NJË SHAMI E HARRUAR NË MAL
Ecja rrugicave të malit ,me pisha të larta
Fluturonin mendimet rruzullit të tokës
Bluante mulliri i erërave të gjitha ujemet
Pastaj bohçet e varura rëndonin
Si koha e ikur rrëpirave të mallimit
E një shkop dore shponte tokën e pafajshme
Shikim zhbirues ne thellësi prekte damarët
Sikur të kërkonte thesaret e humbura të mbretërive
Rrënjëve të dala si asht’ i humbur nëpër kohë
Fshehur moti, në një kohë te ikur si zogu
Kur plakut i kishte humbur gurë e unur
E buzëve shkrumbi thithte rreshka, tym duhani
Si mall i pjekur gishtave ngjyrë kafeje….
Një shami valëvitej nga puhizë e lehtë
Shtrënguar kraharorit të një pishe trupdrejtë
Nuk ishte e humbur, e harruar kishte mbetur
Ishte relikt i një zjarri, një moshe të ndezur flakë
Akoma i vinte erë dashuri, erë molle e ruajtur
Mbështjellë në një ble bistaku, lozte avash ritmin
Si flamurë i jetës rinore ku rrahën erërat
Valvitej damarëve si përshëndetje e fundit
Psherëtimat kalamenden sygjumave të verës.
Në shami mbështolla kujtimet e hirta si këngën…..
PO E PRES KOHËN E DHIMBJES
Të çuditshme janë dhimbjet, të çmendura
Pa orar të caktuar, kur u teket vijnë turrë
Në mesditë, mesnatë, pas mesnate
Të djersitin, rraskapitin…
Poreve vlojnë puçërrime të skuqura
E pamëshirshme dhimbja, lëvron thellë
Mjeku (të nesërmen) kërkon anamnezën
Në ç‘kohë vijnë dhimbjet, sa zgjasin, si duken…..
Dhe sonte,
Do pres kur vjen ai uragan i tmerrshëm
Do shënoj saktë orën dhe minutën e lodhjes
Pastaj zgjatjen e durimit pa frymëmarrje
E ka më lehtë mjeku të japë diagnozën
Por e di se nuk do e shpëtoi jetën
Pabesisht frika përpiu vdekjen n‘eter
Nuk kam kohë të tepërt për ikje
Asgjë nuk kam thënë për dashurinë
Avullime kanë ngjarë, akoma nuk jam rrëfyer
Kohën po pres edhe këtë natë me dhimbje…..
Gjakovë, 22 shkurt 2021