të pavarur nga ndikimet paternaliste të Serbisë.
Deri më tani, konjukturat shtetërore të Kosovës marrjen me tema të mëdha e kanë konsideruar si obligim ekskluzivisht vetëm të tyre, duke i përjashtuar nga mekanizmat vendimmarrës faktorët e ndryshëm opozitarë, qytetarë, akademikë e intelektualë.
Në anën tjetër, imponimi i temave nga korpusi i të drejtave të pakicave nuk ka ndjekur një metodologji të qartë e cila do të bënte diferencimin në mes të drejtave burimore dhe të ligjshme të pakicave etnike, përfshi edhe serbët, dhe të drejtave të imponuara nga jashtë, ku Beogradi ka qenë mentor kryesor i dizajnimit të politikave qeveritare mbi minoritetet, përmes instalacioneve të tipit LISTA SERBE. Kjo e fundit, në shumë raste madje ka qenë faktor vendimmarrës për formimin e qeverive të Kosovës, duke hedhur në një fushë të minuar të gjitha çështjet që kanë determinuar dhe shantazhuar sovranitetin shtetëror të Kosovës, siç është insistimi për formimin Asociacionit me kompetenca ekzekutive të komunave me shumicë serbe.
Diplomacia e re e Kosovës duhet të ketë një qasje më agresive në planin propagandistik, sepse ka nevojë për një sqarim substancial lidhur me çështjet e ashtuquajtura të hapura serbe në Kosovë.
Parasëgjithash duhet sqaruar rolin e Serbisë në instrumentalizimin e të drejtave të serbëve lokalë të Kosovës për qëllime të veta, që më tepër janë hegjemoniste dhe aspak altruiste. Këto përpjekje të Beogradit u manifestuan edhe në zgjedhjet e fundit, ku dominoi tendenca e faktorizimit të pakicave serbe e joserbe nën ombrellën e Listës Serbe, me qëllim të dobësimit të fuqisë vendimmarrëse të faktorëve politikë të Kosovës.
Për rrjedhojë, Beogradi nuk angazhohet që të përmirësohet pozita sociale, kulturore, arsimore e serbëve të Kosovës, por të fuqizohet ndikimi i Serbisë në institucionet e Kosovës, duke e bërë atë shtet sa më jo funksional, ashtu siç është e parashikuar në Memorandumin 2 të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve.
Në ditët në vijim pritet të zhvillohen konsultime e debate të brendshme lidhur me formimin e institucioneve të Kosovës dhe kjo është një praktikë tash më e njohur. Por, ajo që duhet të jetë si përjashtim i praktikave të deritanishme do të ishte fryma e tolerancës brendakombëtare, e cila do të gjeneronte një produkt të ri botëkuptimor e përmbajtësor në politikën kulturore të vendit.

Pushtetet vinë e shkojnë, por shteti i Kosovës duhet të mbetet amaneti më i shtrenjtë që iu lihet brezave trashëgim. Në historinë e shteteve kanë parakaluar aradha të tëra pushtetarësh, por në kujtesën brezave kanë ngelur vetëm ata që kanë privuar vetveten nga luksi i tepruar i të qenit i gjithëpushtetshëm.
Fundja, vetëm shenjtëria që del nga popull sovran është e gjithëpushtetshme!

Prishtinë, 19 mars, 2021