Ballina Kulturë Shënim për një ditar, me rastin e 40 Vjetorit / RINGJALLJE DHE...

Shënim për një ditar, me rastin e 40 Vjetorit / RINGJALLJE DHE SHENJTËRIM?!…

Në vitin 2014, mësuesi dhe intelektuali Abas Fejzullahi,  jeton në qytetin Solothurn, në Zvicër, më ofroi dorëshkrimin e “Ditarit  XhemajliBerishës, të cilit i jam shumë mirënjohës. Ky shënimi kritik, qe planifikuar për ta shoqëruar botimin e Ditarit, i cili me sa di nuk është publikuar kurrë. Sivjet mbushën plot 40 Vjet, nga ditët e mbrama kur ai kambajtur ato shënime, prandaj shfrytëzoj rastin për t’iu bërë ftesë publike Institucioneve përkatëse Shtetërore në Kosovë, Organizatave dhe individëve, për ta botuar këtë ditar, i cili është dokumenti më origjinal i asaj kohe! Natyrisht, ashtu si qe planifikuar, bashkë me këtë shënim të cilin e kam shkruar përatë ditar. (Autori Sh. D.)

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Ringjallja:

Dorëshkrimet e tilla janë të rralla, si personalitet edhe Xhemajli Berisha. Ai jetoi pak por shënoi pavdekësinë. DITARIna qartëson dramën e tij jetësore, intelektuale dhe angazhimin eTij për lirinë e Kosovës! Me nje fjale, po ringjallet kujtimi për të!…

Po vendos t’i shkruaj “KUJTIMET E MIJA”, t’i shkruaj ngjarjet ma me rëndësi të jetës sime “Ditët e mija”. Ato, ndofta skanë asnjë vlerë për të tjerët, por për mua janë interesante… e këto janë kujtime të bukura rinore, sado që në to ka edhe qaste të rënda e mërzitëse. E përse të mos i pavdekësoj pra këto kujtime që mund të më ftekin (kujtojnë) dikur një varg të gjatë vuajtjesh e brengash?. 

Kështu i ka nisur shënimet e para Xhemajli Berisha, i sigurtpër rëndësinë e këtij DITARI në njërën anë, dhe në anën tjetër ka shprehur parandjenjën për fatin tragjik që e priste. Pavarësisht nga ky induksion shpirtëror, ai ka qenë i vetëdijshëm për rrugën që ka marrë dhe për tagrin që duhej paguar.

Gjithsesi DITARI i Xhemajli Berishës, është një dokument letrar i cili sjell të paprekshme atmosferën e atyre viteve, frymëzimet e asaj kohe për të cilat brezi im i ka të përjetuara deri në thellësinë shpirtërore. Duke lexuar këto kujtime, (sidomos kur dihet edhe fati tragjik i autorit), pa mëdyshje vlera historike merr konotacione të tjera dhe rëndësia letrare e këtij DITARI bëhet si një uverturë e rrallë në librin e sotëm shqip. Dokumentet e tilla shestojnë të vërtetën e angazhimeve politike të asaj kohe, të kohës kur mbulohej me petkun e rrem të Vetëqeverisjes Socialiste në Jugosllavi, kurse shkalla e diskriminimit nga Kosova gjerë në republikën e skajshme Slloveni ishte dalluese, ashtu siç është nata dhe dita. Megjithkët,DITARI rreket me jetën e rëndomtë të një studenti i cili me besnikërinë e mundshme e ka përshkruar jetën në rrethanat e asaj kohe, sidomos dalin më në pah ambiciet e asaj gjenerate, e cila mëtonte përmes shkollimit të ndryshonin gjendjen, vërtetëtë rënduar që kishte popullësia shqiptare në Kosovë dhe në mbarë hapësirën e Jugosllavisë.

DITAR, sjell atmosferën e atyre viteve, vite këto që përgatitnin Kosovën drejt sfidave të mëdha dhe drejt një konflikti të pashmangshëm. Edhe pse autori nuk shpjegon se ishte në ndonjë grup a lëvizje, përshkrimi i ngjarjeve dhe angazhimi i tij i gjithanshëm na qojnë në një përfundim të saktëse ai ka qenë i angazhuar në të gjitha aktivitetet kulturore, si dhe në të njëjtën kohë edhe i angazhuar nëpër organizatat ilegale të asaj kohe. Jo vetëm, kaq por ndikimi prijatar lehtë do tënënkuptohet.

Pavarësisht nga përpjekja për t’i regjistruar ngjarjet sa më së saktë, përsëri disa ngjarje mbeten të amullta, shumë të tjera nuk kuptohen dhe disa të tjera vetëm janë cekur, po nuk janë shtjelluar. Kjo amulli të bënë me kuptuar se Xhemajliu ishte i vetëdijshëm për rëndësinë dhe rrezikun e këtyre shënimeve të cilat po të binin në duart e njerëzve të UDB-es, deshifrimi i kodeve dhe koncepteve do t’ishte bërë me lehtësi, kurse dëmi do të ishte kolosal.

Ndikimi i Shqipërisë ose Shqipëria si frymëzim!

Ndikimi i Shqipërisë është i paevitueshëm. Dihet se propaganda e Partisë së Punës së Shqipërisë në programin e saj ideologjik kishte edhe propagandën e cila madhëronte bëmat dhe sukseset e partisë e cila në masë të madhe ka pasur efektin e saj, duke ndikuar drejtpërdrejt tek qytetarët shqiptar me banim në Kosovë dhe gjithandej viseve të tyre në ish Jugosllavi. Ky ndikim i Shqipërisë dhe bindjet për “lulëzimin e sistemit socialist në Shqipëri”, për arritjet që i kishte Partia e Punës, për avancimin e femrës dhe për barazitë e shumta që gjoja i kishte “krijuar?!” ai sistem, përme këtyre shënimeve, na vijnë si pikëpamje të brishta, naive dhe të paprekshme, ku gjenerata të tëra do ta përjetojnë DITARIN si një dokument origjinal i asaj kohe.

Besimi i kosovarëve për jetën e lulëzuar në Shqipëri, pa mëdyshje ekzistonte në atë kohë, dhe ky koncept ishte ngulitur në kokat e asaj gjenerate e cila mendonte se vetëm përmes konceptit komunist për shoqërinë mund të realizohej aspiratae popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Sa ishte e mirë kjo doktrinë për zhvillimet politike në Kosovë, dhe si do ta lexojnë DITARIN, qytetarët e Shqipërisë Londineze është çështje më vete, por këto shënime sjellin të dhëna konkrete për mënyrën e frymëzimit dhe emancipimit të shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë.

Ta zëmë DITARI i datës 16. VIII. 1979, mban titullin “Kur do të na ngroh ai diell përtej Pashtrikut?”, (kurse të gjithë e dimë se Pashtriku është një mal që shtrihet në mes Gjakovës dhe Tropojës, kurse përtej shtrihet Shqipëria), gjë që mendohej se dielli i Shqipërisë djellonte më ndryshe, ose të paktën në atë kohë kështu mendohej. Në DITARIN e datës, 14. IX. 1979, ai ka shkruar: “Ndërsa TVT ishte si gjithnjë i preokupuar me probleme pune dhe rezultate të arritura. Kanë me se të krenohen, dhe u lumtë. Kërdi të madhe po jetojmë dhe provojmë ne “komunistët e pa inkuadruar”. Pa dyshim himnizimet për sistemin socialist në Shqipërinë komuniste, në këtë DITAR janë evidente dhe përplot patetizëm?! Megjithatë mendoj se kjo gjë nuk e zbeh përmbajtjen e DITARIT, përkundrazi, duhet të lexohet pa e shkëputur nga konteksti kohorë, sepse këto rrëfime,si do që të merren janë pasqyrë origjinale e asaj kohe dhe duhet shqyrtuar jo duke e shkëputur prej atij konteksti.

Po një himnizim i tillë patetik lexohet edhe në ditën e vdekjes së Hysni Kapos, (23 nëntor 1979), përkatësisht në ditët 25 – 26 të atij muaji, ku dallohen glorifikimet për thuaja gati të gjitha figurat komuniste të asaj kohe, duke mos e harruar as fushën e artit: “Vërtetë arti po lulëzon në Shqipëri, mandej edhe artist të shquar po lindin dita më ditë”, (E premte, 3. X. 1980).

Pa dyshim, himnizime të kësaj natyre kemi me bollëk, pasi ato arritje i proklamonte televizioni dhe radioja. Ajo propagandëbesohej e përjetohej thellë, duke menduar se ai rend shoqëror në RPSSH, ishte i përkryer?! Këto gjëra që i theksuam, nuk janë vërejtje, ishte një ilustrim, kur dihet se ndikimi ideologjik në atë kohë ka qenë i pa shmangshëm.

Komunizmi si ideologji!

Xhemajliu ishte Njeri i asaj kohe, edhe ai të kaluarën e shihte të shëmtuar dhe madhëronte të arriturat e sistemit socialist në Shqipërinë komuniste, e cila si ideologji hasej kudo në libra, në radio e televizion, në teatër e familje, duke luajtur një ndikim të fuqishëm. Madje edhe pikëpamja komuniste për t’u çliruar ka qenë doktrinë e shndërruar në ideologji, këtë e shpreh edhe Xhemajliu në DITAR duke thënë se “Stalini si vazhdues i rrugës marksiste. Sidomos komunist i vërtetë është treguar lidhur me barazinë e kombëtare, e kjo shumicës së popujve zaptues nuk u konvenon”, (17. 04. 1979).

Në këtë plan e gjejmë tërë terminologjinë e kohës, pikëpamjet e sistemit komunist për borgjezinë, për kapitalizmin dhe për shumë fenomene të tjera, të cilat ishin rekuizitë e asaj kohe. Nga ky prizëm DITARI sjell elemente origjinale, dhe bënë një trajtim real të koncepteve, kuptohet për kohën që po flasim.

Ky koncept që theksuam më lart, shihet edhe në trajtimin e zhvillimeve globale, siç ishte rasti i Palestinës, ku bota komuniste, veçmas Jugosllavia shprehte një solidarizim në përpjekjen e saj për çlirim. Po nga ky prizëm shihej edhe bota kapitaliste, që d.m.th. çdo gjë është parë me syzet e errëta të PPSH-së. Ja si e përshkruan në një rast botën kapitaliste: “Fjalë që në vetvete shpreh padrejtësi, shfrytëzim, tallje eksploatim, shtypje, varfërim i shumicës, padrejtësi, keqpërdorim, krime të turpshme”, (E premte, 12. IX. 1980).

Ndikimi i profesorëve!

“Nisia që zhvillohej ishte shumë interesante pasi që na përkiste pikërisht neve, popullit shqiptar që është përbuzur nga borgjezia serbomadhe”, (E mërkurë, 9. V. 1979). Po ashtu “gazda Muhamet”, kuptohet është fjala për një intelektual të formuar dhe me pikëpamje përparimtare, me të cilin Xhemajli Berisha bënte shpesh debate. Veçmas bie në sy ndikimi i profesorëve nga Shqipëria, pasi në atë kohë, çdo gjë që vinte nga atje, pranohej e shenjtë dhe tejet e përkryer. Këtë e dëshmon e dhëna se aty ku ligjëronin profesorët e atjeshëm sallat ishin përplot, madje edhe me student nga katedrat tjera. Profesorëtpriteshin me duartrokitje, kurse studentët ngriheshin në këmbë për ta nderuar ligjëruesin në fjalë, gjë që bie ndesh me mentalitetin pedagogjik që haset në Evropën perëndimore, ku studentët nuk lëvizin nga vendi me rastin e hyrjes së profesorit në sallë.

Xhemajliu në shënimet e tij bënë vlerësime pozitive edhe për profesorët tjerë për të cilët ai do të shprehet: Profa meriton çdo lëvdatë, ligjëronte rrjedhshëm, e zotëronte lëndën etj.: “Vajta në ligjërata të analizës së bilancit. Edhe pse është nga lëndët më të vështira, profesori e bënë lëndën shumë të thjeshtë. Vërtetë është pedagog e jo llafe“, (E enjte, 16. X. 1980). Po ashtu në DITARgjejmë edhe vlerësime të kundërta: “Nga ora 15:00 vajta në ligjërata të planifikimit. Lëndë shumë e rëndësishme, por kush të shpjegoj se? Vërtetë krime po bëhen në çdo lëmi. Ai burri ibotës merr rrogë, ndoshta edhe në raport 6 e më shumë sepunëtori. Thonë mandej u lodhëm së punuari”, (E mërkurë, 22.X. 1980.

Citatet dhe mendime me vlerë:

Vlerë tjetër, bile mjaftë specifike e këtij DITARI, janë citatet e shumta dhe mendime të tjera. Ai në gjysmën e parë të vitit 1979, shënimet e ditës zakonisht i ka mbyllur me ndonjë citat të personaliteteve të shquara botërore, po aty këtu ka edhe aso të personaliteteve të njohura kombëtare. Më pas ky vullnet i autorit vjen duke u zbehur. Me kalimin e kohës, (jo në formë citatesh), por nëpër shënimet e tij të shumta, ka mendime e mesazhe, (të cilat mund të nxirren dhe të përdorën si citate), që dëshmojnë semendimi i tij politik, filozofik e kulturor, dita ditës avancohej dhe bëhej sa interesant po aq me vlerë. Ta zëmë: “Sa interesant është psikologjia e njeriut: Gjithnjë në ndryshim, përherë në lëvizje”. “Vetëm kujtimet mund të bashkohen”, (22 shkurt 1979). “Koha kalon duke bartur me vete edhe neve që na shpie drejtë së ardhmes”, (23 shkurt 1979). “E vërtetë është se sa më shumë që të pengohet veprimi nga një qëllim, interesimi shtohet edhe më tepër për atë qëllim që të mbërrihet me çdo kusht”, (E enjte, 6. XII. 1979). “Çudi me disa njerëz, dinë shumë pak, kurse për të folur slënë lami pa i futur hundët”, (E shtunë, 23.VIII. 1980). “I pabesi, i lig e kusar, është ngjitur aq lart dhe u bë kryetar”, po a thua nuk vlen edhe për ditët tona kjo thënie, ka shkruar vet autori në kohën e tij, në DITARIN e tij?! “Jo nuk është vetëm shkolla e rregullt ku njeriu kishte me u pajis me njohuri të ndryshme. Për më tepër jeta është ajo që na mëson gjërat më të ndryshme”, (E premte, 12. IX. 1980). “Çuditem me aftësitë e njeriut. Kurë ndodhet në rrezik bëhet më i fortë dhe i patundshëm”, (E enjte, 25. IX. 1980). “Po skalove nëpër kopsht, ske për ta shijuar aromën e luleve. Po stë theri zemrën ndonjë shikim i ndonjë vashe ske për të kuptuar çdo të thotë fjala: dashuri”, (E hënë, 1. XII. 1980).

Pa dyshim në këtë DITAR, ka mundësi të nxirren edhe shumëmendime, citate e thëne me vlerë. Po ashtu për ndonjë ngjarje kronologjike të asaj kohe. Ta zëmë kur paska vdekur Ismet Gusia e Eqrem Çabej, kur paska ndodhur tërmeti në Ulqin osedridhja e tokës në Prishtinë etj. Po ashtu ka informacione të shumta edhe për shfaqje filmash a për një ngjarje në teatër, një artikull në gazetë, një ligjëratë me interes, një ndodhi në fakultet, një flirt, një udhëtim për Prizren, një grindje e shumë ngjarje të tjera që e përplotësoj DITARIN edhe në aspekt të tjera, duke e bërë veprën më joshëse dhe më të kompletuar.

Thjeshtësia, monotonia dhe vlera:

Gjithsesi itinerari i tij është sa monoton në dukje të parë, po aq përmbajtjesor është në esencë. Ndoshta për gjeneratën e internetit dhe telefonave celularë do të dukej kjo gjë sikur të kishte ndodhur shekuj më parë, por jo ashtu, pasi të gjitha ngjarjet kanë ndodhur diku para katër dekadash. Jo vetëm sa për krahasimin e zhvillimit të teknologjisë informative, por për të parë se si janë lënë takimet, sa kanë zgjatur pritjet, pikat e takimit e kështu me radhë është mirë për t’u lexuar, sepse DITARI edhe në këtë plan është një kronikë mjaft interesante, d.m.th. është i mbushur me shënime të thjeshta për ngjarje të rëndomta por që bëjnë një vlerë më vete.

Vizitat kulturë e kohës:

Janë interesante vizitat tek të njohurit dhe familjarët që shprehin kulturë, respekt dhe një lloj identiteti. Por si do ta merrbrezi i ri, mendja e të cilëve, jo pak, nuk do t’ua përthekojë atë mentalitet, atë kohë!… Në një rast ai shkruan: Sikur të mos janë vizitat, njeriu do të kishte vështirë jetën”, (E shtunë, 9. II. 1980).Respekti për nënën vë në spikamë dashurinë etij për të: “I përgatita plaçkat dhe u përshëndeta me nënën. Ajo nuk mundi pa i lagur qepallat me lot. Ishte vetëm. E dija se do të mërzitej edhe më tej, por çfarë ti bëja. Aty tek porta u përshëndeta edhe me bacën Haxhi dhe mora udhën për në Prizren”, (E hënë, 1.IX. 1980).

Edhe për motrat ai kishte të njetin repsket. Këtë e dëshmojnë shënimet e datës 3. XI. 1979, ku ka përshkruar një bisedë me motrat e tij, bisedë kjo që plotëson edhe më tej virtytin e tij në raport me të tjerët: “U zgjova më vonë se sa në Prishtinë dhe pas mëngjesit fillova të mësoj. Sidomos disa detyra statistikore i ushtrova mjaft mirë. Për pushim dola në dhomën e ndejës ku ishin edhe dy motrat e mija të cilat dëshironin që të bisedonin shumë me mua. Ato si herëve tjera ashtu edhe këtë hereshprehën dëshirën që sa më parë të fejohesha dhe mandej edhe për dasmë kishin mjaft dëshirë. Unë i dëgjoja dhe më qeshej me to. E madhja thoshte të martohesha me të shkolluar ndërsa e vogla ngulte këmbë për të pashkolluar”, (E shtunë, 3. XI. 1979).

Situatat e papërshtatshme dhe ato konfliktuoze:

Xhemajliu duket se ka qenë një tip paksa temperament dhe nganjëherë konfliktuoz. Këto fenomene aty këtu ndeshen në DITARIN e tij, në të shumtën e rasteve ai pendohet dhe shpreh ndjesi, por shpeshherë ka qenë i vendosur në qëndrimet e tij duke mos u penduar fare për gjendjen e krijuar. “Në sallë disi në mënyrë jo të nxitshme i cakërrova fjalët me Isniun e për hiq gjë. S’munda ta duroja mendjemadhësinë e tij”, (Data, 30. 03. 1979). “Shkuam në mensë dhe si zakonisht filluam të prisnim në radhë. Erdhi edhe Bekriu dhe filloi të më kërkonte falje nga ajo që kishte ndodhur mbrëmë”, (E mërkurë, 9. IV. 1980). “Dikur më vonë erdhi dhe Halimi e mbas tij edhe Bekriu, që tashmë i kishte kaluar hidhërimi”, (5. III. 1981).

Ai ishte një karakter që nuk e ka duruar padrejtësinë, këtë mund ta shpjegoj ky rast? “Filluan të na shpërndanin nga një detyrë. Një gjë që smë pëlqeu që në fillim ishte ajo se aty ndodhej edhe një prof. serb i cili kinse ndihmonte profën tonë. Në bredhjet e tij nëpër amfiteatër i shkoi përdore që të hetonte disa student kinse duke kopjuar dhe menjëherë ua merrte detyrat. Ky gjest i tij më therte në zemër gjë që më vonë pezmi arriti kulmin. S’munda të përmbahesha dhe shpërtheva si vullkan duke derdhur vrerin: „Mjaft kanë qëndruar mbi kokë si skifter – s’është më koha e Rankoviqit“- këto fjalë ia shqiptova me nervozitet profes i cili në fillim u tronditë e pastaj mblodhi vetën dhe më lejoj që të dilja jashtë duke përgjysmuar detyrat…”, (Data, 1 prill 1979).

Ka edhe raste të tjera të shpeshta, të shumta, që shprehin këtë temperament, që shprehin pendimin dhe nxitimin e tij për hiçgjë”, siç shprehej edhe vet ai, (1. 11. 1979). Në një rast një konflikt tjetër e përshkruan ndodhinë kështu: “Ndërkohë vajta ta dërgoja vërtetimin për kredi por u zura për hiçgjë me nëpunësen. Vetëm pse e quajta “Teze“ dhe vërtetë nuk ishte edhe aq e re”, (E martë, 14. X. 1980). Por Xhemajliu edhe për këso rastesh ka shprehur një humor të hollë dhe mjaftë të pranueshëm: “Unë i inatosur nga sjelljet e tij që i kishte marrë trakat natën e kaluar, nuk ia dhashë, mandej puna vajti gjer aty sa që u deshtë që të kapërthenim pakë edhe fizikisht”, (E premte, 6. VI. 1980).

Dallavere, falsifikime dhe veprime mbresëlënëse

Jeta studentore, aranzhimet e tyre, sistemimi, planifikimi dhe mirëmbajtja e dhomave, rrobave të trupit, frizurave të cilave iu ka kushtuar kujdes, marrja e pozave, kontaktet, vizitat nëpër dhoma, loja me letra e me shah, dëgjimi i muzikës e deri tek shpërndarja e literaturës pak a shumë e ndaluar, si dhe shumë e shumë gjëra që e kanë bërë atë jetë ashtu siç ka qenë, janë një uverturë tjetër mjaftë interesante e cila si kujtime shumkë do takthen në atë kohë që tashmë është edhe e harruar. Por, vërtetimet, falsifikimet, kryerja e shërbimeve administrative e shumë gjëra të karakterit human për shokë e të njohur e bëjnë edhe më të kompletuar portretin njerëzor të Xhemajliut. “Ardhja e Beqës ka rëndësi pasi që ma dha vërtetimin e tij për të rregulluar pasaportën. Dhe një mend e rregullova përmes uthullës dhe bardhës e cila ishte efikas për të shlyer gjurmët e lapsit kimik”, (E hënë, 9. VII. 1979), ose në një rast të ngjashëm në sigurimin e dhomës në konvikt ai ka shkruar: “mandej unë me dallavere pa vonuar shumë kohë e rregullova edhe këtë punë kaq të mërzitshme dhe të koklavitur… dhe vajta ta shikoja dhomën. Ishte e mirë. Mandej edhe nxehësja ishte për mrekulli”,(E enjte, 9. X. 1980).

Në një fletë DITARI lexojmë këtë titull: “LOJË INTERESANTE DHE E DOBISHME”, në të cilën shkruan: “Fjalë pas fjale ato vunë bast se kush pranonte të dilte tek shitorja në qoshe të rrugës dhe të fshinte këpucë. Ximi, Qenani dhe Mesuti venë në bast që, ai që pranonte kishte dhuratë nga katërmijë din. Unë i mora brushat dhe ngjyrën dhe fillova nga puna. Shumë kalimtar shkoqeshin së qeshuri. Mandej u ktheva në banesë. Desha tua kthej parat por ata nuk i morën. Atëherë vajta dhe i bleva dy kg. banane dhe katër qese tambël.”, (E hënë, 7. V. 1979). Edhe një shënim tjetër mjaft interesant?!

DEKLAROJ:

Nga data e sodit betohem se nuk do të thithi,

mandej as edhe një cigare.

Deklarata u përshkrua – 4:OO.

Ps. Pason nënshkrimi.

(E premte, 26. IX. 1980).

 

Pavarësisht kësaj deklarate, më vonë ky betim është thyer,sepse më datën 17. XI. 1980, do të gjejmë këtë shënim: “Mjaftë jam i dëshpëruar dhe mësimi nuk më mësohet. Ma kënda vetëm të thithi duhan”. Edhe një rast tjetër: “Ndalohem tek një kioskëdhe mbasi që mora një pako cigare eci me ombrellë në dorë”,(E hënë, 22. XII. 1980), etj. etj.

Qëndrimi ndaj fesë dhe patriarkalizmi:

Një dukuri që del në pah është qëndrimi ndaj fesë dhe dukurive të tjera primitive të cilat në atë kohë luftoheshin nga shtresa e re që po shkollohej dhe emancipohej. Pastaj bëhej përpjekje për shkollimin dhe emancipimin e femrës. Bisedat në ndeja, në ceremonitë fetare e mortore, në rrugë e autobus, kudo e ku jo, ishte një përpjekje për t’i ndryshuar botëkuptimet, për jetën dhe shoqërinë. Pastaj vizitat tek të afërmit, pra musafirllëku ka qenë formë tradicionale e kohës. Të gjitha këto elemente e plotësojnë këtë DITAR, duke e bërë mendimin pedagogjik të Xhemajliut edhe më të avancuar.

Në DITAR, Xhemajliu mjaftë shpesh flet për dukurit patriarkale siç ishin fejesat e hershme, vrasjet dhe hakmarrjet të cilat janë kundruar si fenomene regresive që shoqërinë e pengonin, prandaj ai vazhdimisht është preokupuar me këtë problematikë: “Pas darke biseda erdhi e u bë më e gjallë, pasi që erdhi edhe Hoxha i fshatit aq keq ram në konflikt sa që ende pa u bërë ora 21:00, ai i mblodhi çaklat dhe iku së bashku me disa fetar të tjerë”, (E diel, 29. IV. 1979), ose një rast tjetër: “ndodhej hoxha i kapardisur si biban... Të tjerët me respekt luanin nga vendi sa here që ai përmendte emrin e pejgamberit apo të vet Zotit. Më vrau thellë në shpirt një gjest i tillë, një bisedë e tillë. Gjaku mu ngrit, por arsyeja e pandehu vullnetin. Ishte vendi për heshtje”, (E martë, 7. X. 1980).

Parandjenja dhe shprehjet meditative:

Parandjenja, është një fenomen tjetër i cili ndeshet kudo dhe kahdo në këtë DITAR. Ai ka pasur mjaftë shtrëngimeshpirtërore dhe dilema për të shpërthyer, dukuri këto që manifestohen nga dita në ditë, ose nga stina në stinë, veçmas në gjysmën e dytë të vitit 1980, dhe në muajt e parë të vitit 1981.“Të gjithë pinin. Secili kishte arsye se pse pinte. Disa nga gëzimi e të tjerët nga ndonjë hidhërim. E unë, unë përse pi? E di se unë sbëj pjesë as në grupin e parë as të fundit”, (E premte,11. V. 1979). Sdi pra! Por di se ku ka rrokaqiej, ka edhe kasolle, ku ka burokrat, ka varfanjak, lypsar të shtypur. Pra ka diferenca, eksploatim, thithje gjaku, luftë, divergjenca, mendjemadhësi e degjenerim. Vallë kështu mbërrihetkomunizmi? A kësaj na i themi vetëqeverisje?”, (E diel, 1. VII.1979).

Ngjarjet janë parë nga prizmi i kohës dhe janë interpretuar ashtu siç i kultivonte ajo kohë, duke parë negativisht gjërat në Kosovë dhe duke himnizuar Shqipërinë, komunizmin. Si rezultat i kësaj ka qenë një urrejtje e madhe për botën perëndimore dhe kapitalizmin si sistem.

Në këtë vazhdë të qasjeve lexohet një gjendje me ngarkesa mjaftë të dukshme. E këtë e ndeshim edhe në DITARIN e datës 11 qershor 1980, ku ka shkruar se “të jetosh shumica e mendimtarëve pohojnë si të luftosh. Pra është një aktivitet i njeriut ndaj botës që e rrethon, si dhe ndaj një bote që nuk shihet por që është më e gjerë se sa ajo që na rrethon... Shumë gjëra që ndodhin, vështirë ti kuptoj mandej dhe sikur tua zëkuptimin prapësepra çtë duhet kur, kur nuk mund njeriu tiu kundërvihet. Sdua të jem pesimist, por pa mendua spo mund të duroj. E nëse sado pakë thellohem në ndonjë problematikë, padyshim se do të ndodhem në pozitë kritike“.

Ajo gjendje për të dukej e pa shpresë ose ai kishte hyrë ne vorbullën e veprimit ilegal, e që nënkuptohet në vazhdimin e DITARIT po të të njëjtës ditë: Po çfitova unë nga jeta që e jetova gjerë në këto vite? Apo pse mundohem të lë gjurmë nëpër rërën e pafund, kur jam i bindur se ato medoemos, jo fortë largdo ti humbas ndonjë furtunë. Apo ku ndodhën gjurmët e paraardhësve të mi?”, (E mërkurë, 11. VI. 1980). I kësaj natyre është edhe shënimi në ditët vijuese: Thonë ka ZOT! I falëm nëse ndodhet ndokund. Por nëse do të ekziston me të vërtetë dhe (që është ashtu i drejt) i shef të bërat, padyshim do të pëlciste nga padrejtësia”, (E martë, 8. VII. 1980).

Lirika poetike:

Udhëtimi për në Prizren, sidomos mënyra se si e përshkruan qytetin e lashtë të japin për të kuptuar shpirtin lirik dhe mjaft poetik të Xhemajliut. Këso përshkrime rreth natyrës vijnë aty këtu si inspirime rasti e çasti. Këso detajesh kemi me bollëk, por ia vlen ta veçojmë një ngjarje që ka ndodhur në qendrën e studentëve: Jetë, gjallërim vlon në këto ditë. E sidomos atmosfera madhështore është mbrëmja në mensë ku vlojnë student dhe studente të çdo profili. Është vërtetë kënaqësi e pashpjegueshme për njeriun që ndodhet në atë ambient. Sa e ëmbël dhe komplikuar por e domosdoshme dhe reale”, (E premte, 19. X. 1979).

Poezitë e Xhemajli Berishës qesin në pah shpirtin lirik, janë të përjetuara dhe kanë vlerë. Po kështu mund të radhiten edhe poezitë satirike të cilat janë krijime të realizuara mirë, ndërsa poezia ideologjike është e krijuar disi dhunshëm. Kjo na bënë për të kuptuar për shpirtin e dëlirë që kishe ai.

Xhemajliu, ishte student aktiv dhe gjatë asaj kohe i janë publikuar mjaftë shkrime. Madje ka qenë traditë e kohës, kulturë më vete, leximi, analiza dhe komentimi i poezive dhe teksteve letrare, e këtë gjë e dëshmon edhe ai vet në DITARIN e 29 qershorit 1979, ku shkruan: “Mandej filluam t’i analizonim disa poezi që ishin të botuara”, ndërsa Tribuna që kishte dal nga fakulteti juridik. Kishte disa krijues të ri me disa krijime që menjëherë të bënin përshtypje se ende ishim të papjekura. Në te edhe unë e kisha një poezi: “Përjetësia” dhe një humoreskëHallet e Sylës, (E mërkurë, 25. IV. 1979).

Modestia dhe dashuria:

Modestia e Xhemajli Berishës mund të shihet e trajtohet nga shumë pamje, qoftë gjatë krijimit ku në asnjë rast punën e vet nuk e cilëson të përkryer, po aq në biseda me shokë. Në veprime askund nuk dihet roli i tij prijës, ky rol mund të nënkuptohet. Po ashtu kur shkruan për provimet ka një lloj modestie, ta zëmë kur është rrëzuar në provim dihet qartë se nuk ka arritur ta jap provimin por kur ka kaluar ose e gjejmë “u përgjigja pozitivisht”, “isha në mesin e shokëve”, “edhe emri im ishte i publikuar”. Por, në të shumtën e rasteve dihet dita dhe koha e hyrjes në provim, por jo edhe rezultati. Aimund të nënkuptohetkur e urojnë, ose kur shkruan se u gëzua dikush, edhe atë në formë të nëntekst në ditët vijuese e në ngjarje të tjera. Në dy tre raste ka shkruar ja me këtë provim e fitova kushtin për ta regjistruar semestrin vijues e kështu me radhe. Xhemajliu ishtekomunikativ, i dashur dhe shoqërohej shumë.

Flirtet:

Nga DITARI duket se Xhemajliu si student ka pas kontakte të shumta me femra, nganjëherë sikur lihet përshtypja se ka qenë specialist i kësaj fushe, një aventurier i rangut të lartë, por nëse gjërat shikohen më me kujdes do të duket sikur janë lojë fjalësh,sa për t’u justifikuar, sa për t’u maskuar në veprimet e tij patriotike të cilat përgjoheshin se sa të një aventurieri.

Jo pak fletë, janë të mbushur me këso detaje që krijojnë përshtypjen se ai ka qenë i vetëdijshëm për këto shënime se mund të përfundojnë në polici, prandaj duket ky lloj flirti më shumë ka qenë për t’u maskuar se sa një prirje e avancuar në këtë drejtim, megjithatë ne po i sjellim disa detaje të cilat si përshkrime janë mjaftë interesante: “E prita gjersa darkoj e mandej fillova ta joshi me fjalë. Pritje dhe asnjë tjetër”, (E premte, 22. II. 1980). “Bahtjari ndenji  bibliotekë ndërsa unë me të dy cucat dola në qytet ku ndenjëm disa orë duke biseduar gjëra të ndryshme”, (E hënë, 10. III. 1980). “Unë u bishtnoj dhe nisem nga një drejtim me Hanifen. Me padurim pres se çdo të më thoshte ajo. I hymë bisedës, ajo priste një rast të tillë dhe si më parë ishte e të njëjtit mendim. I tregova për të gjitha dhe më në fund u përshëndetëm me një shtrëngim duarsh të flakta”, (E martë, 25. III. 1980), Erdhi edhe momenti i dëshiruar, kur para meje kaloj vasha me flokë të dredhura. Iu afrova me butësi dhe sjellje të kulturuar. Ftohtë më shpoi shikimii ashpër”, (E martë, 6. V. 1980). “Aty u takova me Ximin e mandej pas drekimit së bashku me te shkuam me i shoqëruar pejanet gjerë në afërsi të grandit”, (E premte, 17. X. 1980). “u kthyem në mensë. Tollovia si zakonisht ishte mjaftë e madhe mirëpo pritja sot më dukej jo fortë e gjatë. Pas darke e kërkova Ajshën dhe me te zhvilluam një bisedë mjaftë të gjatë. Por ajo si e ndrojtur, e po sigurisht me forcat e veta, po e vërej se ka një lloj përtese, mirëpo filli gjithnjë është i tillë”, (E mërkurë, 12.XI. 1980).

Në këtë kapitull flirtimesh të shumta lindin mjaftë dilema nëse këto janë tamam takime reale apo ngjarje imagjinare?! Nënjë shënimi të datës 22. XII. 1980, duket sikur flirti ka qenë vetëm rekuizitë për t’u maskuar në veprimet e tij ilegale pasidisa shprehje figurative lënë për të dyshuar: “E mbrëmja erdhi e bardhë. Dëbora e kishte stolisur bukur shumë. Edhe inspirimi për dashuriçka… Sheshazi vetëm dëshirat… Dimër i vërtet”.

Unë megjithatë s’kisha mundësi të dilja ndokund verës, gjithnjë mendoja në plagën e zemrës dhe në vajzën që shumë e desha. Kështu e ka kjo jetë. Shpesh takohesha me te por vetëmme rastsime, tjetër mundësi nuk kisha. Ajo kishte pësuar “fiasko” në studime. Rastësisht u takova më 12 shkurt të 79. Udhëtuam gjerë në Prizren nga Prishtina, por dëshira mbeti e pa thënë. Sidomos heshtja e saj më tërbonte fare... Ajo fare mirëe dinte që e dashuroja, prandaj përse heshtte? U detyrova të shkruaj edhe në “rin e rinisë“ për këtë. Punimi ishte vështirë ta lëkundin edhe megjithatë arsyetohej me të mëdha. Mendova të lëshoj pe. Fatin ta kërkoj tek ndonjë tjetër, edhe pse veproja kundër vullnetit të zemrës. Rrugëdalje tjetër skishte. Dhe vërtetë e gjeta. Mandej shumë më të qëlluar se e para”.

“Kaluan tre vite. Ajo ishte e fejuar. Shpesh më kujtonte fundin e kësaj loje që unë as dëshiroja ta mësoj. Shpejt e kuptova se kjo lidhje që unë e pata quajtur dashuri nuk ishteveçse ndjenja interesi. Ajo me mua u lidh jo se më dashuronte, krahasuar me të fejuarin e vet, isha më i favorizuar. Erdhi edhe momenti kur dashuria duhej provuar. E hetova se më kishte gënjyer dhe dalëngadalë u stepa. U ndamë. Ajo u martua me të fejuarin, ndërsa unë vazhdova jetën si më parë në vetmi. Vështirë qenka të gjesh shoqe të jetës, të zemrës dhe të besës. Sido që të jetë kurrë nuk do të pranoj të lidh fatin me ndonjërënqë nuk e dua”.

Edhe në këtë plan, arsyeja dhe kërkim falja kanë qenë edhe edukatë edhe kulturë e Xhemajliut, pas një incidenti më 24. I.1981, të nesërmen e lexojmë këtë shënim: “U zgjova me vonesë, ndërsa sytë i kisha të ënjtur nga pagjumësia. Vajta të kërkoja të falur por nuk munda. Menjëherë kur më pa u qel në fytyrë. U gëzua. Edhe unë i buzëqesha por zemra më rënkonte. U ndamëme shpresë se do takoheshim sërish të nesërmen, (E diel, 25. I.1981).

Lodhjet, mungesat dhe provimet:

Nga ndejat e gjata, nga takimet e shumta, qoftë duke biseduar “për gjëra të rëndësishme?!”, qoftë duke luajtur a gjë tjetër,Xhemajliu shumë orë mësimi nuk i ka mbajtur: “Kohëve të fundit nga pagjumësia që po fle më vonë edhe gjumi po më del më vonë. Gjithë ligjëratat e grupit të parë spo mundem kurrsesi me i dëgjua”, (E shtunë, 21. IV. 1979).

Duke lexuar me vëmendje këtë DITAR, krijohet përshtypja se ai studimet i ka nis vetëm sa për t’u justifikuar se është duke studiuar, në mënyrë që t’i vazhdoj aktivitetet e tija. Të gjitha angazhimet e tij politike, gjatë gjithë kohës, kanë qenë në plan të parë, studimet në të dytin, për të mos thënë në rend të fundit. Por, kur të kuptohet se dëshirë e tij ka qenë për të studiuar mjekësinë, gjë që aty nuk e kanë pranuar, e më pas ai e ka regjistruar njëkohësisht fakultetin ekonomik dhe atë juridik, ndërsa nga shënimet kuptohet se ka vazhduar në ekonomik, ndonëse ëndërr e tij ka mbetur studimi i gjuhë dhe letërsi shqipe, pasi letërsinë e kishte pasion.

Xhemajliu ka qenë një personalitet me ambicie të mëdha dhe ka poseduar kulturë universale, për brezin e tij tejet i veçantë. Ai ka qenë i angazhuar (në planin politik), më shumë se kushdo tjetër: “Ka disa ditë që në zemër më vlon diç dhe njëherit edhe kokën nuk e kam të qetë. Diç po më mundon, këtë unë e di fare mirë, por nuk kam forcë që të bëjë ballë dhe të dal nga kjo rrugë e cila fundin e ka shumë të pa qartë. Eh si është edhe kjo krijesë e quajtur Njeri: përplot dëshira dhe vetëm dëshira. E si mund të i plotësojë të gjitha ato që kërkohen, kur të shumtën e rasteve varën nga vullneti i tjetrit?” ose po aty “Disponimet janë shumë të rëndësishme e që mua po më lajmërohen të nduarduershme. Vizita ime në qytet shumë më disponoi dhe më largoi nga disa mendime që ndoshta janë shumë të rrezikshme”, (E hënë, 6. VIII. 1979).

Nga agjendat e shumta të takimeve dhe vizitave, atij iu ka reflektuar edhe në mësime, por se ishte shumë i angazhuar duket përgjatë tërë DITARIT, ku prioritet iu ka dhënë aktiviteteve. “Nga ora 14:00 edhe unë u përgjigja dhe e dhashë të vetmin provim të vitit të parë”, (E hënë, 23. IV. 1979). “Profesori na shpërndau nga një detyrë. Filluam nga puna. Që mendimet e para e pashë se nuk mund ti zgjidhja andaj pas pak u ngrita dhe dola jashtë. Shëndosh për shtator”, (E shtunë, 2. VI. 1979).Në një rast tjetër shkruan: “Për të mësuar sistematikisht, kam vazhduar e besoj se ndoshta edhe rezultati nuk do të mungoi. Se për ndryshe skam si arsyetohem. Punë tjetër nuk jam duke zënë me dorë, kjo edhe po më brenë, por sdi si tia bëjë. Më vjen keq për prindërit, se për ndryshe aq më bënë”, (E mërkurë, 8. VIII. 1979).

Padyshim, nga shënimet e këtij DITARI, kuptohet se Xhemajliu, ka qenë një tip i veçantë, i arsyeshëm të cilin e kanë preokupuar edhe gjërat më të imta. Ai ka qenë i dashur dhe mjaftë i arsyeshëm edhe në raport me familjen, prandaj në të njëjtën kohë bënte aktivitet politik dhe ka arritur në afat optimal t’i kryej edhe provimet. “Ndenjëm pak e mandej ata u ngritën ndërsa unë fillova të mësoj, pa pretendim që ta mbaja çuranin natën e bajramit, (E shtunë, 10. XI. 1979), ose kur përfunduam nxora një konkludim se ende nuk ishte përvetësuar lënda sa duhet, por sidoqoftë, fati duhej provuar, (E shtunë, 17. XI. 1979).

Sipas këtyre shënimeve, kushtin për të regjistruar vitin e dytë e ka fituar tek në afatin e tetorit, por kjo gjendje te Xhemajliu nuk ka ndryshuar edhe më vonë, edhe në afatet tjera. E, për njëgjendje të komplikuar dhe për mungesë disponimi për të mësuar na qartëson një fragment të cilin po e citojmë: “gjërat e vështira mësohen vetëm atëherë kur ndodhesh para vështirësisë. Ashtu ndodh edhe me mua: provimet i mësoj pa kurrfarë shije. Pos kur ofrohet afati atëherë ndryshojnë gjërat”, (E premte, 21. III. 1980).

Shihet se për Xhemajliun, asnjë provim, asnjë afat nuk kanë pasur prioritet karshi veprimtarisë politike, e kjo gjendje është manifestuar në mënyrë të dukshme edhe në natën e fundit para se të hynte në provim: “Po smë doli gjumi në mëngjes? Vajti dhe ky afat si ai i Qershorit” andaj “Për tu siguruar për të nesërmen e porosita një cimer të dhomës tjetër për të më zgjuar në mëngjes”, (E premte, 5. IX. 1980). E në një ditë tjetër aishkruan: “Gjumi më doli bukur herët… Sapo i tërhoqa pyetjet e dita se do të kaloja… Në fund kur i morëm indekset e pash se nota ishte pozitive”, (E shtunë, 6. IX. 1980).

Se ka pasur një rol jashtëzakonisht të madh në angazhimet politike s’ka dyshim, por në të njëjtën kohë edhe një përgjegjësi për t’i kryer provimet me rregull dhe në afat e kanë bërë dramën e tij jetësore më sfiduese: “Dikur na i shpërndau indekset. E hapa me të shpejtë dhe shikova notën kaluese. Me këtë provim efitova statusin e absolventit… Shkova në banesë dhe prej andej u ktheva për ta regjistruar semestrin”, (E hënë, 29. IX. 1980).

Jeta studentore dhe ajo kulturore:

Një kaptinë me vete, padyshim është jeta studentore, peripecitë e shumta, organizimi i sajë, përballimi i studimeve etj. Të gjitha këto ngjarje kthehen në kujtesën e lexuesit përmes këtij DITARI i cili për gjenerata e gjenerata do të rikujtohet si një ëndërr që i takon të kaluarës së harruar, prandaj DITARI ka edhe simbolikën e “ringjalljes” e cila rikthen dhe rikujton me sinqeritetin më të madh atë kohë. “Sot koha ishte mjaft e ftohtë. Dolëm të gjenim naftë por kot. Shkuam në katërsh dhe Sejdiut ia morëm nxehësen e shkuam në banesë”, (E diel, 24. II. 1980).Sipas rrëfimeve, kjo gjendje ka zgjatur shumë, mungesa e karburantit për ngrohje ka qenë shumë e theksuar, po më mirë le të lexohen fletët e datës 25, 28 të atij muaji. “Më vonë ram të flinim, pa mundur të mësonim sadopak”, (E enjte, 28. II. 1980), “por me që në banesë nuk kisha derivat dhe koha ishte shumë e ftohtë së bashku me ta shkuam në Restorant Rugova ku ndenjëm disa orë”, (E martë, 4. III. 1980), “madje edhe ishte bukur ftohtë gjë që ishte vështirë të mësoja”, (E enjte, 6. III. 1980).

Ne e kemi theksuar edhe më parë, por vizitat tek studentët, nga të njohurit dhe familjarët kanë qenë të shpeshta dhe jo rrallë të mundimshme, sepse kanë mundur t’i pengojnë për të mësuar: “Këto ditë mjaftë janë vizitat që po na i bëjnë të njohurit tanë, bile e kemi mjaftë të vështirë për të mësuar sadopak”, (E shtunë, 7. VI. 1980). “Më vonë erdhi Qerkini. Vinte nga shtëpia sepse edhe çantën e kishte me veti. U njoftuam me hallet e njëri-tjetrit. Ai ishte tepër indiferent ndaj disa rasteve. Jo mendjemadhësi por naivitet. Ai mbasi që iku sërish u kthye për të fjetur. U ngushtuam ca dhe rregulluam vend. Mirëpritnim gjithnjë! Miku pritet me çka ka. Ndenjëm deri në orët e vona”, (E hënë, 22. IX. 1980).

Jeta e studentëve varej shumë edhe nga rrethanat e sistemit pedagogjik në shkollë, përkatësisht nëpër fakultete, pasi dihet se burokracia e profesorëve dhe sistemit ka qenë mjaftë e disfavorshme për të gjithë studentët të cilët jo pak kanë bredhur pas provimeve, pas regjistrimit dhe ligjëratave të cilat jo pak janë mbajtur të shtunave dhe të dielave, duke na qitur në pah edhe një anë të sistemit burokratik që ishte ndërtuar në Kosovë,(Për më shumë krahaso DITARIN: E hënë, 23. VII. 1979).

Po ashtu Xhemajliu i përcillte me vëmendje të gjitha zhvillimet kulturore dhe lexonte shumë. Ai përveç shkrimeve, poezive dhe leximit përcillte me vëmendje seminare dhe ligjërata të caktuara që mbaheshin në Fakultetin Filologjik, e ku kanë ligjëruar profesor të caktuar për tema dhe ngjarje të veçanta: Shkuam për drekë e mandej edhe në fakultetin filozofik ku akademiku Idriz Ajeti ligjëroi një ligjëratë për Aleksandër Xhuvanin. Aty të pranishëm ishin shumë persona shoqëroro  politik. Ishte edhe përgatitje – recitimi si dhe Kori <Kolegjium Kantorium> merrte pjesë”, (E premte, 14. III. 1980), ose “pak pushova e mandej mora të lexoi nga romani i Nazmi Rrahmanit “Toka e përgjakur”, (E martë, 29. I. 1980), diku tjetër shkruan se ishte duke lexuar romanin “Gjarpinjtë e gjakut”, të disidentit të njohur Adem Demaçi, (E mërkurë, 14. V. 1980), e kështu me radhë.

Jo vetëm që mirrej me leximin, por Xhemajliu ka zhvilluar edhe debate të shumta për libra dhe konceptet të tyre. Një gjë të tillë na dëshmon biseda e tij me Bacën Muhamed, përkitazi me librin e Rexhep Qosjes “Morfologjia e një fushate”: “Pasi u kthyem nga dreka para kopshtit u ulëm me bacën Muhamed dhe filluam nga bisedat. Ai kategorikisht i kritikonte disa dukuri që jo vetëm janë manifestuar por që vazhdojnë avazin edhe në ditët e tona. Fjala rrodhi dhe rreth polemizimeve të pareshtura të letërsisë dhe atyre u dha një kritikë të merituar. Sepse çdo gjë që krijohet me një shoqëri nuk mund të jetë e tëra e pa vlerë ashtu siç e mohon Qosja”, (E shtunë, 17. V. 1980).

Përveç librit, angazhimeve politike, ndjekjeve të ligjërataveXhemajliu ka përcjell me kërshëri edhe sportin: “Ndenjëm ca e mandej u nisem për të shikuar meqin në mes të Prishtinës dhe të Kabllarit. Ndeshja  meqi ishte interesant. Në dobi të vendorëve. Aty njëherit iu dorëzuan edhe N. Gashit (Nazif) një mori mirënjohjesh dhe aparate të ndryshme nga se ai do të përshëndetej prej sot me boksin..”, (E shtunë, 12. IV. 1980).

Titujt, fletët e munguara dhe fillimet e një procesi:

Disa nga titujt e shënimeve ditore, duken se nuk janë të lidhur me ngjarjen e ditës, si diçka abstrakte, por nuk qëndron kështu, sepse duke e lexuar DITARIN me vëmendje do të vërejmë se titujt janë ndodhi e ngjarjes të cilën shkurtimisht e inkorporon pa pasur nevojë të merrej më gjatë. Ta zëmë në ditën, “E premte 12. X. 1979”, ai vë në titull „Ditëlindja e shokut Enver Hoxha“, por asnjë fjalë të vetme nuk e shkruan më në DITAR. Diku mungojnë disa fletë, jo si gabim teknik i librit por ashtu mungojnë edhe në versionin origjinal të tij, (p.sh. nga data 4 – 10 dhjetor 1980), e për fat të keq nuk dihet pse?! Ç’ndjenjë ka pas, çfarë detyre a ndonjë vështirësi tjetër?!…

Nga këto shënime, (edhe ata që nuk e kanë njohur më parë),do të mësojnë se Xhemajliu ka pasur një jetë dinamike dhemjaftë të angazhuar, ka qenë humanist dhe solidar, ai ka kryer shumë punë administrative për miq e shokë, u ka ndihmuar në përgatitje të provimeve, kollofiumeve, në shkrimin e seminareve etj. Ai, në të gjitha këto raste duket i arsyeshëm dhe i dashur, modest edhe atëherë kur prezantohej me ndonjë poezi a shkrimnëpër revista dhe gazeta të kohës.

DITARI përfundon më 23 dhjetor 1980, më pas ka një “Autobiografi e shkruar ngutas”, në të cilën thotë: “A ka gjë më të vlefshme dhe më të rëndësishme se sa kur e ke të shkruar DITARIN e jetës? Kjo pa dyshim është punë mjaft e vështirë, por e çmueshme dhe e domosdoshme është, kur në te përfshihet jeta më e vrullshme dhe më dinamike – rinia. Me këtë DITAR po e përfundoj jetën studenteske, si jetë më joshëse dhe më komplekse”.

Në këtë shënim gjejmë një shprehje elokuente e thuktë dhe përmbajtjesore. Mjaftë interesant i përshkruan rrethanat shoqërore e politike, gjendjen e vështirë sociale, flet për fëmijërinë, shkollimin e mesëm dhe kohën studenteske, duke lënë shënime origjinale dhe të vyeshme. Aty shpjegohet jeta e tij mjaftë e detajizuar që le për ti kuptuar edhe më mirë rrethanat e asaj kohe, jetën e tij, ambiciet e shumë e shumë ëndrra të pa realizuara.

Po ashtu edhe në “Shënime dhe kujtime nga jeta studentore”,janë pak a shumë shënime ekzotike, pasi siç duket veprimtaria në ilegalitet hynë në një fazë më dinamike gjë që edhe natyra e shënimeve ndryshon duke u marrë më shumë me teori e koncepte të caktuara: “Thonë se pa dëborë edhe dimri nuk vjen i bukur”, (E premte, 16. I. 1981), ose tek shënimi i datës 21 janar 1981, “Kur vullneti i kalon kufijtë”, ka një lloj përshkrimi me elemente të theksuara erotike, në pasuse të tjerë është një përshkrim më i sofistikuar dhe kjo më duket është rezultat i dinamikës së veprimit i cili kishte hyrë në një fazë të re veprimi, prandaj është thënë se “do të ndihmojmë në shpejtimin e historive”, (23. I. 1981).

Vërtetë kjo gjeneratë i ka përshpejtuar proceset të cilat lidhen edhe me fillimet e shthurjes së Jugosllavisë titiste, dhe devalvimin e titizmit si koncept i lirisë dhe barazisë për kombet dhe kombësitë.

Shtrohet pyetja nëse Xhemajli Berisha dhe brezi i tij ishin të vetëdijshëm, për sakrificën dhe për pasojat?! Këtë dilemë na e heq një mendim i tij ku shprehet: “A ka gjë më të mirë se të ecurit me hapa të sigurt drejtë ardhmërisë i lumtur, pa përfillur kurrfarë pengese?”, (E mërkurë, 28. I. 1981) ose „Dënimin më të tmerrshëm dhe më të rëndë mund të ma jepni, vetëm nëse më izolojnë dhe nuk më lënë të qetë të deklarohem”, (E enjte, 29. I. 1981).

Shfaqja e pakënaqësive politike ka qenë pjesë e vazhdueshme e aktivitetit patriotik të Xhemajli Berishës, por me kalimin e kohës këto mendime dalin më të rafinuara, më të sforcuara dheme të drejtpërdrejta, duke marrë konotacione filozofike në njërën anë, e në anën tjetër duke dëshmuar avancimin e mendimit të tij politik e filozofik: “Thënë troç, pa liri ekonomike ska liri politike. Liria nuk kërkohet as falët. Ajo fitohet me gjak”, (E shtunë, 31. I. 1981).

Veprimtaria patriotike e cila zhvillohej kryesisht në ilegalitet, (në publik aplikohej vetëm si një lloj propagande gojore), e kishte bërë platformën e vet, ajo kishte shtrirë celulat e veprimit të organizuar, qoftë përmes deklaratave e pamfleteve politike që paralajmëronin pakënaqësi të cilat mund të shpërthenin nga dita në ditë. “Dhe deklarata u firmos nga treshi”, (E hënë, 2. II. 1981), ose, Konventa ishte firmosur dhe tash kërkohet vetëm të jetësohet”, (E martë, 3. II. 1981).

Shënimet e më pasme, dhe ato të datës vijuese janë të shkruara me një gjuhë figurative dhe sofistikim mjaftë interesant. Këtë mendim e dëshmon më së miri “Letra e pa adresuar, e cila mban datën (25 shkurt 1981). Kjo letër është një dokument i rrallë, një letër origjinale e cila qoftë për përmbajtje, qoftë për drejtshkrim e bukurshkrim na bënë më të vëmendshëm në raport me shumë veti të rralla që e kanë pasur personalitetet e caktuara, në mesin e të cilëve është edhe Xhemajli Berishën. Por letra është plot alegori, sepse aq sa duket një letër intime dhe personale e shkruar me lirikë dashurie, po aq është e përgjithshme dhe politike sepse në thelb përshkruan dhe interpreton figurativisht gjendjen e rëndë dhe të pa pranueshme që mbretëronte në atë kohë dhe në ato vite në Kosovë. Situatë e cila ishte para një shpërthimi të pashmangshëm!…

Frymëzimi si ndikim dhe alegoria shprehëse…

Që nga dita e parë kur nis DITARIN e ku shprehë bindjen e tij se këto shënime do t’i shërbejnë të ardhmes, Xhemajli Berisha, vazhdimisht ka theksuar pakënaqësitë e tij me gjendjen e shqiptarëve në Kosovë dhe në mbarë hapësirën e Jugosllavisë. Këto ngjarje ai i kundron nga forma të ndryshme dhe vazhdimisht iu ka kundërvu asaj “paqes së rreme”, që proklamohej edhe nga struktura të caktuara të Lidhjes Komuniste në Kosovë dhe më gjerë.

Në këtë DITAR, ai sjell sekuenca të cilat edhe pas kaq vitesh të bëjnë për të qeshur: “Pas një gjysmë ore e lëshova radion e cila lajmëroi për vdekjen e Eduard Kardelit. Lëngonte nga sëmundja dhe më në fund! Pas darke na polli një lopë e bëri një muzat shumë të hijshëm, kurse TV transmetonte inserte nga jeta dhe veprimtaria e Kardelit”, (Data, 10 shkurt 1979).

Por ironia si shprehje nuk ka qenë vetëm në planin politik kur ka atakuar konceptet e sistemit jugosllav. Xhemajliu edhe si natyrë duket karakteristike pasi ka pasur një begraund shumë të gjerë: “Më vonë u takuam edhe me Havën. Kishte qenë në Gjermani dhe ishte pajisur me: dojç kulturë”, (E martë, 21. VIII. 1979), ndërsa në aspektet e mendimit më të avancuar ai bënë përkufizime të tillë: “Atëherë njeriu do ti ngjasonte ndonjë lloj kafshe, por të përsosur”, ose “po u ngrit ndonjë dallgë e detit të tërbuar të gjithë do të fundosen”, (E premte, 29. II. 1980).

Brumi patriotik i Xhemajli Berishës është ngjizur nga tradita kombëtare, ku mbi të është frymëzuar. Kryesisht periudha e“Rilindjes Kombëtare” ka ushtruar ndikim tek ai. Xhemajliu në shënimet e tij i ka përmendur figurat e shquara siç janë: Isa Boletini, Bajram Curri, Azem Bejta e Shote Galica etj, veprimtaria e të cilëve pa dyshim ka ndikuar në frymëzimin e tij patriotik. Në këtë plan, (siç e kemi theksuar edhe më parë), kanë ndikuar edhe koncertet e ansambleve të caktuara, sidomos ato nga RPSSH, filmat, dramat dhe ekspozitat, të cilat në atë kohë e kishin shpeshtuar prezantimin e tyre edhe në Prishtinë, profesorët, familja e kush më shumë dhe kush më pak etj.

Shpeshherë Xhemajliu i ka përmbyllur aktivitetet e caktuara në formë të një rezymeje, zakonisht në fund të muajve apo të vitit. Mënyrë mjaftë magjepse, me figuracione dhe alegori të shumta: “Vërtetë ka vuajtur populli ynë i mjerë e më në fund lirin e fituar filluam ta gëzojnë të tjerët. Ndërsa luftëtarët e vërtetë u zhdukeshin pa mëshirë”, ose Ku janë trimat: Rifat Berisha, Banush Sedllari, Ramadan Kajtazi, Rifat Mamusha, Perllat Gjolekaj, Mehmet Alia e shumë e shumë të tjerë? E qartë! Të gjithë i vranë, pse? Sepse deshën lirinë! Lirinë për të cilën luftuan. Sepse deshën të dëshmojnë se ne jemi shqiptarë dhe kemi të drejtë që edhe shkaba dykrerëshe të valoj e lirë! Sepse dëshiruan që mos të thurim gardh nga vëllau e të vëllazërohemi me armiq, që den baba den janë munduar t’mi nxjerrin sytë!”, (Data, 31 janar 1979).

Refreni “Filluam të bisedonim për shumë gjëra”, përsëritet shpesh, pa shpjeguar se për çka bisedonin, apo cilat ishin ato gjëra të rëndësishme?! Natyrisht në kontekst të zhvillimeve politike të asaj kohe, dhe të DITARIT si tërësi merret vesh: “Shumë tema i rrahëm por kryesisht u ndalëm rreth çështjes politike dhe imediate të kombit tonë duke i përkujtuar të gjitha rrethanat përmes të cilave ka kaluar”, (Data, 21 mars 1979).

Celulat dhe veprimtaria ilegale:

Pjesa më kapitale e këtij DITARI, padyshim është veprimtaria e tij patriotike, nën prizmin e së cilës janë parë e trajtuar pothuajse të gjitha ngjarjet, qofshin ato të përditshmërisë apo zhvillimet politike, kulturore, ekonomik etj. Në këtë DITAR, Xhemajliu nuk e thekson se ishte i organizuar dhe as që ka qenë pjesë e grupit, por aty këtu vërehen të gjitha elementet e grupeve të organizuara: “Me që skisha mundësi që të shkoja për Prizren e përshëndeta Nazmiun duke iu dërguar të fala shokëve”, (Data, 30. 03. 1979). Mirëpo punët na vajtën ters...Në qytet u takuam të gjithë shokët që i kishin lëshuar “kullën nën mëshirën e pushtuesit“. U përshëndeta me ta dhe së bashku me Ximin shkuam në banesë të tyre e cila ishte e mbërthyernga dhe Fati”, (Data, 6 prill 1979). “Pas pak Nazmiu u kthyedhe ne së bashku me te shkuam në aksionin e planifikuar, për asgjë. Ky plan shkoi kot ngase nuk ndodhej në shtëpi personazhi kryesor”, (E martë, 9. X. 1979). “Koha këto ditë ishte mjaft e ngrohtë, por po ndodhin disa trazira politike, dhe gjendja nuk është stabile. Pritet të rrjedh ndonjë tollovi”, (E shtunë, 16. II.1980). “Më vonë shkuam për darkë ku mbas ngrënies u kthyemnë konvikt. Gjatë rrugës ishim të përcjell, (E shtunë, 23. II. 1980). “Pres për një takim të pa qartë por të sigurt. Ora ishte rreth 18:00 dhe vërtetë u bë ashtu siç e mendoja por mandej gjërat ndryshuan. Takimi u shty edhe për një kohë…”, (E hënë,3. III. 1980).

Skemën politike të asaj kohe e rëndonte inflacioni i madh i cili kishte qitur në pah pakënaqësitë sociale të cilat janë përdorur me mjeshtëri për t’u hapur rrugë mundësive të reja, kërkesave të reja: “U ktheva për ti nxjerr bonat, por nuk punonin. Ia kishin ngritur çmimin e ushqimit, ndërsa studentët kishin reaguar dhe pritej të zgjidhej kjo çështje. Në fund u vendos që çmimi të ngelte siç kishte qen, (E martë, 1. IV. 1980). “Me zjarr të madh uronte për sukseset e pritura nga inteligjencia dhe arsimimi që pa mëdyshje janë bazë për ngritjen e një populli”, (E premte, 11. VII. 1980). “Menduam për aksionin e nesërm, mandej dhe planet i parashikuam ashtu siç mendonim se është më së miri...Aksion i përpiktë”, (E shtunë, 12. VII. 1980).

Se grupet e organizuar ishin në ofensivë dhe bënin punën e tyre na shpjegon ky përshkrim alegorik dhe mjaftë interesant: E diel 13. VII. 1980, u zgjuam vonë, dhe diç punuam në kopsht. Më vonë u nisëm për në qytetin buzë Vardarit. Sot kemi për të zhvilluar ndeshjen. Edhe partnerët tanë erdhën nga ora 20:00. Pas gjysmë ore filloi aksioni. Fitorja ishte e suksesshme. Të gëzuar që s’kishim pranuar gola u kthyem në shtëpi. Gjatë rrugës kënga s’kishte mbarim”. Edhe rreshtat e më poshtëm dëshmojnë për veprimtari të organizuar. “I treguam (Ximit), për aksionin e së dielës”, (E martë, 15. VII. 1980). ose “Të tërë u gëzuan kur morën lajmin e fitores. Nga ora 23:00 u ngritëm që andej dhe mbërritëm në shtëpi”, (E mërkurë, 16. VII. 1980).

Nga detaji në vazhdim, shihet se Xhemajliu shpërthente dhe nuk i duronte padrejtësitë: “Jo, o njerëz të liq! Skeni gjetur njerëz tu besojnë përrallave tuaja të çoroditura. Mallkuar qofshi për jetë e mot. U ngrita që andej i mërzitur, por krenar që në surrat ua thash troç të vërtetën”, (E enjte, 17. VII. 1980).

Po ashtu, nga këto shënime mund të vijmë në përfundim se Xhemajliu ka poseduar një vetëdije sakrifikuese dhe se ka qenë i sigurt në fitore! Këtë na dëshmonë shënimi i datës 8 tetor 1980, në të cilin ka shkruar: “Do ia shtojmë faqet Historisë dhe për disa dekada dhe do rrotullojmë me krenari këtë lëmsh të pa bindur. Do fitojmë”, ndërsa të nesërmen më 9 tetor 1980 ai shkruan: “E di se do të zhytem edhe unë në këtë qull që po përgatitet. Athua se çdo të del fundi…?”. 

DITARI ka edhe indikacione të tjera të shumta të cilat shpien në këtë drejtim: “Nga ora 14:00 u përshëndeta me Ximin dhe së bashku me Bahtjarin shkuam në Stacion. E nxora buletën dhe kohë kisha mbi gjysmë ore. Në pritje u takova edhe me Shpresën. Hymë në një ëmbëltore. Papritur erdhi një kontroll. Por u morëm vesh. Në kohën e duhur u nisa për në kryeqytet”,(E mërkurë, 10. IX. 1980). Ajo kontrollë e papritur sikur e shpjegon edhe një lloj parandjenje, se përcillej kjo tashmë dihej: “E nesërmja bukur shumë më frikëson. Sdi si do të del fundi, megjithëse parandiej një pasiguri”, (E marte 21. X. 1980).

Shpeshhere këto shënime kanë një figuracion të mbyllur, pasi dihej se ai ishte i angazhuar. Ta zëmë më datën 17. XII. 1980, në shënimin që mban titullin “Të presin detyra të mëdha dhe serioze”, ai bënë një përshkrim enigmatik, që lidhet me aktivitetin politik ku përmes alegorisë lihet të nënkuptohen shumë gjëra të veprimit ilegal. “Sidomos më librin e vetëqeverisjes nuk po kam durim ta mësoj. Më shkurt se është e tepërt të lodhi kokën me gjëra që thënë troç janë rrena”, (26. II.1981).

Pranvera e Vitit 1981:

Pranvera e vitit 1981, përkatësisht dy muajt e parë të atij viti kanë përcaktuar fatet e popullit shqiptarë në Kosovë, pasi rinia studentore ishte e vendosur për ndryshime të atij rendi shoqëror e politik. “Sot në dom nuk kishte vizitë, sepse në korridor kishin hedhur trakte”, (1. III. 1981).

Në natën e fundit para se të plasnin demonstratat e pranverës së vitit 1981, Xhemajli Berisha, në DITARIN e tij ka lënë këtë testament: “Pas tri ore u kthyem që andej së bashku me Limanin dhe… u ndalëm në restorantin Beograd“. Aty ndenjëm bukur shumë dhe përgatitem plane të rëndësishme për një rend të ri dhe të përparuar”, (10. III. 1981).

E, në DITARIN e 11 marsit 1981, Xhemajli Berisha ka shkruar: “Para dite vajta në ligjërata të planifikuarit dhe politikës afariste. Në çmime nuk ndenja por u ktheva në banesë. Koha është bukur shumë e ngrohtë. Dolëm në qytet për të shëtitur. Pothuajse tërë ditën ishim në sheti. Në mbrëmje shkuam për të ndenjur tek Halimi. Ximi shkoi me Agimin në bibliotekë. Që andej na sollën një lajmë që bukur shumë e prisja. Studentët ishin ngritur në grevë. Iu bashkuam edhe ne kësaj rrëmuje.Filluam me britme të shprehim revoltën. Shumë kushtet i kemi të vështira. Në një situatë të tillë sdo mend se është e pa evitueshme demonstrata. Morëm udhëtimin nga qyteti. Dëgjoheshin thirrje të njëpasnjëshme: “poshtë borgjezia, rroftë klasa punëtore. Kërkojmë Republikën!

Me këto thirrje arritëm në shesh ku zhvilloheshin korzotë. Besonim se me ne do të bashkoheshin edhe qytetarët. Por u gënjyem. Ata nuk u bashkuan. Prej Këshillit Ekzekutiv filluam demonstrimin nga mesi i qytetit. Në fund u përleshëm me forcat policore. Aktiviteti ende zgjerohej, megjithëse jo me një organizim të suksesshëm. Shumica janë të paformuar si njerëz me mendime dhe shpirt revolucionar. Demonstrata vazhdoi gjerë në ora 4:00”, (Datë, 11. III. 1981).

Veprimtaria kishte hyrë në një fazë të re:

Tanimë veprimtaria patriotike e grupeve të organizuara kishte hyrë në një fazë të re. Më nuk kishte kthim prapa, andaj lëvizjet e shpejta, koordinimi i mirë duhej të përdorej në mënyrë që demonstratat e studentëve të marrin karakter gjithëpopullor, duke shpreh pakënaqësinë totale me sistemin e Jugosllavisë Socialiste. Ishte e qartë se do të nisin arrestime dhe burgosje masive, edhe shërbimi sekret informativ ishte vu në lëvizje, edhe policia dhe zyrtarët politik. Por siç shihet edhe nga DITARI i cili po ashtu është plotësuar me gjëra të rëndomta që sillte dita e asaj kohe, në esencë kishte zhvillimet politike. Në një rast e ka theksuar se janë “ndarë me një shtrëngim dore dhe një vështrim të zjarrtë”, (19. III. 1981).

Pas dy – tre ditësh Xhemajliu ka shkruar se: “Gjumi më doli me kohë, por nuk munda të shkoja në ligjërata. Isha tepër i lodhur. Mandej këmbët nuk mundsha as t’i lëvizja. Më vonëshkova për drekë por mezi u lëshova nëpër shkallë… Mora të mësoj, mirëpo nuk kisha kurrfarë disponimi. Kotë mundohesha të mësoj nga se prej ngjarjeve të 11 marsit për mësim as që mendoj. Si unë janë pothuajse të gjithë studentët. Mbretëron një ndjenjë pasigurie, një urrejtje. Lëvizje të shumta po organizohen. A thua do të përfundoj kjo nismë vetëm me kaq? Padyshim se jo. Domosdo se do ti dal edhe koka kësaj pune. Kërkesa ynë mori një kahe krejtësisht tjetër”, (E martë, 24. III.1981).

Ndërsa në datën e 25 marsit 1981, datë kjo që lidhet me demonstrata masive që kanë ndodhur të nesërmen, ai tregon se “U nisa për në qytet jo aq me punë, sa për të kërkuar punë. Tek shtëpia e mallrave takohem me ekonomistët dhe si zakonisht fillojmë me bisedat e njohura. Arritëm gjerë në fakultet ku u ndamë, me një mori fjalësh prekëse dhe inkurajuese”, (E mërkurë, 25. III. 1981).

Në DITARIN e asaj dite, Xhemajli Berisha ka shkruar një tekst përmbyllës duke lënë përshtypjen e një vëzhguesi të rëndomtë i cili në asnjë rast nuk është implikuar në këto organizime. Po ashtu duhet theksuar se teksti në vijim i përmbyll shënimet e përfshira në këtë DITAR, i cili mbetet një dokument i rrallë që i afrohet lexuesit. Pas darke dolëm para konviktit dhe filluam të loznim me top. Më vonë ia bëhu Ximi me Xhelën nga Prizreni. Ata kishin qenë edhe në Shkup. Më vonë hyjmë Brenda dhe filluam të bisedonim. Një lajmë që na treguan pa dyshim se na gëzoj pa masë. Edhe në Prizren sot ishin ngritur në demonstratë nxënës e student. Më erdhi e pa besueshme por shumë e qëlluar”, (25. III. 1981).

Nga kjo që trajtuam deri më tani dhe shumë materiale të tjera që nuk arritëm t’i përthekojmë brenda këtij shkrimi prezantues, nënkuptojmë se Xhemajli Berisha ishte ndër organizatorët kryesor të Demonstratave të Vitit 1981.

Epilog ose shenjtërimi?!…

DITARI i Xhemajli Berishës, është vet jete ime, jeta e gjeneratës sime, e atyre që ishin të organizuar dhe atyre mijëra të tjerëve që bënin po këtë propagandë e cila haset në këtë DITAR, por nuk u takonin radhëve të organizuara. Ata i takonin asaj kohe, atij frymëzimi dhe atij rebelimi që do të ndodhte, ashtu siç ndodhi. Ndonëse nuk jemi njohur me Xhemajliun, DITARI i tij më njohu më mirë me te, po më shumë më njohu me jetën time, me jetën e gjeneratës sonë e cila i ka po këto rrjedha.

Janë emocionet e asaj kohe, peripecitë frymëzimet, besimi në Shqipërinë e përparuar, dogmat fetare e deri tek ndikimi i filmave, koncerteve, teatrit, ekspozitave të shumta që kanë ndihmuar në ngritje e vetëdijes qytetare.

Janë shumë manifestime e ngjarje të tjera, sportive e kulturore e deri tek filmat e asaj kohe si Lulëkuqet mbi mure”, “Gjeneral gramafoni”, ose filmat indian “BIDAI” e të tjerë që e kthejnë mendjen e gjeneratës sonë në ato vite përplot sakrifica.

Ai brez kishte merita dhe përgjegjësi historike. Xhemajliu iku herët dhe shkoi si engjëll në përjetësi. Ky DITAR rikthenkujtimin për të, jo vetëm tek miqtë dhe të njohur, por edhe tek ne që jetuam pran tij e bashkë me të, dhe nuk e njohëm. Padyshim ne jetuam atë jetë, përjetuam ato ngjarje, por në tërësi ajo gjeneratë ishte shtylla e asaj jete të angazhuar, e që në një farë mënyre Xhemajli Berisha, ishte ai personalitet i cili me DITARIN e tij u mundua t’i pavdekësoj ato zhvillime! Prijetari mbetet prijës gjithmonë, edhe atëherë edhe sot ku përmes këtijDITARI po na rikthen kujtesën tonë në atë kohë, në ato ngjarjetë atyre viteve…

Edhe NËNAT?!… “Ato vazhdimisht kanë shkuar pas bijve të vet”, duke ua rrëfyer jetën e tyre, kurse fëmijët kanë qenë të obliguar ato amanete t’i shpiejnë gjerë në Ditën e Pavarësisë?!… Fatkeqësisht ka shumë ngjarje që fëmijët i kanë marrë me vete?!Një të tillë e gjejmë edhe në këtë DITAR: “Mbas darke nëna filloi të më tregoi për një histori të vjetër”, (E mërkurë, 6. II.1980). Kjo histori, kjo ngjarje çfarëdo kuptimi të ketë pasur, mënuk do të zbërthehet. Kurrë më, ashtu sikurse mjaftë angazhimedhe veprimtari të Xhemajli Berishës, do të na mbeten përgjithmonë enigmatike… Ai nuk është më në mesin tonë për të dëftuar e për të rrëfyer a për tu rrëfyer, por ai ka lënë këtë DITAR, (edhe pse mjaftë i fragmentarizuar), do të bëjë jetën e vet, ashtu siç e kanë bërë profetët jetën me ringjalljen e tyre!

Xhemajli Berisha, tani përjeton ringjalljen, ai s’ka nevojë për shenjtërim, pasi për të gjallë e pat bërë shenjtërimin e Tij?!…

 

Zvicër, korrik 2014.

Shefqet Dibrani