Ballina ED/OP PSE KOSOVA DUHET TA KETË AMBASADËN E SAJ NË JERUSALEM?

PSE KOSOVA DUHET TA KETË AMBASADËN E SAJ NË JERUSALEM?

 

Nëse deri më tani Kosova është shantazhuar me lloj-lloj vetosh dhe lloj-lloj qëndrimesh hermafrodite nga ana e OKB-së dhe BE-së, duke favorizuar hapur pozicionin e Beogradit kundrejt Prishtinës në tryezat e dialogut, atëherë me çfarë të drejte kërkohet me insistim nga Kosova që ambasadën e saj mos ta hapë në Jerusalem. Kosova iu ka shumë borxh miqve ndërkombëtarë, por më së tepërmi atyre që ishin sponsorë të drejtpërdrejt të çlirimit të saj. Çdo kush në BE dhe OKB që nuk e kupton këtë sensibilitet të Kosovës, gabon rëndë

Nga Mehmet PRISHTINA

Ende pa filluar punën Qeveria e re e Kosovës, para saj del një sfidë jo e vogël, që lidhet sërish me politikën e jashtme. Paradoksalisht, politika e jashtme po bëhet përcaktuese edhe e  zhvillimeve të brendshme si dhe e qëndrueshmërisë së qeverive. Pritet kështu të jetë edhe në të ardhmen, pasi që nga kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti, pritet të japë përgjigje definitive mbi hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Kurti ndodhet në mes të dy përgjigjeve: JO dhe PO dhe varësisht se kujt do t’i thotë JO dhe kujt PO, do të varet edhe fati i tij si politikan dhe i Qeverisë që ai do ta drejtojë.
Megjithëse situata duket paska e komplikuar, në realitet ajo nuk është pa shtegdalje, për arsye se Kurti po e trashëgon një situatë që ndërlidhet me çështjen e hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, siç kërkohet nga Marrëveshja e 4 shtatorit 2020 në Washington, kështu që ai fare nuk gabon nëse i përmbahet kësaj marrëveshjeje.
Se ku do të vendoset ambasada e Kosovës në Izrael, sipas protokolleve dhe ligjeve diplomatike, i takon shtetit pritës dhe jo Kosovës, prandaj edhe në këtë aspekt Albin Kurti i ka duart e zgjidhura dhe nuk ka shumë hapësirë për hezitime.

Ditë më parë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ia ka kthyer letrën kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili disa ditë më parë e uroi për fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Në këtë letër, Kurti shkruan se e mirëpret faktin që marrëdhëniet mes dy popujve janë shndërruar në raporte diplomatike mes dy shteteve.
“E shoh këtë si një mundësi për ta themeluar dhe fuqizuar bashkëpunimin tonë politik, ekonomik dhe kulturor”, thuhet në letrën dërguar kryeministrit izraelit.
“Kombi ynë ka qenë historikisht respektues ndaj komunitetit çifut. Si kryeministër i ardhshëm i Republikës së Kosovës, do ta kem kënaqësinë që t’i adresoj çështjet relevante të komunitetit çifut dhe trashëgimisë së tij në vendin tonë”, thuhet në letër.
Kurti e falënderon Netanyahun për ftesën që ta vizitojë Izraelin, premton se do ta bëjë këtë, por nuk saktëson kohën e vizitës.
“Faleminderit që më ftuat për ta vizituar vendin tuaj miqësor, gjë që do ta bëj në një kohë të përshtatshme për të dyja palët”, thuhet në letrën e Kurtit.

Një letër të ngjashme si përgjigje, Albin Kurti,  i ka shkruar edhe presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erodogan.

Kurti e ka falënderuar presidentin turk për letrën e urimit për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Kurti shkruan se në këto zgjedhje kosovarët kanë vendosur “ta ndryshojnë rrënjësisht të ardhmen e tyre”.

Ai thekson se shqiptarët në Turqi dhe turqit në Kosovë janë urë miqësie midis dy vendeve.

“Më 14 shkurt të këtij viti, përmes zgjedhjeve demokratike, qytetarët e Republikës së Kosovës vendosën të ndryshojnë rrënjësisht të ardhmen e tyre. Shqiptarët në Turqi dhe turqit në Kosovë janë një urë miqësie midis vendeve tona. Unë e vlerësoj kontributin e banorëve turq në Kosovë dhe ata do të vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm edhe gjatë qeverisjes time”, shkruhet në letër.

Kurti shkruan se qytetarët e Kosovës janë falënderues për ndihmën  që kanë dhënë shteti dhe populli turk në kohët më të vështira.


Në të dy letrat Albin Kurti, përmes një gjuhe fleksibile diplomatike e ka larguar mundësinë e keqkuptimit nga komunikimet ndërshtetërore dhe në këtë mënyrë i jep hapësirë vetes që të vendos brenda një harku të caktuar kohor pa qenë i detyruar të ndodhet nën efektet e ndonjë presioni.

Kosova ende nuk është anëtare fuqiplotë e OKB-së, kurse BE ende nuk e ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Madje në komunikimet zyrtare, siç ishte rasti me hartën e Lajçakut, ku Kosova figuronte si pjesë e Serbisë, BE ka një qëndrim hermafrodit kundrejt Kosovës.
Me fjalë të tjera, nga Kosova kërkohet t’iu përmbahet rregullave ndërkombëtare pa qenë anëtare e mekanizmave ndërkombëtarë, përfshi edhe OKB-në. Është e vërtetë se Rezoluta e KS të KB obligon shtetet që t’i përmbahen parimit sipas të cilit Tel Avivimbetet kryeqyteti i Izraelit, ndërkohë që statusi i Jerusalemit mbetet të zgjidhet në mes të dy popujve sipas një marrëveshjeje dypalëshe.
Mirëpo, në anën tjetër, Kosova nuk është anëtare e OKB-së, për t’iu përmbajtur kësaj rezolute, dhe deri më tani ajo është refuzuar me arsyetimet dhe kërcënimet për VETO nga Rusia dhe Kina.
Nëse deri më tani Kosova është shantazhuar me lloj-lloj vetosh dhe lloj-lloj qëndrimesh hermafrodite, duke favorizuar hapur pozicionin e Beogradit kundrejt Prishtinës në tryezat e dialogut, atëherë me çfarë të drejte kërkohet me insistim nga Kosova që ambasadën e saj mos ta hapë në Jerusalem.

Kosova është shtet i pavarur, i njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se 100 shtete, mirëpo kjo nuk i ka mjaftuar BE-së dhe OKB-së ta mbajë atë në listën e pritjes si në aspektin e liberalizimit të vizave, ashtu edhe në anëtarësimin në disa organizata ndërkombëtare, ku Serbia me lobimin e saj, kurse BE dhe OKB me heshtjen e tyre, e kanë dëmtuar dukshëm fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet t’i ruajë miqtë e saj të deritanishëm ndërkombëtarë dhe mundësisht t’i shtojë edhe më tepër ata. Mirëpo miqësitë nuk mbahen me kushtëzime dhe shantazhime, dhe më së paku me ultimatume në stilin ‘’nëse nuk je me mua, je kundër meje’’! Në rastin Konkret hapësirë për manovrime nuk ka gjithaq dhe udhëheqja e re e Kosovës duhet të ndjek logjikën e zhvillimit të ngjarjeve të deritanishme, të cilat kanë qenë jetike për të ardhmen e shtetit të ri. Kjo logjikë thotë se Kosova iu ka shumë borxh miqve ndërkombëtarë, por më së tepërmi atyre që ishin sponsorë të drejtpërdrejt të çlirimit të saj. Çdo kush në BE dhe OKB që nuk e kupton këtë sensibilitet të Kosovës, gabon rëndë dhe më shumë gabon nëse nga Kosova kërkohet shumë më shumë se sa që i jepet në këmbim asaj diçka.

Prishtinë, 4  mars, 2021