Ballina ED/OP Faton Bislimi, figurë kyçe e lobit shqiptaro-amerikan

Faton Bislimi, figurë kyçe e lobit shqiptaro-amerikan

 

Shkruan: Ramiz Tafilaj 
Si qytetar amerikan, por mbi të gjitha si shqiptar i Kosovës që thuajse gjysëm shekulli e kam kaluar në SHBA, asnjëherë nuk kam qëndruar inferior ndaj çështjes sonë kombëtare, por asnjëherë as edhe që kam qenë politikisht i angazhuar, e aq më pak në ndonjë parti politike. Fokusi im primar në ndihmë të Kosovës dhe kauzës sonë kombëtare ka qenë gjithëherë tek arsimimi. Andaj, ndihem krenar që shtëpia ime ka shërbyer si vatër e qëndrimit dhe zhvillimit akademik të dhjetra studentëve meritorë nga Kosova, disa prej të cilëve sot na zbardhin fytyrën neve si komb me të arriturat e tyre në profesionet e tyre, qoftë këtu në SHBA, apo tjetërkund.
Çdo respekt për secilin kandidat në garen për Parlamentin e Kosovës, por po ta vendosim dorën në zemër dhe të flasim pa asnjë ngarkesë politike a partiake, por vetëm me interesin nacional në mendje, atëherë nuk mund të mos them se njëri nga figurat e reja politike të Kosovës, por me një bagazh të jashtëzakonshëm këtu në Amerikë, është krenari dhe aset kombëtar.
Dr. Faton Bislimi, deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturen e fundit, për ata që nuk e dijnë, është figurë kyçe e lobit shqiptaro-amerikan, dhe krah i djathtë i Kongresistit DioGuardi, njeriut që ka ndërtuar e mirëmbajtur tash e tri dekada marrëdhenjet speciale në mes të Kosovës dhe SHBA-ve. Fatoni ka të paktën dy dekada përvojë lobimi e bashkëpunimi me figurat më të rëndësishme të politikbërjes amerikane në Washington, DC. Fatoni mund të mos jetë i njohur ende sa duhet nga publiku kosovar, por ai është i njohur për shumë zyrtarë të lartë në Washington, DC, duke përfshirë edhe Presidentin Joe Biden, Senatorin Bob Dole, dhe figura tjera të pazëvendësueshme që ishin boshti i përkrahjes politike ndaj Kosovës gjatë viteve të 1990-ta dhe në të 2000-tat, me disa prej të cilëve Fatoni ka pasë mundësi të punojë si Kongresistët Ben Gilman, Tom Lantos, Henry Hyde, etj.
Fatoni, me prejardhje nga Gjilani, ka qenë shqiptari i parë nga Kosova që ka arritë të jetë pjesë e stafit të Komitetit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Kongresit të SHBA-ve në fillim të viteve 2000, dhe të dëshmojë edhe në Seanca Degjimore të Kongresit të SHBA-ve për cështjen e Kosovës, si dhe të jetë një ndër bartësit e organizimit të disa dëgjimeve me rëndësi të posacme për pavarësinë e Kosovës. Pos lidhjeve e përvojës me Kongresin e SHBA-ve, Fatoni ka krijuar bashkëpunim dhe miqësi edhe me zyrtarë të lartë të Administratës dhe Departamentit të Shtetit, duke sjellë në tavolinë të tyre cështjen e Luginës së Preshevës zyrtarisht për herë të parë para pesë viteve, për shembull.
Përvoja e Fatonit në Capitol Hill dhe njohuritë e tij të dorës së parë për  mënyrën e funksionimit të politikës në SHBA janë aset i paçmuar. Shtoja kësaj edhe përgatitjen e tij akademike — studimet universitare të mbaruara me nderimet me të larta akademike në Texas, magjistraturën në zhvillim ndërkombëtar në Harvard, magjistraturën e dytë në marrëdhënje ndërkombëtare në Canada, si dhe së fundi doktoraturën në shkenca politike. Sikur krejt kjo të mos mjaftonte, Fatoni është një nga oratorët më të mirë dhe elokuenca e të shprehurit të tij në anglishtë nuk dallon nga cilido amerikan i kalibrit më të lartë profesional.
Personaliteti i tij është vlerësuar lartë dhe në shumë sfera. Akademikisht, ai është fitues i një sër çmimesh prestigjioze në Amerikë e ndër to do veçoja atë të “Kennedy Fellowship” në Harvard, apo edhe atë për lidership si ajo “Marshall Memorial Fellowship” nga German Marshall Fund of the US në Washington, DC. Lista e cmimeve që nderojnë Fatonin është e gjatë, por më e gjatë se kjo listë është lista e veprimeve dhe kontributeve të tij për kauzën kombëtare, në disa prej të cilave kam qenë vet dëshmitar. Ai sot vazhdon të shërbej si anëtar i Bordit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe anëtar i Komitetit Këshilldhënës Strategjik për Diplomaci Qytetare pranë German Marshall Fund of the US.
Pos të shprehurit elokuent, Fatoni ka edhe aftësi të jashtëzakonshme të të shkruarit. Ai është autor i disa librave, por mbi të gjitha është ndër shqiptarët e paktë që kanë arritë të mbrojnë kauzën kombëtare në gazetat më presitigjioze amerikane si Washington Times, për shembull, saherë që në shkrime të tyrë është cënu Kosova.  Dhe, mos të harrojmë, Fatoni që sot është kandidat për deputet i nga rradhët e LDK-së, ishte student i të njejtit program në Harvard me Vuk Jeremiqin e Serbisë dhe nga kolegët e vet dhe profesorët është vlerësuar se sa herë ka debatuar për Kosovën qoftë me Jeremiqin por besa edhe me Tadiqin në një ngjarje publike në Harvard, Fatoni ka dalë fitues dhe jo vetëm.
Për fund, e bëra këtë shkrim jo për t’i thurrë lëvdata Fatonit, sepse krejt cfarë kam thënë këtu është faktike, dhe ka shumë më shumë se kaq, e qe kësaj herë nuk po i cekë, por për të treguar se Kosova ka djemë e vajza shumë të përgatitura që diplomatikisht e politikisht jo vetëm që i bëjnë ballë Serbisë fuqishëm, por këtë e bëjnë duke sforcuar edhe miqësinë edhe përkrahjen e Amerikës për neve.
LDK duhet të jetë më shumë se krenare që në listën e vet ka një personalitet si Faton Bislimi! Interesin kombëtar të Kosovës duhet ta mbrojmë me dinjitet dhe me profesionalizëm, me përkushtim dhe me mencuri. Një aset kombëtar si Faton Bislimi është vlerë e shtuar për shtetin e Kosovës.
Ramiz Tafilaj

Houston, Texas, U.S.A. 
President dhe Botues, Jalifat Publishing
Akvisit i nderuar me Cmimin per Arritje Jetesore nga Presidenti i SHBA-u.