Në SHBA, zyrtarët federalë të shëndetësisë publikuan sot udhëzime të reja, ku thuhet se amerikanët e vaksinuar plotësisht mund të mblidhen me njerëz të tjerë të vaksinuar në mjedise të brendshme, pa mbajtur maskë ose distancim shoqëror, por duhet të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme.
Në rekomandime thuhet gjithashtu se personat e vaksinuar mund të mblidhen në të njëjtën mënyrë – brenda një familjeje të vetme – me njerëz që konsiderohen me rrezik të ulët për sëmundje të rënda, siç mund të ishte rasti i gjyshërve të vaksinuar që vizitojnë fëmijë dhe nipër të shëndetshëm.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) i shpallën udhëzimet të hënën.
Rekomandimet janë hartuar për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje, pasi aktualisht janë vaksinuar një numër më i madh të rriturish, të cilët pyesin nëse imunizimi u jep atyre liri më të madhe për të vizituar anëtarët e familjes, për të udhëtuar ose për veprimtari të tjera siç bënin para se pandemia të përfshinte botën.
“Me një numër gjithnjë e më të madh njerëzish që vaksinohen çdo ditë, ne kemi filluar ta kapërcejmë situatën,” tha Drejtoresha e CDC, Dr. Rochelle Walensky.
Në një njoftim për shtyp të hënën, ajo e quajti udhëzimin një “hap të parë” drejt rivendosjes së normalitetit në mënyrën se si njerëzit rrinë me njëri-tjetrin. Ajo tha se për individët e vaksinuar nuk do të kishte problem të merrnin pjesë në më shumë aktivitete, kur numri i infektimeve dhe i vdekjeve të ketë rënë, kur të ketë më shumë njerëz të vaksinuar dhe kur shkenca të thotë më shumë rreth gjasave që personat e imunizuar mund të përhapin virusin.
CDC-ja po vazhdon të rekomandojë që njerëzit e vaksinuar plotësisht të mbajnë ende maska të puthitura mirë, të shmangin tubimet e mëdha dhe të distancohen fizikisht nga të tjerët kur janë në publik. CDC gjithashtu këshilloi që njerëzit e vaksinuar të testohen nëse kanë simptoma që mund të lidhen me COVID-19n.
Zyrtarët thonë se një person konsiderohet i vaksinuar plotësisht dy javë pasi ka marrë dozën e fundit të kërkuar të vaksinës.
Sipas CDC-së deri tani, rreth 31 milionë amerikanë – ose vetëm 9% e popullsisë – janë vaksinuar plotësisht me një vaksinë të autorizuar nga autoritetet federale.