Autoritetet në shumë vende po përballën me dilema të forta ndërsa numri i rasteve me koronavirus po rritet. Ata po përpiqen t’i japin përgjigje pikëpyetjeve nëse duhet të nxisin imunizimin me vaksinën e AstraZeneca-s, që dihet se shpëton jetë, apo të pezullojnë përdorimin e saj për shkak të njoftimeve se shkakton mpiksje gjakut tek disa persona. Pikëpyetje që vazhdojnë të ngrihen edhe pse enti rregullator evropian thotë se nuk ka “asnjë të dhënë” se këto raste janë shkaktuar nga vaksina.
Kjo çështje ka krijuar një ndarje të fortë në të gjithë globin, duke i detyruar autoritetet të vlerësojnë rreziqet shëndetësore që sjell vendimi për ndalimi e vaksinës në një kohë kur shumë vende, veçanërisht në Evropë vazhdojnë përpjekjete për të kapërcyer pengesat logjistike dhe hezitimin e popullatës së tyre për t’u vaksinuar.
Suedia ishte e fundit që iu bashkua një grupi në rritje vendesh të Bashkimit Evropian që kanë zgjedhur kujdesin mbi shpejtësinë, edhe pse kryetarja e Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) tha se institucioni që ajo drejton është “plotësisht i bindur” se përfitimet që sjell vaksina e AstraZeneca-s janë më të mëdha se rreziqet që ajo paraqet.
Të martën Emer Cooke vuri në dukje se çdo vit mijëra njerëz në të gjithë BE-në zhvillojnë tromboza për arsye të ndryshme dhe se nuk kishte njoftime për një numër të rritur rastesh të mpiksje të gjakut në studimet klinike të vaksinës së AstraZeneca-s. Megjithatë tha ajo, ekspertët do të kryejnë një “analizë shumë të rreptë” dhe do të japin një rekomandim të enjten.
Evropa ka luksin të zgjedhë mes disa lloj vaksinash, por vendimi megjithatë nuk është i lehtë në një kontinent, ku rastet me korovirus po rriten sërish dhe ku fushata e vaksinimit ka ngecur vazhdimisht.
Zgjedhja mund të jetë edhe më e problematike gjetkë sepse shumë vende po mbështeten fort tek vaksina e AstraZeneca-s, e cila nuk është e kushtueshme dhe është më e lehtë për t’u ruajtur krahasuar me të tjera. Vaksina deri më tani ka luajtur një rol të rëndësishëm në nismën globale për të siguruar vaksinat për vendet e varfëra, e njohur si “COVAX”.
Vështirësitë lidhur me vendimin u shfaqën qartë në Tajlandë, vendi i parë jashtë Evropës që pezulloi përdorimin e vaksinës së AstraZeneca-s, por më pas ndryshoi qëndrim të martën kur kryeministri i vendit mori dozën e parë të saj.
“Ka njerëz që janë të shqetësuar“, tha Prayuth Chan-ocha pasi mori të vaksinën. “Por ne duhet t’u besojmë mjekëve, t’u besojmë profesionistëve tanë të fushës”.
Shumë vende të tjera në Azi gjithashtu kanë lënë menjanë shqetësimet, megjithëse këtë javë Indonezia ndaloi përdorimin e vaksinës, duke thënë se do të priste për një raport të Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi këtë çështje.
Krahas Agjencisë Evropiane të Barnave, kompania AstraZeneca dhe OBSH-ja kanë thënë se nuk ka prova se vaksina mbart rreziqe në rritje për mpiksje të gjakut. Sipas kompanisë mes më shumë se 17 milionë njerëzve të vaksinuar në të gjithë BE dhe në Britani, ka pasur vetëm 37 njoftime për mpiksje të gjakut.
“Kjo është shumë më e ulët sesa pritet të ndodhë natyrshëm tek popullata e përgjithshme në këto shifra dhe është e ngjashme me vaksinat e tjera të autorizuara kundër COVID-19-s“, tha prodhuesi anglo-suedez i ilaçeve.
Por numri i vendeve të bllokut që po vazhdojnë përdorimin e saj po bie pasi vende me peshë si Gjermania, Italia, Franca e Spanja njoftuan të hënën pezullimin e vaksinimeve.
Masa këto që lanë Belgjikën dhe një disa vende të tjera si Polonia, Rumania dhe Greqia gjithnjë e më të izoluara në këmbënguljen e tyre se pezullimi tani i vaksinave do të shkaktonte shumë më shumë dëm sesa efektet anësore kaq shumë të debatuara.
“Në një kohë kur e dimë se si po përhapet virusi, ndalimi i vaksinës do të ishte një vendim i pakujdesshëm“, tha për transmetuesin publik VRT Ministri belg i Shëndetësisë Frank Vandenbroucke të martën herët mëngjes.
Ekspertët vërejnë se shqetësime të tilla janë të pashmangshme në fushatat e vaksinimit masiv. Ndërsa një numër i madh njerëzish vaksinohen, disa mund të sëmuren dhe jo për shkak të vaksinës.
“Në mesin e shqetësimeve politiko-mediatike që po trazojnë aktualisht Evropën ne duhet të qëndrojmë sa më pranë shkencës“, thotë virologu belg Yves Van Laethem.
Në Spanjë, e cila njoftoi të hënën se po pezullonte përdorimin e vaksinës, disa ekspertë të mjekësisë kanë hedhur dyshime rreth këtij vendimi. Presidenti i Shoqatës spanjolle të Vaksinave Amós García, thotë se vendet po tregohen më të zellshme se duhet në ndalimin e përdorimit të vaksinës së AstraZeneca-s.
Vendimi duket se po nxit efektin domino. “Ka një efekt të ngjitës ndërkufitar”, thotë zoti Garcia.
“Çdo gjë shkakton parimin e të paturit kujdes“, i tha zoti García transmetuesit spanjoll TVE. “Sapo nis… është si një efekt domino, bëhet shumë e vështirë për një vend që të vazhdojë të shpërndajë vaksinën, nëse të tjerët e ndalin, thjesht si masë sigurie”.
Mes një rrëkeje vendimesh që po hedhin dyshime mbi vaksinën e AstraZeneca-s pavarësisht garancive që japin ekspertët mbi sigurinë e saj, opinioni publik u vu sërish në provë që të besojë shkencën mbi dyshimet.
Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabic tha se vendi i saj nuk do të ndalojë përdorimin e vaksinës së AstraZeneca-s dhe këmbënguli se “për fat të keq, disa njerëz kanë dyshime për shkak të një fushate negative”.
Mes problemesh të shpeshta të procesit të imunizimit, 27 vendet e BE-së treguan sërish se nuk ishin të bashkuar, duke marrë secili vendimet e veta lidhur me vaksinën e AstraZeneca-s edhe pse Komisioni Evropian, bëri thirrje të merren parasysh këshillat e EMA-s. I pyetur nëse Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen do ta merrte vaksinën e AstraZeneca-s, zëdhënësi i saj, Eric Mamer tha: “sigurisht”.