Ballina ED/OP Mbi ideologjinë kombëtare dhe ideologjinë komuniste: KUSH DHE PSE I ORIENTOI...

Mbi ideologjinë kombëtare dhe ideologjinë komuniste: KUSH DHE PSE I ORIENTOI SHQIPTARËT NGA FRYMA NACIONALISTE NË FRYMËN KOMUNISTE JUGOSLLAVE DHE ATË STALINISTE SOVJETIKE?

 

Nga prof. dr. Abdullah MEHMETI – Tetovë – Maqedoni e Veriut
            Cilët kanë qenë realizuesit, cilët ideatorët dhe sponsorët e këtij krimi mbi shqiptarët?
Edhe sot një numër i madh i shqiptarëve nuk mund të lirohen nga ankthi komunist në skenën politike.
            Kush mund t’ua shpjegojë sot shqiptarëve se cili ka qenë interesi i tyre me orientimin e lëvizjes politike dhe kombëtare, në Kosovë, në viset tjera shqiptare dhe në Mërgatë, pas rezistencës së armatosur të shqiptarëve kundër riokupimit komunist jugosllav më 1945, me Shaban Polluzhën në Drenicë, Sanxhak dhe në vise të tjera, sidomos pas programit politik dhe ushtarak të NDSH-së, si lëvizje me frymë kombëtare, demokratike dhe perëndimore, që të orientohet dhe njëjtësohet lëvizja për çlirim dhe bashkim kombëtar e shqiptarëve me lëvizjen komuniste sllave dhe internacionalen komuniste? Fryma titiste apo enveriste kanë pak dallime në këtë orientim antikombëtar?!
            Kjo frymë destruktive i mban gjallë edhe sot në skenë bandat komuniste dhe mbeturinat e agjenturave ish-jugosllave, serbe dhe ruse, në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe jashtë vendit, madje të përforcuar me elemente fetare të islamit të rrejshëm të tipit socialist, të kultivuar në laboratorët e propagandës jugosllave dhe ruse.
            Atdhetarët e vërtetë dhe veprimtarët që janë futur gabimisht ose të mashtruar në ish-organizatat me orientim komunist (marksist-leninist-stalinist) të shqiptarëve, janë spiunuar, kontrolluar dhe shumica e tyre janë likuiduar nga krahu i përbetuar në këtë ideologji, agjentë të fshehtë të shërbimeve sekrete serbe (jugosllave) dhe ruse (disa agjentë të dyfishtë ose trefishtë edhe të shërbimeve sekrete të tjera), ose janë komprometuar dhe izoluar në masën sa sot nuk gjen asnjë atdhetar nga radhët e këtyre në skenën poltike të sotme, që u ka “mbijetuar” përndjekjeve të ish-regjimit okupator jugosllav dhe dorës së zezë.
            Për këtë çështje, sapo kanë filluar disa të flasin hapur, ndërsa disa të tjerë do të “këndojnë” edhe në Gjykatën e Hagës, por nga kjo nuk përfitojnë gati asgjë shqiptarët si komb, përderisa pasojat që ka lënë mortaja komuniste ndër shqiptarët janë afatgjata.
            Pse gjithmonë shqiptarët duhet të zgjohen vonë, të kenë kujtesë të fjetur dhe asnjëherë strategji kombëtare për t’u paraprirë proceseve, duke u viktimizuar gati përherë për ideale të rrejshme dhe interesa të huaja?!
    (27 shkurt 2021)