Ballina Aktualitet Kosnett shpreh gatishmëri për të punuar me Qeverinë e re të Kosovës

Kosnett shpreh gatishmëri për të punuar me Qeverinë e re të Kosovës

 

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, tha se Amerika qëndron krah Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Qeverinë e re të Kosovës, sapo të formohet, “në qëllimet e përbashkëta të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit”.

Kosnett i bëri komentet në Twitter, një ditë pasi në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Rezultat preliminare nxorën fituese Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.

“Urime qytetarëve të Kosovës, që demonstruan përkushtim ndaj demokracisë dhe një vizion për të ardhmen”, shkroi po ashtu Kosnett në Twitter.

Kurti ka thënë më herët se Kosova do marrëdhënie jo vetëm të mira me SHBA-në, “por edhe shumë më të mira se që janë, në aspektin bilateral, ushtarak, ekonomik e kështu me radhë”.

“Nuk mund t’i zëvendësojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me asnjë partner ose aleat tjetër. Me SHBA-në ne kemi raporte të një shteti të ri me një shtet, për të cilin të thuash na ka ndihmuar, përkrahur e mbështetur, gjithmonë është pak”, ka thënë Kurti.