Ballina Aktualitet Rikthimi i Amerikës

Rikthimi i Amerikës

 

Nga dr. Islam LAUKA,
ish ambasador i parë i Shqipërisë në Kosovë, President i Qendres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike; Drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike; Pedagog në Prishtinë.
Fjala kyç gjatë vizitës së presidentit Bajden në Departamentin e Shtetit, javën e kaluar, ishte “kthim”: kthimi i Amerikës, kthimi i diplomacisë, kthimi i kredibilitetit dhe autoritetit moral të SHBA-së në botë.
Në të vërtetë, kemi të bëjmë me një rikthim të Amerikës në brazdat e njohura të politikës së saj të jashtme, pas një largimi të përkohshëm, gjatë mandatit të presidentit Tramp.
Midis hapave që dëshmojnë rikthimin e SHBA-së në politikën globale, mund të veçohen: nënshkrimi, ditën e parë të presidencës, i dokumentit për t`iu bashkuar Marrëveshjes së Parisit për klimën; rikthimi në Organizatën Botërore të Shëndetësisë; rikthimi në Këshillin e OKB-së për të drejtat e njeriut; vendimi për t`iu bashkuar Marrëveshjes Bërthamore me Iranin; pezullimi i urdhërit për largimin e 9500 trupave amerikane nga Gjermania; shfuqizimi i urdhërit ekzekutiv për ndalimin e hyrjes në Amerikë të shtetasve nga shtatë vende muslimane; rritja e kuotës së pranimit të refugjatëve në SHBA, nga 25 000, në 125 000 vetë, etj.
Ndër pikat themelore të fjalimit të presidentit Bajden në Depatamentin e Shtetit që, gjithashtu, dëshmonjë rikthimin e Amerikës, mund të veçohen: përballimi i sfidave globale bashkërisht (“vetëm nuk ia dalim dot”, deklaroi Bajdeni); ruajtja e lirisë dhe e demokracisë në botë; respektimi i të drejtave të njeriut; sundimi i ligjit; trajtimi i çdokujt me dinjitet; kundërshtimi i autoritarizmit; rimëkëmbja e aleancave; udhëheqja me fuqinë e shembullit, në vend të shembullit të fuqisë.
Marrë në tërësi, mund të thuhet se politika e jashtme e administratës Bajden, në aspektin global, nuk është vazhdim i asaj të mëparshmes, të presidentit Tramp, përkundrazi, shënon një shkëputje të qartë prej saj.
Po në raport më Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi si paraqitet politika e administratës së re?
Letra e presidentit Bajden, drejtuar Aleksandër Vuçiçit, me rastin e festës shtetërore të Serbisë, ku i kërkohet njohja e Kosovës, nuk le fije dyshimi se edhe këtu kemi të bëjmë, jo me vazhdimësi, por me shkëputje të qartë nga politka e administratës së Trampit.
Në takimin e 4 shtatorit 2020, në Uashington, u fol për gjithçka, por vetëm për njohje të Kosovës, jo. Aty u morën me problemet e normalizimit ekonomik Kosovë-Serbi, ndërsa çështjet politike iu lanë BE-së. Për herë të parë, në vend të emrit kushtetues, “Republika e Kosovës”, në dokumentin e nënshkruar, (letër zotimesh), në prani të presidentit amerikan, u përdor termi “Kosovë-Prishtinë”.
Duke iu referuar njohjes së Kosovës nga Izraeli dhe hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Nxitjen e Investimeve Kosovë-SHBA, përfaqësues të koalicionit qeveritar në largim, deklarojnë me tone triumfaliste se edhe presidenca e Bajdenit do t`i përmbahet “marrëveshjes” së Uashingtonit.
Duke i vlerësuar këto dy zhvillime si pozitive dhe në interes të Kosovës, gjithsesi, nuk duhet harruar se letra e zotimeve në Uashington përfshin 16 pika, disa prej tyre, në kundërshtim me interesat jetike të Kosovës (bashkimi i Kosovës me zonën e “minishëngenit” ballkanik që i hapë rrugë vërshimit të mallrave ruse në tregjet tona; studimi i fizibilitetit për gjetjen e rrugëve, lidhur me shfrytëzimin e përbashkët midis Kosovës dhe Serbisë, të Liqenit të Ujmanit, etj.)
Edhe sikur administrata Bajden të tregohej e gatshme për t`i zbatuar këto pika, ne, me durim e me vendosmëri, do të duhej t`ia shpjegonim arsyet përse duhet hequr dorë prej tyre. Por kjo gjë nuk është e nevojshme, sepse ditën e firmosjes së “marrëveshjes” së Uashingtonit, me 4 shtator 2020, Bajdeni pati deklaruar se Republika e Kosovës është shtet i pavarur (kundër termit “Kosovë-Prishtinë”), ndërsa në tetor 2020, ai kërkoi hapur që në dialogun Kosovë-Serbi të ketë trajtim të barabartë të palëve (jo favorizim të Serbisë) dhe bashkëpunim me BE-në për gjetjen e një zgjidhjeje që respekton integritetin territorial dhe çon në njohjen e Kosovës nga Serbia. Letra e fundit drejtuar Vuçiçit është pjesë e këtij qëndrimi parimor të presidentit aktual amerikan.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se, me ardhjen e Bajdenit në postin e presidentit, njohja e Kosovës, nga ana e Serbisë, do të bëhet menjëherë dhe ne të rrimë duarkryq. Duhet të jemi realistë dhe të kuptojmë se Kosova nuk është në përparësitë kryesore të administratës së re amerikane. Xho Bajdeni ballafaqohet me sfida serioze brenda vendit, si polarizimi i thellë shoqëror, pandemia kovid-19 dhe kriza e rëndë ekonomike. Edhe në fushën e jashtme, para administratës amerikane qëndrojnë çështje shumë më të ngutshme sesa dialogu Kosovë-Serbi. Shto këtu edhe faktin që opinioni publik në SHBA, por edhe ai në BE preferon përqëndrimin e qeverive në zgjidhjen e problemeve të brendshme.
Nisur nga ky kontekst i situatës ndërkombëtare dhe mbi bazën e analizës kritike të saj, mendoj se, veç të tjerash, nga ana jonë, duhet të ndërmerren edhe këta hapa:
Së pari, ne duhet të bëjmë atë që varet drejpërdrejt prej nesh – përcaktimin e një strategjie efikase në dialogun Kosovë-Serbi, e cila merr në konsideratë interesat themelore shtetërore e kombëtare të Kosovës, si dhe unifikimin e gjithë spektrit politik por edhe të shoqërisë, rreth saj. Pasi të realizohet ky hap, ne mund dhe duhet të kërkojmë ndihmën e partnerëve dhe aleatëve tanë strategjikë, Uashingtonit dhe Brukselit, për jetësimin e tij.
Fushata e tanishme zgjedhore po dëshmon praninë e sëmundjeve kronike, të shfaqura në vazhdimësi, gjatë 20 vjetëve. Partitë politike vazhdojnë të jenë shumë të përçara edhe në çështje të tilla të ndjeshme për shtetin, si politika e jashtme. Vetë bashkëpunimi dhe partneriteti me SHBA-në po shihen në funksion të fushatës zgjedhore, të axhendave politike dhe si monopol i kësaj apo asaj partie. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, deklaron se, gjoja Uashingtoni i njeh vlerat e partisë së drejtuar prej tij dhe letrën e Bajdenit, në adresë të Vuçiçit, për njohjen e Kosovës e konsideron si një sinjal të qartë për çdokënd në Kosovë (në favor të LDK-së). Albin Kurti, i cili me të drejtë kundërshtoi arrogancën e D. Trampit dhe R. Grenellit, vazhdon të stigmatizohet nga partitë e vjetra pushtetore, sidomos, nga PDK dhe LDK, pavarësisht se gjatë fushatës presidenciale në SHBA, ai ishte i vetmi politikan në Kosovë që “guxoi” të mbështesë publikisht kandidatin, Xho Bajden.
Së dyti, ashtu si administrata e re amerikane, e cila po ndërmerr hapa konkretë për detrampizimin e politikës së jashtme, duke u larguar nga qëndrimet e njëanshme, transaksionale dhe merkantiliste, edhe ne duhet të marrim hapat tonë respektivë. Rikthimit të Amerikës në politikën tradicionale duhet t`i përgjigjemi edhe ne me rikthimin tonë në politikën e mëparshme parimore. Në këtë kuadër, është me rëndësi që të hiqet dorë, përfundimisht, nga koncepti trampist, sipas të cilit, normalizimi politik midis Kosovës dhe Serbisë vjen nëpërmjet normalizimit ekonomik. Përvoja dëshmon se e kundërta është e vërtetë – normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi në fushën ekonomike dhe në çdo fushë tjetër është i mundur vetëm pas njohjes së tyre të ndërsjellë, si shtete të pavaruara e sovrane, brenda kufijve ekzistues.
Së treti, duhet refuzuar si i papërgjegjshëm, i padenjë dhe në dëm të interesave të vendit, qëndrimi servil para ndërkombëtarëve, i shprehur në postulatin e kryeministrit në detyrë, Avdullah Hoti, sipas të cilit, duhet pranuar çdo gjë që thotë Trampi (apo çdo përfaqësues tjetër ndërkombëtar).
Qeveria e re që do të dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, duhet që, jo t`ua delegojë të huajve, por të marrë mbi vetë barrën e rëndë të përgjegjësisë për mbrojtjen e interesave jetike të shtetit, në fushën e politikës së jashtme. Vetëm kështu bashkëpunimi dhe partneriteti me aleatët tanë strategjikë merr kuptim dhe jep rezultat.
Zbatimi i një politike të tillë të përgjegjshme nuk mund të bëhet pa një reformim të gjithanshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, përfshirë strukturën e saj, rishikimin e ligjit për shërbimin e jashtëm, largimin e të paaftëve dhe të të punësuarve mbi bazën e nepotizmit apo përkatësisë partiake, si dhe plotësimin e organikës së saj me kuadro profesionistë, të përzgjedhur sipas kritereve të meritokracisë, me qëllim kthimin e këtij dikasteri në një institucion vërtet efikas për realizimin e objektivave shtetërorë të politikës së jashtme, në këtë fazë kritike të zhvillimit të vendit tonë.