Ballina Bota Blinken: SHBA do të kthehen në Këshillin e të Drejtave të Njeriut...

Blinken: SHBA do të kthehen në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së si vëshguese

 

Sekretari i Shtetit Antony Blinken njoftoi sot se Shtetet e Bashkuara do të kthehen në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së në cilësinë e vëzhguesit.

Shtetet e Bashkuara u larguan nga Këshilli në vitin 2018. Administrata e Presidentit Donald Trump tha në atë kohë se Këshilli ishte i njëanshëm kundër Izraelit, kishte nevojë për një numër reformash dhe kishte midis anëtarëve të tij vende që ishin akuzuar për shkelje të të drejtave të njeriut si Kina, Kuba dhe Venezuela.

Sekretari Blinken tha sot në një deklaratë se tërheqja e SHBA nuk bëri asgjë për të inkurajuar ndryshime me rëndësi, përkundrazi krijoi një zbrazëti të udhëheqjes amerikane, të cilën vendet me axhenda autoritare e kanë përdorur në favor të tyre.

Zoti Blinken tha se SHBA e pranojnë që Këshilli i të Drejtave të Njeriut i OKB-së ka mangësi, dhe ka nevojë për reforma në axhendën, anëtarësimin dhe fokusin e tij. Por se pikërisht për të trajtuar këto probleme “Shtetet e Bashkuara duhet të jenë në tryezë, dhe të përdorin peshën e plotë të udhëheqjes së tyre diplomatike.”

Zyrtarët amerikanë thanë se Shtetet e Bashkuara më vonë do të kërkojnë të kalojnë nga statusi i vëzhguesit pa të drejtë vote në statusin e vendit anëtar. Zgjedhjet për anëtarësimin në Këshill do të zhvillohen këtë vit.