Ballina Aktualitet Shteti që nuk publikon rastet me COVID-19, OBSH i bën thirrje për...

Shteti që nuk publikon rastet me COVID-19, OBSH i bën thirrje për raportim

 

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka bërë thirrje Tanzanisë që të nisë të raportojë rastet me koronavirus dhe të ndajë të dhënat, njofton BBC.

Tanzania është një nga vendet e pakta në botë që nuk publikon të dhëna për rastet me COVID-19. Së fundi i ka publikuar në maj, kur kishte regjistruar në total rreth 500 raste e 20 të vdekur.

Në qershor, presidenti John Magufuli, e shpalli Tanzanisë të “çliruar nga virusi”.

Mirëpo, po rritet shqetësimi për mundësinë e pandemisë së fshehur.

Thirrja e OBSH-së ka ardhur pas një numri të vdekjeve të zyrtarëve qeveritarë.

Zëvendës-presidnti i ishullit gjysmë-autonom të Tanzanisë, Zanzibar, Seif Sharif Hamad, vdiq të mërkurën.

Partia e tij tha se ai ishte infektuar me koronavirus.

Ai ishte politikani më i shquar në Tanzani që publikisht deklaroi se është i infektuar me koronavirus.

Edhe kreu i shërbimit civil, John Kijazi, vdiq të mërkurën, por nuk u treguan shkaqet e vdekjes.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka ngushëlluar Tanzaninë për vdekjet e qeveritarëve, por në të njëjtën kohë e ka lutur që të ndajë të dhënat e rasteve me COVID-19.

Derisa është e vështirë të dihet përmasa e përhapjes së koronavirusit në Tanzani pa të dhënat, Ghebreyesus, ka thënë se qytetarët e Tanzanisë që po udhëtojnë jashtë shtetit po rezultojnë pozitiv me koronavirus.

“Tanzania duhet të marrë masa të forta si për t’u kujdesur për shëndetin e qytetarëve të saj e po ashtu edhe për të mbrojtur popullatën në shtet tjera rreth”, ka thënë ai.

Presidenti i Tanzanisë, Magufuli, më herët ka minimizuar rreziqet nga pandemia dhe ka refuzuar të marrë masa. Ministri i Shëndetësisë më herët këtë muaj ka thënë se Tanzania nuk ka plane për vaksinim kundër koronavirusit.

Mirëpo, të premten, duke mbajtur fjalim në varrimin e Kijazit, Magafuli është dukur se ka pranuar se virusi po qarkullon në Tanzani.

Ai ka thënë se Tanzania e mposhti COVID-19 vitin e kaluar dhe se do ta mposhtë sërish.

Më pas të dielën, ai ka inkurajuar njerëzit të mbajnë maska për të evituar infektimin.

Mirëpo, ai ka bërë thirrje të përdoren masat e prodhuesve vendor, ndërsa pa dëshmi ka thënë se disa nga maskat e importuara nuk janë të sigurta. /express/