Ballina Rajoni Serbia paketë prej 2.5 miliardë euro për rimëkëmbjen nga kriza e koronavirusit

Serbia paketë prej 2.5 miliardë euro për rimëkëmbjen nga kriza e koronavirusit

 

Serbia planifikon të shpenzojë rreth 2.5 miliardë euro në kredi dhe subvencione për bizneset dhe pagesa për pensionistët dhe qytetarët e tjerë, për t’i ndihmuar që të përballojnë ndikimin ekonomik të koronavirusit, deklaroi presidenti Aleksandër Vuçiç.

Paketa parashikon një sërë masash, përfshirë pagesa deri në 50% të pagës minimale për punonjësit e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla dhe garanci shtetërore për huazim në bankat tregtare. “Ne duam ta forcojmë jashtëzakonisht sektorin privat”, tha Vuçiç për televizionin shtetëror RTS.

Shteti planifikon të shpërndajë edhe 30 € për çdo qytetar serb të rritur ose rreth 5 milionë njerëz, në maj dhe nëntor, dhe një shtesë prej 50 € për çdo pensionist, tha Vuçiç. “Do të ketë tre dhurata (të tilla) për pensionistët, dhe dy për të gjithë qytetarët e rritur”, tha Vuçiç.

Vuçiç tha se borxhi i përgjithshëm publik këtë vit nuk do të kalojë nivelin 61% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Buxheti i vitit 2021 i Serbisë parashikon rritje ekonomike në 6%, pas një tkurrjeje të vlerësuar prej rreth 1% në vitin 2020. Ai gjithashtu përcakton deficitin e vitit 2021 në nivelin 3%. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon që ekonomia e Serbisë të rritet me 5% në vitin 2021, pas një parashikimi të tkurrjes 1.5% vitin e kaluar.

Marsin e kaluar, Serbia shpërndau 5.5 miliardë € për të ndihmuar bizneset dhe qytetarët të përballen me krizën. Shpenzimet shtesë e rritën deficitin në vitin 2020 në rreth 8.9%, nga 0.3% i parashikuar më parë.

Në Serbi, e cila ka një popullsi prej rreth 7 milionë, 3,924 njerëz kanë vdekur nga COVID-19 dhe 387,206 u sëmurën. Vendi, i cili ka filluar një program kombëtar për vaksinim, regjistroi javën e kaluar një variacion të ri të koronavirusit.