Shkruan: Florim Zeqa
Nga shkuarja në amshim e presidentit historik Ibrahim Rugova, vendit tonë dhe në veçanti LDK-së i ka munguar lideri me besueshmëri të lartë qytetare dhe me kredibilitet të fuqishëm ndërkombëtar.
Liderët lindin, nuk krijohen brenda natës
Si rezultat i mungesës së një lidershipi të besueshëm LDK-ja post-rugoviane disa herë është ndodhur në situata të palakmueshme politike.
Por, pa dyshim, situata më e rëndë dhe më e palakmueshme, do të thoja katastrofale për LDK-në ndodhi pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, në të cilat e pësojë humbjen më të thellë dhe rënjen më më të madhe nga themelimi i saj.
Nocioni lider është konotacion pak më i gjërë dhe më kompleks seqë mendohet në opinionin publik. Kohëve të fundit sikur jemi mësuar që një drejtues grupi, partie politike apo udhëheqës i një koalicioni më të gjërë forcash ta quajmë padrejtësisht lider politik!
Liderë në kuptimin e plotë të fjalës mund të jetë ai apo ajo që gëzon mbështetjen e gjërë popullore, që ka mështetjen morale dhe politike nga shumica e qytetarëve, apo në rastin e një partie politike duhet të ketë mbështetjen e shumicës së elektoratit.
Lideri i suksesshëm dhe i përgjegjshëm konsiderohet ai që është i urtë dhe i guximshëm, konsistent dhe i palëkundur në qendrime, ai që nuk bie pre e lakimisë dhe egos personale, ai që nuk bie pre e shantazheve dhe presioneve cilat do qofshin ato!.
Kuvendi i X-të, historik për LDK-në
Tanimë kur kanë mbetur vetëm edhe pak ditë deri në përballjen vendimtare në Kuvendin e X-të zgjedhor të LDK-së, e gjithë vëmendja e opinionit publik është orientuar kah LDK-ja, kah subjekti shtetformues dhe determinues i të gjitha proceseve politike përgjatë këtyre tri dekadave të fundit.
Në Kuvendin e X-të, të jashtëzakonshëm dhe historik të LDK-së, përballë njëri-tjetrit do të ndodhen grupet e interesit që e sollën LDK-në kuotat më të ulëta nga themelimi i saj.
Në njërën anë do të jenë mbështetësit e kryetarit aktual, të cilët do të mundohen ta ruajnë vazhdimësinë, ndërsa në anën tjetër do të jenë veprimtarët e devotshëm dhe të paluhatshëm të LDK-së, ushtarët besnik të filozofisë rugoviane të cilët do të provojnë rikthimin e frymës rugoviane në këtë subjekt politik.
Por, në këtë kuvend do të ketë edhe të atillë të cilët do të mundohen ta bëjnë argatin e djallit siq e bënë në vitin 2006, për të shkaktuar ndarje dhe përçarje të mëtutjeshme të LDK-së.
Fundi i aklamacionistëve, kthimi i votës së fshehtë
Kuvendi i X-të siq e ceka më lartë, do të mbetët historik për LDK-në për shumë arsye, e mbi të gjitha për atë se përfundimisht në këtë subjekt do të ndahet “shapi nga shqeri”.
Mbi delegatët e Kuvendit të X-të zgjedhor të LDK-së rëndon përgjegjësia historike. Kuvendi i X-të zgjedhor duhet të nxjerrë një lider unifikues, që ka përvojën dhe pjekurinë politike, që ka maturinë, guximin dhe vendosmërin për arritjen e reformave të mirëfillta strukturore,…jo në bazë të të preferencave, tekeve apo inateve personale, por të bazuar në një punë ekipore, sipas meritokracisë dhe standardeve të avancuara,…për kthimin e rendit demokratik brenda këtij subjekti politik, ku secili anëtar të ketë mundësinë të shprehet lirshëm, pra të zgjedhë dhe të jetë i zgjedhur sipas sistemit elektoral; “një kandidat, një votë”.
Kuvendi i X-të dhe i jashtëzakonshëm zgjedhor i LDK-së nuk guxon të jetë kopje dhe përseritje e dy kuvendeve të fundit zgjedhore, pra nuk guxon ta përseritë mënyrën aklamacioniste, por duhet t’i nënshtrohet një procesi të rregullt dhe demokratik të zgjedhjes përmes votës së fshehtë të liderit dhe kryesisë së partisë.
Ngritja e LDK-së nuk do të jetë e lehtë dhe as e shpejtë
Lidershipin e ri të LDK-së e presin sfida të mëdha për rimëkëmbjen e partisë dhe kthimin e besimit në elektoratin e saj. Menjëherë pas përfundimit të Kuvendit të X-të zgjedhor të 14 marsit 2021, kryesia e re duhet të vazhdojë me zgjedhjet nëpër degë, nëndegë dhe aktive, aty ku e ka burimi çdo iniciativë dhe sukses i LDK-së së reformuar.
Testi i parë i ndryshimeve të 14 marsit do të jenë zgjedhjet lokale në vjeshtën e këtij viti, nga të cilat do të vërehet çartë lakorja e ngritjes së LDK-së drejt kthimit të dinjitetshëm në piedestalin politik, aty ku e ka vendin nismëtarja e proceseve demokratike në ballkanin perëndimor dhe themeltarja e shtetit të Kosovës.
“Kur thehet karroca, hapën shumë rrugë”
Rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 i obligon të gjithë në LDK që të reflektojnë pozitivisht në realizimin e ktheses historike. Vërtetë humbja e fundit ka shkaktuar pakënaqësi dhe dëshprim të pafund brenda elektoratit rugovian si në Kosovë ashtu edhe në Diasporë, por askush nuk guxon të rrëmbehet nga zëmrimi i humbjes, as të bie pre e karrieristëve dhe lakmitarëve të pushtetit për hakmarrje personale ndaj njëri-tjetrit.
Logjika e “heqjes së kokave” nuk është standard demokratik dhe as praktikë e LDK-së rugoviane. Janë proceset demokratike ato që duhet të sjellin ndryshime dhe reforma të thella në bazë të kërkesave të kohës dhe vullnetit të elektoratit.
Interesi i përbashkët gjithmonë është më i madhë dhe më i rëndësishem se çdo interes personal.
Elektorat mbaje kokën lartë, ditë të mira po vijnë për LDK-në!
Zoti e bekoftë filozofinë politike rugoviane!