Ballina Aktualitet Disa kultura e kanë përballuar më mirë pande minë. Ja se çfarë...

Disa kultura e kanë përballuar më mirë pande minë. Ja se çfarë kanë të përbashkët ato

 

Nga Carly Cassella

Covid-19 është një krizë globale që ka marrë jetën e më shumë se 2 milion njerëzve në të gjithë botën, dhe disa vende e kanë përballuar këtë krizë shumë më mirë se të tjerat. Një studimi i ri tregon se kulturat që nxisin një respekt më të madh ndaj normave shoqërore, dhe kanë masat më të ashpra disiplinore, kanë shumë më tepër kontroll mbi infeksionin e koronavirusit.

Që prej tetorit të vitit 2020, ato kombe që shënuan pikët më të larta në nivelet e “lirshmërisë” kulturore raportuan gati 5 herë më shumë raste me Covid-19, dhe gati 9 herë më shumë të vdekur. Kjo ishte e vërtetë edhe kur krahasohej me demografinë, faktorët gjeopolitikë, emigrimin, shkallën e vaksinimit, përvojën me SARS, klimën etj.

Studimi i ri mund të tregojë vetëm një lidhje, por sipas psikologes kulturore Mishel Gelfand, kjo marrëdhënie nuk është e gabuar. Lufta kundër një sëmundje infektive, kërkon që një vend të arrijë me lehtësi bashkëpunimin dhe koordinimin në shkallë të gjerë, dhe të ndjekë me përpikmëri rregullat që vendosen.

Të gjitha këto janë tipare që u mungojnë kulturave më liberale. Në studimin e saj të shkuar, Gelfand ka vëzhguar vendet me kultura më strikte që kanë përjetuar kërcënime më të jashtme, kolektive – të tilla si luftërat, katastrofat natyrore, uria apo sëmundjet – dhe ajo argumenton se që këto kultura të mbijetonin, e vunë theksin tek kolektivi dhe një tolerancë e ulët ndaj kaosit.

Për këtë arsye, janë të përgatitur më mirë për krizën në fjalë.“Kjo është hera e parë që ne kemi qenë në gjendje të analizojmë, se si vendet rreth botës reagojnë ndaj të njëjtit kërcënim kolektiv që ndodh njëkohësisht.

Studimi ynë i kaluar sugjeronte se kulturat më konservatore, mund të jenë më të mirë-pajisura për t’iu përgjigjur një pandemie globale sesa kulturat e lira,pasi ato mund të jenë më të gatshme të bashkëpunojnë me rregullat. Rezultatet tona mbështetën këtë ide”-thekson ajo.

Hulumtimi i ri u përpoq të provonte vitin e shkuar teorinë e “kufizim-lirshmërisë” në 57 vende. Krahasuar me Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Izraelin, Brazilin, Spanjën dhe Italinë, studimi i Gelfand tregon se vende si Singapori, Japonia, Koreja e Jugut, Kina dhe Austria kanë kultura shumë më konservatore dhe me ndëshkime më të rrepta për devijimin ndaj rregullave.

Ndërkohë, Singapori ka qenë një nga më të mirët në mbajtjen nën kontroll të virusit. Kohët e fundit ai u rendit i 13-ti në botë për reagimin e tij ndaj Covid-19. Në tetorin e vitit 2020, një analizë e “Our World In Data”, tregon se ky vend kishte gati 10.000 raste për 1 milion njerëz, dhe vetëm 5 vdekje për 1 milion njerëz.

Njëkohësisht, Brazili dhe SHBA-ja kishin më shumë se 24.000 raste me Covid-19 për 1 milion njerëz, dhe afro 700 vdekje. Sigurisht, jo të gjitha kulturat liberale, u paraqitën dobët në frenimin e përhapjes së virusit. Disa, si për shembull Zelanda e Re, provuan të ishin një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, ndoshta pasi qeveria kishte mesazhe shumë të forta dhe të qëndrueshme, tek të cilat njerëzit kishin besim.

Dhe vlen të përmendet se janë edhe vende të tjera me kultura konservatore si India dhe Botsvana, të cilat gjithashtu kanë pasur një përballje të mirë me pandeminë. Gjithsesi, rezultatet sugjerojnë se lirshmëria kulturore mund të jetë një përgjegjësi gjatë një krize.

“Fryma jonë e prishjes së rregullave në SHBA është e shkëlqyer për krijimtarinë dhe inovacionin. Por nuk është e përshtatshme për t’u përballur me një kërcënim kolektiv”-thotë Gelfand. Autorët shpresojnë që rezultatet e studimit të tyre, të na ndihmojnë të mësojmë nga vendet me kultura më konservatore, të cilat në përgjithësi e kanë kontrolluar virusin shumë më mirë.

Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht gjobitje në masë për mos-mbajtjen e maskës apo  distancimit social. Tek e fundit, kjo qasje nuk do të shkonte shumë mirë në kulturat më liberale. Ndërkohë, ndërhyrjet duhet t’i bëjnë njerëzit të ndjehen sikur janë ende në kontrollin e situatës, thonë autorët, dhe në këtë kuadër mesazhet nga qeveria janë thelbësore.

Ekipi i studiuesve thotë se në fillim të pandemisë, vendet me kultura më liberale, mund të priren të kenë një ndjenjë optimizmi jorealiste, duke pasur parasysh përvojën e tyre me kërcënimet kolektive. Kjo, nga ana tjetër, mund të ulë nivelin e frikës tek publiku, duke i bërë ata të jenë më pak të prirur që të ndjekin rregullat për mbajtjen e maskës dhe distancimin shoqëror.

Duke përdorur të dhënat nga një sondazh i veçantë mbi 22 vende, Gelfand dhe kolegët e saj zbuluan se njerëzit që jetonin në kultura më liberale, ishin shumë më pak të shqetësuar se mos prekeshin nga Covid-19 sesa njerëzit që jetonin në vende me kultura më konservatore, me gjithë shansin e tyre më të ulët të infektimit.

“Kjo  e dhënë ishte shumë e habitshme për ne, pasi normalisht frikërat shtohet gjatë një kërcënimi kolektiv, që e bën më të lehtë vendosjen e masave kufizuese”- thotë Gelfand. Komunikimi i koordinuar, i qartë dhe i qëndrueshëm i rrezikut, mund të jetë veçanërisht i rëndësishëm tek vendet me kulturë konservatore gjatë një krize kolektive.

Autorët e studimit e pranojnë se lloji i kulturës, nuk është ndoshta i vetmi faktor se si vendet kanë reaguar ndaj pandemisë aktuale, por ata mendojnë se është një faktor i rëndësishëm. Një studim i fundit nga Instituti Lowy, zbuloi se vetëm faktorët sistematikë nuk mund të bënin diferencën në rastet dhe vdekjet nga Covid-19.

Ndërsa vendet me popullsi më të vogël, shoqëritë kohezive dhe institucionet e afta, duket se kishin një avantazh në trajtimin e pandemisë. “Ne besojmë se ndërhyrjet për të forcuar rregullat kulturore gjatë Covid-19, mund të jenë të suksesshme nëse ato u përshtaten ndryshimeve në rrethanat unike të vendeve”-shpjegon Gelfand.

“Sa më shpejt që të shtrëngojmë masat, aq më shpejt do të jemi në gjendje që të zvogëlojmë kërcënimin nga virusi, dhe aq më shpejt do të jemi në gjendje të rikthejmë normalitetin që kishim. Mbi të gjitha, ne kemi nevojë për më shumë aftësi për të lëruar dhe shtërnguar masat, bazuar tek niveli i rrezikut më të cilin po përballemi”-përfundon ekspertja. / “Science Alert” – Bota.al