Kur njihesh me NURIJE HAJDARIN, mësuesen e palodhur nga Tropoja, ndihesh krenarë për faktin se ke të bësh me një mësuese të palodhur që për 42 vite ka dhuruar dashuri dhe dije tek nxënësit. Janë me dhjetra nxënës nga zona e familje të ndryshme që ka kaluar nëpër duar. Sot ata janë rritur e kanë kryer shkolla e marrë profesione të ndryshme, kalojnë rrugës dhe kur përshëndesin duke thënë: “Faleminderit mësuese që na mësove e edukove, na bëre dikushi e na hape sytë”.
Jeta e saj është e thjeshtë. Lindi në fshatin Astë të Tropojës në një familje me tradita e vlera atdhetare të ardhur nga Zogajt e të vendosur në këtë fshat. Babai i Nurijes, Fasli Sadria, i rriti 6 fëmijë jetimë, pa nënën e tyre, 4 vajza e dy djemë. Nurija ishte një nga vajzat në atë kohë vetëm 10 vjeçare.
Pasi mbaron shkollën 8-vjeçare në Astë me rezultate të larta, vazhdon Shkollën e Mesme Pedagogjike “Shejnaze Uka” në Shkodër. Nurija kujton me respekt e mirënjohje mësuesit shumë të mirë të pedagogjikes si: Drita Garuci, Eqerem Rusi, Zudi Sokoli, Nuri Abdiu, Terezina Tesollari, Vehbi Hoti e të tjerë. Më vonë këta mësues u bënë model i mirë në punën në vite të Nurijes.
Fillon punë si mësuese në gusht 1978, në ciklin e ulët e më vonë në ciklin e lartë të shkollës 8- vjeçare “Beslidhja e Malësisë” në qytetin e Bajram Currit. Pas disa viteve kalon si mësuese e ciklit të ulët në shkollën 8- vjeçare “Konferenca e Bujanit”. Vitet e fundit, para daljes në pension, ka dhënë mësim në shkollën 8- vjeçare “Besëlidhja e Malësisë”. Kudo e suksesshme, kudo e vlerësuar nga kolegët, nxënësit, prinderit e pushteti lokal.
Në vitin 1978 njihet me mësuesin e edukimit fizik nga T’plani Çelë Hajdarin. Me të lindën 4 fëmijë, tre djemë e një vajzë. Të gjithë me shkollë të lartë. Arlindi, djali i madh ka kryer studimet e larta për anglisht. Armanda, vajza ka mbaruar për gjuhën frënge. Besmiri, djali tjetër, ka kryer studimet për histori, ndërsa djali i vogël, Besari, ka studiuar për gjuhë-letërsi. Një familje intelektualësh, një familje mësuesish, rrezatojnë dije e kulturë.
Riza ÇELAJ
Tropojë