Ballina Aktualitet Europa ime: Vdekja dhe ndjenjat e fajësisë

Europa ime: Vdekja dhe ndjenjat e fajësisë

 

Logjika e lockdown-it na mbështjell në një rrjet ndjenjash fajësie, ikje nga e vërteta dhe besimesh iluzore, mendon Stanisław Strasburger.

“Në gjendjen e pritjes pa rezultat njeriu mund të humbasë shpresën dhe besimin, të heqë dorë përkohësisht apo përgjithmonë, t‘i vijë në majë të hundës me këtë jetë”, lexova në mes të janarit në një e-mail. Mikja ime 82 vjeçare, autore e këtij mesazhi, është një njeri shumë i dashur për mua. Annelinë e kam përjetuar përherë si një grua të dashur, të mençur, gjithmonë e gatshme për të ndihmuar të tjerët në nevojë, rebele në mendime dhe me shpirt të gjallë, e stolisur me kaçurela, që i bien lozonjarë mbi fytyrë.

Pasi tregon në e-mail, se nga ky virus i vogël me efekt të madh ndjehet „e vënë me detyrim në një „gjendje të pazakontë pushimi” me ndalim-lëvizje”, ajo shkruan: “Ku ka një fillim, ka edhe një fund. (…) qorrsokakët, rrugët njëdrejtimëshe, rrota që vërtitet pafundësisht, ndihmojnë shumë për të shkaktuar atë cfilitje, nga e cila je tepër i lodhur për ta pranuar zgjuar lamtumirën nga jeta, (…) për ta shijuar ngopjen me jetën, për t’i lejuar vetes lodhjen prej saj dhe për të ikur në paqe me vetveten.”

Çfarë kërkon të më thotë me këtë? Në kokë më vërtiten papritmas mendime të këqija. Si duhet të reagoj? Të kërkoj miqtë e saj, atje ku jeton? Të konsultoj ndihmës profesionistë? Apo ta marr në telefonon e të guxoj të bisedoj me të? Ndjej frikë për të, por edhe për veten. Nëse reagoj „gabimisht” ndaj lajmit, do të ndjehesha ndoshta (bashkë)përgjegjës për vdekjen e një njeriu të afërt timin. Por nga ana tjetër a jam i gatshëm ta pranoj vendimin, që kam frikë se qëndron pas e-mailit? Një pëgjegjësi gjigande më rrëzon për tokë.

Kuptimi dhe shërbimi

Si pjesëtarë të shoqërive të kamura të Perëndimit global kemi krijuar sisteme komplekse, të cilat duhet të na ndihmojnë që t‘i shpëtojmë kësaj përgjegjësie. Henning Scherf, ish-kryetar i bashkisë së Bremenit, i cili sot angazhohet për një konfrontim më të mirë me vdekjen, shkruante që në vitin 2016 për komercializimin e fazës së fundit të jetës si pjesë e një sektori të shërbimit sanitar, që e sposton vdekjen në një zonë tabu.

Ai thotë se kështu spitalet tona kthehen në shtëpi, ku njerëzit vdesin, dhe mjekësia e sëmundjeve të brendshme e stërmbingarkuar, e inkorporuar në një treg të pavarësuar me fitime gjigande, funksionon si një platformë e asistencës mjekësore për të dobësuarit nga sëmundja dhe që ndërrojnë jetë. Megjithatë ky sistem përmbush një funksion shoqëror: vdekja duhet të dëbohet dhe të bëhet e padukshme, ne duhet të çlirohemi nga faji dhe përgjegjësia.

Akoma më tepër. Strategjitë tona për t’i ikur realitetit dhe sektori i shfrenuar i kujdesit sanitar mua më duket se janë çiftëzuar me besimin, se njeriu vdes gjithmonë nga diçka. Vdekja ka një arsye. Dhe se ajo mund të shmangej përmes veprimit të duhur të njeriut. Por a ka me të vërtetë sens, ta kuptosh vdekjen si cikël shkak-pasojë? Dhe a është kjo arsye diçka, që mund të luftohet dhe kështu të shtyhet pafundësisht vdekja?

Rutinat

E-mail i Annelisë më mbërrin në Algarve në kohën, kur numri i njerëzve të testuar positivisht me COVID po rritet. Nga Europa vijnë reagimet rutinë, qeveria në Lisbonë ashpërson masat kufizuese.

Por edhe logjika e lockdown-it na pështjellon në një rrjet kompleks me ndjenja fajësie, ikje nga realiteti dhe besime iluzore. Kjo logjikë është premtim dhe mallkim njëherësh. Një sistem rregullash gjoja gjithëpërfshirëse premton çlirimin nga barra e përgjegjësisë. Në të njëjtën kohë na dëshpëron, se kuptojmë që realiteti i rrëshqet vazhdimisht rregullave. Në procesin e vazhdueshëm „të përshtatjes” rregullat komplikohen aq shumë, saqë në fund gati askush nuk e di si duhet vepruar „në rregull”. Në vend të lehtësimit vjen edhe një ngarkesë tjetër – frustrimi nga dështimi.

Kjo nuk është pa gjë. Në shoqëritë e individualizuara, ku të vendosësh vetë ka prioritet të lartë, rikthimet e lockdown-it minojnë konsensin, mbi të cilin mbahen jo vetëm këto rregulla, por edhe i gjithë rendi i përgjithshëm shoqëror politik. Mënyra problematike e trajtimit të vdekjes, që fshihet pas saj, nuk diskutohet aspak.

Është iluzion të besosh se individët dhe komunitetet kanë detyrën kryesore të mbrojnë të tjerët nga vdekja. Kur vdekja nuk shihet si pjesë e jetës, por si një falimentim njerëzor, dështimi është i paraprogramuar. Ne do t‘i shterrojmë shpejt burimet tona. Ne do të zgjojmë edhe shpresa, të cilat nuk mund të përmbushen: Secila vdekje do të ngrejë pyetjen se kush është fajtori. Si individë dhe shoqëri kjo barrë do të na rrëzojë përtokë. Ne do të bëhemi pre e lehtë për ata, të cilët si barinjtë e kujdesshëm krijonë imazhin se do të na nxjerrin nga qorrsokaku dhe do të na çlirojnë nga frika dhe dëshpërimi.

Një mesazh për të gjithë ne

Sado banale që të tingëllojë: Ne posedojmë burime të pakufizuara dhe jemi të gjithë të vdekshëm. Për këtë nuk ka faj askush! Ashtu siç mësojmë me mundim, se eutanazia nuk ka relevancë penale (se nuk është vetëvrasje), duhet të mësohemi ta pranojmë se vdekja ndonjëherë vjen „si pasojë e moshës”, dhe është madje e natyrshme. Pavarësisht se cilat infekte mund të testojmë në trupin tonë me tërë ato sisteme të pavarësuara të kujdesit shëndetësor.

Stanislaw Strasburger është shkrimtar dhe menaxher kulture. Romani i tij aktual: „Tregtari i rrëfimeve” u botua në gjermanisht në 2018 (në polonisht në 2009 dhe në arabisht në 2014). Autori ka lindur në Varshavë dhe jeton mes Berlinit, Varshavës dhe qyteteve të ndryshme mesdhetare. Ai është gjithashtu anëtar i këshillit të shoqatës „Humanismo solidario”./ DW