Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, dy kompani të mëdha teknologjike, Google dhe Netflix, kanë ndërmarrë nisma për mbështetjen dhe zhvillimin e vajzave dhe grave në mbarë botën.
Google, nëpërmjet një projekti, synon të mbështesë idetë e organizatave jofitimprurëse dhe sociale në të gjithë botën, që po punojnë për të promovuar emancipimin ekonomik të grave dhe vajzave. Projekti i gjigantit të Mountain View, quhet “Impact Challenge for women and Girls” i Google.org”, dhe do të merret me nisma filantropike.
Ai synon të sigurojë një financim total prej 25 milionë dollarësh dhe përfituesit e “Impact Challenge” do të kenë mundësinë të ndjekin rrugëtime ‘mentorship’ nga punonjësit e Google, si dhe të marrin Ad Grants dhe një mbështetje shtesë për t’i bërë idetë e tyre realitet.
Organizatat do të kenë kohë të paraqiten deri më 9 prill dhe përfituesit e granteve do të njoftohen brenda fundit të vitit. Në panelin e ekspertëve do të jenë gra lidere, nga më shumë se 15 vende, me përvoja në politikat publike globale, kërkim, biznes dhe teknologji. “Çfarëdo që të ketë nevojë këto organizata, ne do të jemi përkrah tyre dhe do të ndihmojmë në realizimin e vizionit të tyre” – tha Jacquelline Fuller, president i Google.org
“Sot ka ende një pabarazi të madhe mes grave dhe burrave, të cilat janë rritur për shkak të pandemisë – thekson Google. – Në nivel global, gratë kanë pothuajse dy herë më shumë gjasa të humbin vendin e punës për shkak të Covid-19. Gratë bëjnë një sasi të madhe punë të papaguar në shtëpi dhe vlerësohet se 20 milionë vajza në të gjithë botën rrezikojnë të mos kthehen në shkollë.
Shkurtimet në vendin e punës, humbja e pagës dhe vështirësitë e aksesit në arsim do të pengojnë progresin ekonomik të grave dhe vajzave të brezave të ardhshëm, në veçanti në komunitetet në disavantazh – thotë në fund shoqëria. – Kemi përgjegjësinë kolektive për të siguruar që brezat e grave dhe vajzave nga të gjitha sferat e jetës të mund të jetojnë në një botë ku ato trajtohen në mënyrë të barabartë dhe arrijnë potencialin e tyre të plotë”.
Nëpërmjet Bela Bajaria, grua indiane e rritur në Shtetet e Bashkuara, sot zv.presidente e Global TV, Netflix njofton se 5 milionë dollarët e parë të Fondit Netflix për krijimtari gjithëpërfshirëse (20 milionë dollarë në vit për krijimin e mundësive më gjithëpërfshirës pas kamerës) në 2021 do të jepen për programe për të identifikuar gratë e talentuara në të gjithë botën dhe t’u sigurojë atyre trajnimin e nevojshëm për të gjetur vende pune për to.
Kjo do të realizohet në bashkëpunim me palë të treta dhe nëpërmjet programeve Netflix ad hoc, për të mbështetur një gamë të gjerë nismash.