Kombëtarja e Kosovës në futboll në muajin mars do të zhvillojë tre takime.
Në planprogram do të jetë ndeshja miqësore kundër Lituanisë, dhe dy ndeshje të vlefshme për kualifikimet për Kampionatin Botëror kundër Suedisë dhe Spanjës.
Ndeshja kundër Suedisë në “Fadil Vokrri” përfundimisht do të luhet pa shikues.
Kështu për Klan Kosova tha Eroll Salihu, sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Salihu tha se të pranishëm në stadium sipas protokollit brenda në stadium mund të hyjnë 10 persona.
“Jo nuk do te lejohen shikuesit. UEFA dhe FIFA e ka te ashtuquajturin protokoll “return to play” dhe është shumë strikt. Protokolli i lejon vetëm 10 veta, të kryesisë së Federatës. Për fat të keq kemi kërkesa edhe prej Ambasadës së Suedisë, KFOR’it, e të tjerëve, por nuk lejohen. Dënimet janë shumë të rrepta. Po ashtu, jemi në zonë të kuqe dhe duhet të kemi kujdes të shtuar. Në mars sigurisht se nuk do të lejohen”.
Ai theksoi se në muajin qershor mund të shtohen gjasat që të ketë një numër të kufizuar të shikuesve, kur “Dardanët” të luajnë ndeshje miqësore.
“Në qershor kemi ndeshje miqësore, mund të ketë numër të kufizuar të shikuesve. Në shtator fillon cikli i ri dhe shpresojmë të kemi shikues”.
Ndeshja Kosovë – Suedi luhet me datë 28 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.