Ballina Rajoni Italia zgjat kufizimet në udhëtim

Italia zgjat kufizimet në udhëtim

 

Qeveria italiane ka zgjatur ndalesën për udhëtimet jo të domosdoshme në mes të 20 rajoneve të këtij shteti deri më 27 mars, teksa autoritetet synojnë të luftojnë përhapjen e varianteve të reja të koronavirusit.

Zyrtarët kanë thënë po ashtu se Ministria e Shëndetësisë do të rrisë përpjekjet për vaksinim, duke u kërkuar rajoneve që të përdorin të gjitha dozat që kanë, në vend të ruajtjes së tyre për dhënie si dozë të dytë.

Ndalesa për udhëtime brenda Italisë është prezantuar pak para Festës së Krishtlindjes dhe pritej të skadonte më 25 shkurt, mirëpo zyrtarët frikësohen se lehtësimi i masave të izolimit mund të rezultojë me raste të reja të infektimit me variantin britanik të koronavirusit.

Një nga vendimet e para të kryeministrit Mario Draghi ka qenë edhe kufizimi për të vizituar familjen dhe miqtë, duke thënë se nuk lejohen më shumë se dy persona në shtëpi të huaj.

Ndonëse numri i personave të infektuar me koronavirus nga rënë nga 40,000 në nëntor, në 15,000 tani, shkalla e infektimit dhe përqindja e testeve pozitive është rritur në disa rajone.

Prej shpërthimit të pandemisë në shkurt të vitit të kaluar, autoritetet italianë kanë regjistruar 95,718 viktima me këtë virus, njëherësh shifra më e lartë në Evropë pas Britanisë, dhe e shtata në listën botërore.