Ballina Bota Britania do të zbusë masat shtrenguese ndaj koronavirusit

Britania do të zbusë masat shtrenguese ndaj koronavirusit

 

Kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi të hënën planet për fillimin e lehtësimit të masave shtrenguese ndaj koronavirusit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Londra, zoti Johnson vlerësoi programin e shpejtë të vaksinimit për të filluar rihapjen, mes provave shkencore në rritje se vaksinat do të ndihmojnë për të vënë nën kontroll pandeminë globale.

Britania është ndër vendet që ka kufizimet më të rrepta në botë. Shkencëtarët qeveritarë thonë se masat kundër koronavirusit po funksionojnë ndërsa numri i infeksioneve dhe vdekjeve është në rënie.Kryeministri Johnson njoftoi se po vjen koha për të filluar rihapjen.

“Dy javë nga sot do të hapen të gjitha shkollat për mësimin nëpër klasa. Duke filluar nga 8 marsi, njerëzit mund të takojnë një person që nuk është pjesëtar i familjes së tyre për të biseduar dhe kaluar kohë përjashta.”

Kryeministri njoftoi një plan për të rihapur ekonominë dhe shoqërinë hap pas hapi për disa muaj, siç u shpreh ai, bazuar në të dhëna, jo data. Shërbimet jothelbësore dhe dyqanet do të qëndrojnë të mbyllura të paktën deri në prill.

“Po përcaktojmë atë që shpresoj dhe besoj se është rruga drejt çlirimit”, tha Kryeministri Johnson.

Londinezët e mirëpritën gjerësisht njoftimin.

“Kësaj here u besoj. Mendoj se kanë nxjerrë mësime nga e kaluara”, thotë Rachel Thomas e cila banon në Londër.

“Do të ishte mirë hapja sa më parë por me hapa të kujdesshëm”, thotë londinezi Tadge Dabrowski.

Ndërsa masat shtrënguese kanë ulur infeksionet, shkencëtarët thonë se ka gjithashtu prova paraprake se programi britanik i vaksinimit po fillon të ketë efekt.

Rezultatet fillestare sugjerojnë që të dy vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca janë shumë efikase në parandalimin e shtrimeve në spital. Shkencëtarët thonë se rezultatet janë ‘spektakolare’. Lawrence Young është ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin Warwick.

“Është arritje e madhe të fitosh 80% mbrojte ndaj një sëmundjeje të rëndë. Mbrojtja më e mirë që ofron një vaksinë kundër gripit është 60%”.

AstraZeneca është një shtyllë kryesore e programit britanik të vaksinimit. Por disa shtete kanë hedhur dyshime mbi efektshmërinë e saj, me Francën, Gjermaninë dhe Korenë e Jugut, mes të tjerash, që rekomandojnë kundër dhënies së vaksinës moshave mbi 65 vjeç.

“Mendoj se nuk ka asnjë arsye që vendet e tjera në Evropë dhe gjetkë të shqetësohen mbi efektshmërinë e vaksinës AstraZeneca tek popullsia e moshuar”, thotë Lawrence Young, ekspert i sëmundjeve infektive në Universitetin Warwick.

Të dhënat fillestare sugjerojnë se vaksina AstraZeneca mund të mos jetë aq efektive kundër variantit jugafrikan të koronavirusit për të parandaluar simptomat e mesme dhe të buta të sëmundjes, por mund të parandalojë rastet e rënda.

Ndërkohë, lajmet nga Izraeli janë inkurajuese, ndërsa gjysma e popullsisë së atij vendi ka marrë tashmë dozën e parë të vaksinës. Hulumtimet tregojnë se vaksina Pfizer jo vetëm që parandalon sëmundjen, por edhe ndalon infektimet, një element kyç për vënien e pandemisë nën kontroll.