Ballina Diaspora NJË LIBËR PËR HISTORINË E MBIJETESËS SË NJË FAMILJE TË MADHE…

NJË LIBËR PËR HISTORINË E MBIJETESËS SË NJË FAMILJE TË MADHE…

 

Nga Dëfrim CANI,

Studiues, Dibër-Tiranë*

Nuk është vetëm titulli i një libri të shkruar në vargje, që ngjan me një rapsodi të gjatë, që ngjan si poezi, si ditar, si dhembje e shkruar, si krenari, si kujtesë, si tregim i shkruar nga Hamite Çelaj Mulosmani. Është një libër që nxë brenda vetes tetëdhjetë e shtatë krijime interesante që kanë të bëjnë me të kaluarën, por dhe të sotmen e autores, të cilët ngjajnë me plagë të thella dhe të rënda, të pambyllura jo vetëm në kujtesën e saj, por dhe të historisë së familjes së Derës së Madhe të Binak Alisë së Mulosmanajve të Malësisë së Gjakovës (Tropojë) dhe të Çelajve të Vuthajve të krahinës së Plavë-Gucisë, as të atyre që i kanë njohur dhe i njohin, për një arsye të thjeshtë: – libri flet dhe sjell në kujtesën e të gjithëve periudhën e historive vrastare, barbare, dhunuese, të pabesa dhe të pamëshirshme, që shteti totalitar- komunist i kohës ushtroi mbi kundërshtarët e vet politik.

Familja e Hamite Çelaj Mulosmanit lidhej me themele të forta të së kaluarës në agimin e vitit 1945. Ajo ishte një Derë e Madhe e Malësisë së Gjakovës, Dera e Madhe e Binak Alisë së Mulosmanëve të Fangut, të cilët nuk kishin reshtur gjatë historisë për t’i dhënë krahinës, vendit dhe kombit shqiptar djersë, mund, gjak, mençuri, luftëtarë, bujari, mikpritje dhe modelin e mrekullueshëm tradicional të kullës malësore të Veriut. Por të qenit Derë e Madhe, përbënte një “mëkat” të pashlyeshëm për regjimin diktatorial në Shqipëri, i cili u instalua që në ditën e parë, kur komunisttitisto-stalinistët erdhën në pushtet. Të ishe Derë e Madhe, si ajo e Binak Alisë të Malësisë së Gjakovës, do të thotë të ishe regjistruar në regjistrin e mallkimit nga pushteti komunist, siç kishte ndodhur me pjesën më të madhe të familjeve të njohura të Shqipërisë në Veri dhe në Jugun e Shqipërisë. Dhe në të vërtetë kështu ngjau.

Familja Mulosmani gjatë periudhës së Mbretërisë Shqiptare, i kishte bërë një shërbim të madh vendit, pasi kjo periudhë është njëra nga kohët, kur Shqipëria u shfaq para Evropës skeptike, e cila kishte dëgjuar teoritë nacionalshoviniste sllavo-serbe, se shqiptarët ishin ende një popull tribu-shë, u shfaq si një shtet i ndërtuar mbi rregulla funksionale, me ligje, kushtetutë, gjykata, politika të mirë menduara shkollore e kulturore, me xhandarrmëri dhe institucione, të cilët po konsolidoheshin kohë pas kohe.

Familja Mulosmani për shkakun e një trashëgimie dhe historie të shkëlqyer ishte kërkuar t’i vinte në mbështetje Mbretërisë Shqiptare, e cila në fillimet e veta kishte vështirësi objektive për të filluar së funksionuari të reformave të saja, të cilat ishin të rëndësishme dhe të nevojshme për vendin.

Këta dy gurë të rëndësishëm në themelin e familjes së Hamite Çelaj Mulosmani; të qenit një familje, që njihej si Derë e Madhe në të gjithë Malësinë e Gjakovës e më gjerë dhe vënia në shërbim kombëtar të Mbretërisë Shqiptare, përbëjnë fi llimin e një kalvari të tmerrshëm e vrastarë, të dhunshëm, barbar dhe të përditshme në të gjithë genin familjar nga shteti totalitar-diktatorial i Enver Hoxhës për 50 vjet me radhë.

Libri “Histori e shkruar me gjak” sillet më së shumti në kujtimet, përjetimet, dhimbjet, pengjet, humbjet, përndjekjet dhe dramat e thella që Hamite Çelaj Mulosmani dhe familja e saj përjetuan në hapësirën e errët të Shqipërisë socialkomuniste. Këto 87 krijime të shkurtra dhe të gjata, shkruar në një stil të thjesht tregues dhe rrëfyes, me një frymë të thellë emocionale, shkruar në vargje, që herë–herë ngjajnë me vargun tradicional të poezisë apo këngës popullore, në fund të fundit tregojnë ç’ka ndodhur në jetën e saj, të afërmëve të saj, tregime të cilët janë të thellë, të sjellë në një formë vargore, si shprehje e emocionalitetit, dhimbjes, përjetimit, sentimentalizmit prej femre dhe nëne, motre dhe gruaje, duke kuptuar dhe një arsye madhore, pse këto kujtime janë shkruar në vargje.

Ka shumë të ngjarë, që të shkruarit në vargje, të jetë një refleks i brendshëm dhe tradicional, një edukacion historik prej trevës nga vjen Hamite Çelaj Mulosmani, një trevë me një kujtesë historike të njohur, madje të lidhur shumë me hapësirën ku ende gjallon të kënduarit në formën më tradicionale të mundshme të këngës kreshnike, në të cilat shquajnë personazhe mitikë, më vonë personazhet historikë, që sjellin në vëmendje pushtuesin osman, periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878), një periudhë e vështirë dhe me një trashëgimi të madhe luftëtarësh, luftërash, burrash të shquar me karakteristika të njohura atdhetarësh, luftëtarësh, burrash konaku, ndër të cilët shquan dhe burri i mençur dhe i famshëm i gjithë Malësisë së Gjakovës, Binak Alia.

Ndoshta për shumë nga këto ngjarje dhe burra të shquar, trima dhe të mençur, autorja e këtij libri të mrekullueshëm, i ka dëgjuar në zërin e rapsodit të Malësisë dhe telin e lahutës së lashtë, e cila ka qenë dhe mbetet një bashkudhëtare e historisë së Malësive të Veriut. Në Malësinë e Veriut, në trevat ku kënga kreshnike ka qenë dhe mbetet një lloje “pasaporte” identiteti e konakut të burrave, trimave e burrave të shquar iu është kënduar dhe iu këndohet. Nuk i këndohet askujt pa meritë, e përmes këngës, burrnia, trimëria jetojnë shekull mbas shekulli. Prandaj dhe krijimet e këtij libri herë janë rrëfime, herë këngë, herë rapsodi, herë tregime, për shkakun e marrëdhënieve të thella shpirtërore që autorja ka me njerëzit, ngjarjet dhe kohën, pavarësisht kur pjesët e këtij libri janë shkruar. Ato janë motive të thella shpirtërore, të një gruaje me ndjesi të çuditshme poetike.

Pavarësisht se libri “Histori e shkruar me gjak” është shkruar për një rreth familjarë të njohur, që autorja Hamite Çelaj Mulosmani i shënon me emrin e tyre të vërtetë dhe jo siç ndodh me librat apo dedikimet artistike, libri e kapërcen karakterin familjarë dhe merr karakter shoqërorë-historik, pasi personat që vijnë përmes këtij libri, kushtimisht familjarë, kanë jetuar dhe ç’ka ndodhur me jetën e tyre janë produkt i sistemit politik të kohës, duke “valorizuar” pasqyrën social- politike të kohës në shoqërinë e saj.

Që nga krijimi i parë deri tek i fundit, autorja ka ruajtur raportin dhe marrëdhënien me historitë e familjes së saj, me ngjarjet që kanë përjetuar njerëzit e familjes së saj, çfarë na dijëson se libri i kushtohet familjes, dhe vetëm përmes këtyre ngjarjeve dhe historish familjare merret një informacion për të tjerët dhe kohën politike në të cilat ato kanë ndodhur. Në këtë kuptim libri sjell një diapazon të gjerësishëm tematik dhe idesh. Gati në çdo krijim të librit autorja nuk harron të tregojë, madje të përdorë një lloj refreni të çuditshëm, lidhur me historinë e familjes, një e kaluar e rëndësishme, e cila ka qenë dhe mbetet një nga faktorët që e ka ruajtur atë familje që të mos humbasë, mos roitet, dhe pse e gjendur para njërës nga diktaturat më barbare që ka njohur njerëzimi. Jo më kot në fillim të librit ajo i dedikon një nga kujtesat dhe të brezave të vonë Familjes së Binak Alisë. Në këtë rast nuk është vendi për të shkruar kush është Binak Alia, por në kujtesën dhe ekuilibrin e Malësisë së Gjakovës, por dhe të gjithë Veriut dhe Shqipërisë e Kosovës, mendja e tij konsiderohet një brilant i rrallë. E kjo krenari e moçme, s’ka pse të mos e gjejë veten dhe në kohët e vona. Hamite Çelaj Mulosmani i lidh në mënyrë të mrekullueshme kohët, kur shkruan: ”K’ta stërnipa t’Ali Binakut,/krenaria e krejt Malsis’/ burra trima si luana,/t’holl e t’gjat’, shpatullgjana,/ thon gji n’shkam’ iu kish dhanë zana,/ thotë në shkam’ zana kish jetue,/ këta sokola me u burrnue…” Dhe burrnia e kësaj dere tradicionalisht dhe në këto kohë e ka treguar veten.

Libri “Histori e Përgjakur” ngjan me një regjistër të rëndësishëm. Është një regjistër familjarë ku janë shënuar kohët, njerëzit, familja, djemtë, gratë, vajzat, nipërit e mbesat, janë shënuar njerëzit e tjerë me emra apo pa emra, janë shënuar emra vendesh dhe qytetesh, fshatrash, brezat, netët dhe ditët, rrugët, humbëtirat, ditë e netë me shi dhe borë, janë shënuar luftërat, ushtarakët, komisarët e kuq, operativët e sigurimit, gjykatat dhe gjyqtarët, nenet e famshme të dënimit me vdekje, me varje, me burgim, me internim, në të duket si dihasin zemrat e nënave, motrave, fëmijëve në pritje, zemrat e burrave nëpër qelitë e burgjeve që presin t’i çojnë në sallën e gjyqit, pra është dhe një regjistër kombëtar, si ai regjistri ku nuk mund të harrohet dhe të fshihet asgjë.

Në Shqipërinë e pas viteve 1945 ishte krijuar projekti gjigand dhe i gjithëpushtetshëm i skëterrës, i rrënimit të dinjitetit njerëzorë, i eliminimit fizik të kundërshtarit politik, i shkatërrimit të familjes, i degdisjes, i dënimit pa faj dhe pa fakt, ku mund të ndëshkoheshe, të dënoheshe apo të shkoje në varr, pse gjykonte ndryshe gjyshi apo një njeri i rrethit familjarë, duke përdorur efektin valorizues të luftës së klasave. Në këtë libër ka një statistikë të trishtueshme dhe të tmerrshme mbi mekanizmin dhe “perimetrin” e madh që kapte lufta e klasave në një familje si ajo e Mulosmanëve të Fangut të Bujanit të Tropojës.

Libri në fjalë ka një pamje të gjerësishme për çfarë ka ndodhur në Shqipërinë e kësaj kohe.

Pavarësisht se Hamite Çelaj Mulosmani ka rrëfyer për familjen e saj, ka përcjellë dhimbjet, vuajtjet, ka “vajtuar” dhe ka qëndruar si një burrneshë, informacioni që ajo na ka afruar është një marrëdhënie tjetër që lexuesit vendosin me librin dhe historinë e saj.

Përmes një sinqeriteti të nevojshëm, i cili siç kuptohet shkon në respekt të historisë së saj familjare, krijimi me titull “Jeta ime”, duket se krijon një përjetim të vërtetë të lexuesit me të gjithë librin, gjithë historitë që libri sjell në të gjithë rrethin e gjerë të njohurve të saj. Në këtë pjesë, duket se ka një regjistër, ku shfaqen burrat, ngjarjet, fëmijët, djemtë, motrat, të parët dhe vendlindja e saj.

Ajo adhuron babain e saj, siç adhurohet një perëndi, dhe duke qenë e tillë, ai ka mbetur një nga ekuilibrat e saj të përjetshëm dhe pse regjimi i Enver Hoxhës ia ka vrarë atë, (N’bjeshk të Gjarpnit,/ asht pushkatua,/ Kështu vujtjet m’kanë fillue…”) dhe pas këtij momenti, kur ajo ishte vetëm tetë vjeç, si thotë dhe vetë:” Plot’ tetë vjeç,/ jetime kam mbet./ Unë kur tetë vjet i kam ba…”, për të përfunduar bashkë me familjen nëpër kampet e internimeve në disa vende të Shqipërisë, për të mbaruar vetëm në vitet “90-të kur u rrëzua përfundimisht regjimi gjakatar.

Në jetën e saj shquan kalvari i dhimbshëm dhe i dhunshëm, sepse siç thotë ajo:”N’internim, ne na kanë çue,/ kshtu as dreqi s’kishte nij,/me u internue gra e fmi,/Ish kan’ shkrue, kështu me shkue./E me fatin me u pajtue,/ N’kamp me u rrit, me u martue…” ku përveç viktimizimit të qindra familjeve nga Veriu dhe Jugu i Shqipërisë, mekanizmi i shkatërrimit të tyre, siç duket ishte një projekt që njerëzit e partisë, sigurimit të shtetit dhe mekanizmat e tjera të kohës bënin për t’i shkatërruar strukturat e tyre familjare. Diktati i shumëfishtë, survejimi, degdisja, përndjekja, privimi nga gjërat më të nevojshme të njeriut, shkelja flagrante e të drejtës për të jetuar normalisht dhe për t’u shkolluar, përbënin përplasjen e përditshme që Hamite Çelaj Mulosmani dhe njerëzit e saj, për të cilët ajo flet në librin “Histori e Përgjakur”, duhej të përballonin për të siguruar mbijetesën nga njëra anë, por dhe për të ruajtur mbijetesën e një dere që kishte emër që herët në Tropojë dhe në Shqipëri. Ajo shkruan në rrëfimin e titulluar “Jeta ime”: ”Vuajtje pa mbarim kem kalue,/ Por s’jam trishtue, as ligshtue,/Jetën me gjoks e kam përballue,/Kryet me e ul’, kurr’ s’kam pranue,/Vegël e t’ligut. s’jam shndërrue” etj,. vargje që sjellin një informacion të jashtëzakonshëm për kohën dhe pse ajo flet për veten, por koha dhe dimensioni kombëtarë ndjehet në të.

Pavarësisht, se libri “Histori e Përgjakur”, duket si një histori familjare e shkruar në një formë dhe një stil krejtësisht të veçantë, sinqeriteti, saktësia dhe vërtetësia me të cilën ajo tregon kohën, marrëdhëniet mes njerëzve, njerëzit tipik të kohës, që nga Enver Hoxha, por dhe gjithë struktura e një shteti kriminal, që nga gjyqtarët, spiunët, operativët e sigurimit, njerëzit e propagandës, njerëzit që i kanë rrethuar apo i kanë mbajtur në kampet e internimit apo vendet e tjera të Myzeqesë me baltë, sëmundje dhe varfëri, vija e kufirit ku përgjonte vdekja nëse dyshohej se kërkon të kaloje përtej tij, përballja me administratën e një shteti të politizuar deri në detaje të vogla, të dhëna që gjenden në çdo krijim dhe rrëfim të këtij libri, ai mbetet një burim i qartë komunikimi dhe dëshmish për çka ka ndodhur. Duke mos qenë një libër i stilizuar me një ambicie estetike, por një rrëfim, i cili i shkon për shtat një gruaje fisnike, një vajze që ka mbetur jetime që në moshën tetë vjeçare, e cila gjithë jetën e më-pastajme, deri në vitin 1990 e ka kaluar në internim, e nën survejim, nën etiketimet e vrazhda të fjalorit denigrues të luftës së klasave, libri merr vlera të komunikimit njerëzorë, të kohës me kohën, të kaluarës me të sotmen, por dhe të ardhmen.

Siç dhe kuptohet, libri është shkruar mbi një grumbull të madh ngjarjesh të një familjeje dhe të kujtesës së njërës nga pjesëtaret e kësaj familjeje. Libri “Histori e Përgjakur” është ndërtuar kuptimisht mbi një metaforë të madhe, të cilën e bëjnë komunikuese horizontalisht, d.m.th e shtrijnë në marrëdhëniet me njerëzit e kohës metonimi shumë-planesh, siç janë individi për shoqërinë, familja për republikën, totalitarizmi për ideologjinë, vdekjet tragjike për diktaturën dhe metonimi të tjera literale dhe analogjike. Raporti i familjes së autores me kohën, ndërkohë janë dhe raportet e shqiptarëve po me kohën në të cilën është evidentuar ajo që shkruhet në këtë libër.

Duke ndjekur këtë rrugëtim familjarë dhe rrugëtimin e Hamite Çelaj Mulosmantit , ajo na ka sjellë një reportazh me nota të theksuara epiko- lirike për disa nga tiparet më qenësore të totalitarizmit, mjetit që ai përdori për gati 50 vjet, për të imponuar diktatin e tij mbi njerëzit, familjet e caktuara dhe shoqërinë.

Për të realizuar këtë komunikim të gjerësishëm, dedikimet e autores Hamite Çelaj Mulosmani prekin një perimetër të gjerësishëm të Familjes Mulosmani të Bujanit të Tropojës, e cila valorizon elitën e kombit shqiptarë në përgjithësi, si dhe dyert e njohura të saj, që i kishin dalë zot vendit në ditët e tij më të vështira.

Zakonisht libra të kësaj natyre, që shkruhen në vetën e parë, vlerësohen si libra me të vërteta të mëdha dhe me një tendencë monografi ke. Ky libër ka tipare monografi ke, pavarësisht stilit dhe formës me të cilin është shkruar. Por dhe pse i shkruar i gjithi nga pozitat e vetë-tregimit apo të vetë-rrëfi mit liriko- epik të Hamite Çelaj Mulosmanit, pra nga veta e parë “unë”, libri “Histori e Përgjakur” është një libër valorizues, i cili e kapërcen vetveten.

Në këtë libër kumtohet mjaft mirë përvoja shqiptare e huazuar nga praktika komuniste-diktatoriale e Stalinit në Rusi, të njohura me emrin e tmerrshëm kulakët. E kuptuar ndryshe, diktatura krijoi në shkretëtira, në thellësi të maleve, në vende tmerrësisht të vështira për të jetuar kampet e internimeve, të cilët nuk i mbyllën asnjëherë, deri në vitin 1990. Kampi i Tepelenës, ai i Beratit, dy tre vend-internimet në Lushnjë apo Fier, por dhe në disa vende të tjera të Shqipërisë, janë zbuluar si histori të tmerrshme vuajtjesh, dramash dhe tragjedish, me ngjarje të pa konceptueshme nga mendja njerëzore, ku kanë humbur jetën fëmijë, të moshuar, po ku janë dënuar pa fakt dhe pa shkak fëmijë të këtyre familjeve, sapo ata i kanë kaluar 13 a 14 vjeçët. Hamite Çelaj Mulosmani dhe familja e saj i ka njohur gjatë gjithë jetës këto mjedise të tmerrshme. Ajo shkruan në krijimin e saj me titull ”Një gjys shekulli nën kthetrat e bishës komuniste: ”… Ndry si zogu në kafaz,/ S’kishim t’drejtë me u shkollue,/ As në qytet me banue,/ Me punue vetëm në bujqësi,/ Mos me pas as tokë, as shpi,/ Me bukë barkun mos me ngi,/ …me na lanë gjithmon’ n’mjerim,/ Kamp më kamp në internim…” Është një rrëfim i tmerrshëm, që të ngjall dhimbje, revoltë dhe makth historik.

Sistemi diktatorial në Shqipëri, përveçse ishte i ashpër, i pamëshirshëm, i pabesë, i paparashikueshëm, ai ishte i shëmtuar, ishte patologjik. Pas vitit 1990, kur “dosja” e madhe e diktaturës po hapet dhe po mësohet pjesë- pjesë, çka ndodhur me disa mijëra individë, e po kështu dhe familje shqiptare, fenomeni i dhunimit të kufomave, Degdisja dhe humbja e eshtrave të të vrarëve pa gjyqe, pa arsyetim, vazhdimi i mos-rrëfimit të këtyre krimeve në mënyrë kriminale akoma dhe në ditët tona, vijon të jetë një plagë lënduese, që lidhet dhe me familjen e Hamite Çelaj Mulosmanit. Ajo shkruan në poezinë me titull ”Vrasja e major Zenun Ali Mulosmanit nga forcat komuniste”:”Gjaku yt’ e ka tha barin,/ Grueja e fmija, s’ta din varrin,/ Qeveria na ka dënue,/ n’internim n’tela rrethue,/ S’mujtëm afër më te qillue,/ me t’pa gjakun tuj t’pikue,/ me t’pa lotin tuj lotue…”, por në të vërtetë ky është një problem kombëtar. Rregjimi vrasës-barbarë nuk ka lënë asnjë dosje për një fenomen të tillë, duke bërë dënim kapital dhe për të vdekurit. Në rrëfimet e Hamites, pa vështirësinë më të vogël, gjejnë veten fatet e dhimbshme edhe qindra familje të tjera shqiptare, të cilat ndjehen të trishtuara për shkakun e pamundësisë për t’i nderuar në shenjën e vet (varrin) të zhdukurit e tyre nga diktatura.

Çështje të tjera të kohës, që libri sjell në vëmendje përmes jetës së Hamite Çelaj Mulosmanit në këtë libër, janë të shumta dhe të njohura, që nga patologjia e sistemit ndaj individit, familjes apo familjeve që konsideroheshin kundërshtarë të sistemit, mbi të cilat vepronte ligji i përndjekjes, pengesave për punë, pamundësia për t’u shkolluar, gjurmimi i rrënjës dhe lidhjes familjare, dënimi pa fakte etj. Një pjesë jo të vogël, por me një qëndrim realist, janë dhe krijimet (pjesët) që sjellin në vëmendje dhe fl asin për kohën pas diktaturës, ku koha nuk ka arritur t’i shërojë plagët e thella 45 vjeçare, të shtresës së saj nga regjimi totalitarë.

Hamite Çelaj Mulosmani është realiste, prandaj leximi i librit të saj është një arsye për të mësuar nga e kaluara dhe jeta e përditshme.

___________

Kjo është Parathënia e librit “Histori e Përgjakur” e autores Hamite Çelaj Mulosmani, botuar nga SHB “Tropoja”, Tiranë. Tetor 2020. Faqe 304.