Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka promovuar sot librin “Demografia e Kosovës”, nga autori Hivzi Islami. Shtypi i kësaj vepre shkencore u financua nga filantropi Lazim Destani.
Ky libër është vlerësuar lart nga akademikët, ndërsa është cilësuar si punë kolosale e autorit në zbardhjen, evidentimin, analizën, interpretimin dhe prezantimin e rezultateve në lidhje me gjendjen, trendët e faktorët që nxisin ndryshimet demografike të popullsisë.
Anëtarja e ASHAK-ut, Justina Shiroka-Pula, tha se autori Hivzi Islami në librin “Demografia e Kosovës – Evolucioni i popullsisë, migrimet, gjeopolitikat ekspacioniste serbe dhe spastrimet etnike të shqiptarëve”, me qasje shkencore, moderne dhe profesionale të bazuara në burimet relevante të kohës dhe fushës, ka sjellë risi në fushën e demografisë, ndërsa falënderoi filantropin Lazim Destani për financimin e këtij botimi.
“Akademik Islami me profesionalizmin e tij teorik, shkencor dhe përvojën praktike në këtë fushë ka bërë një punë kolosale në zbardhjen, evidentimin, analizën, interpretimin dhe prezantimin e rezultateve në lidhje me gjendjen , trendët, faktorët që nxisin ato dhe perspektiven e rrjedhës së këtyre proceseve. Prandaj, edhe në këtë libër ai sjell risi. Njëkohësisht dëshiroj të falënderoj filantropin Lazim Destanin nga Tetova, i cili financoi librin ‘Demografia e Kosovës’”, tha Shiroka-Pula.
Po ashtu edhe akademiku Anton Berisha tha se autori ka bërë një punë të madhe në fushën e demografisë.
“Autori i librit, Hivzi Islami, ka bërë një punë të madhe në zbardhjen, evidentimin, analizën, interpretimin dhe prezantimin e rrjedhave demografike, që lidhen me gjendjen, trendët, ndryshimet, faktorët që i nxisin ato dhe perspektiven e rrjedhjes së këtyre proceseve në Kosovë”, tha Berisha.
Berisha po ashtu tha se në këtë libër autori me një aparaturë shkencore, moderne, qasje profesionale e të bazuar në burime më relevante të kohës dhe fushës përthekon komponentët substancialë të rrjedhave demografike të vendit.
“Libri del të jetë aq i kompletuar, saqë e bën të dobishëm jo vetëm për studiuesit, por edhe shumë të dobishëm në kompletimin e njohjeve që lidhen me historikun e lëvizjes së popullsisë dhe gjendjen aktuale”.
Librin e vlerësoi lart edhe kreu i LDK-së dhe akademiku Isa Mustafa, i cili ishte i pranishëm në këtë provim.
“E kam vlerësuar lart përmbajtjen, bazueshmërinë shkencore dhe historike, metodologjinë e përdorur dhe kronologjinë e konkludimeve të këtij botimi. Botimi ‘Demografia e Kosovës’ prezanton aspekte shumëdimensionale të studimit të popullsisë, ndërlidhur me ekonominë dhe zhvillimin, duke trajtuar këtë edhe në rrafshin botëror, nga aspekti i qasjes së OKB-së, por edhe nga aspekti i tranzicionit demografik në Evropë’, tha Mustafa.
Në fund, Pranvera Kasami, në emër të filantropit Lazim Destani, i solli vlerësimet më të larta të filantropit në lidhje me këtë vepër.
blob:https://www.facebook.com/2a5c726b-7d02-40bc-828a-f36663596020