Ballina Personazh PËRKUSHTIME KONTRIBUTORE TË DIPLOMATIT E STUDIUESIT ISLAM LAUKA PËR KOSOVËN DARDANE ...

PËRKUSHTIME KONTRIBUTORE TË DIPLOMATIT E STUDIUESIT ISLAM LAUKA PËR KOSOVËN DARDANE – Nga Ramiz LUSHAJ

 

Bibla, ky shkrim i shenjtë, fjalathotë se Zoti, në përjetësi, i ka “shtatë shpirtra”, si shtatë llamba hyjnore dritënore për globin, kohërat e njerëzimin, po edhe për njerëzit e zotë, dalëzotas, thuhet se i kanë nga “shtatë shpirtëra”. Përndryshe, edhe doktori i shkencave politike e diplomati i karierës, shqiptari dardan, Islam Lauka (që tek i 10-ti brez i tij i përket besimit katolik: Pal Mark Vata), do të thoshja se i ka “shtatë shpirtëra”. I ka si shandanë të përhershëm e të përjetshëm për Kosovën dardane. Edhe në vendlindjen e tij të bekueme- Malësinë e Gjakovës (Tropojë), edhe kur ishte në Ministrinë e Jashtme në Tiranë, edhe në detyrat diplomatike në ambasadat shqiptare në Moskë e në Prishtinë, edhe në takime e konferenca shkencore panshqiptare e ndërkombëtare, edhe në auditore universitare, edhe në ente botuese shqiptare e të huaja.

​1.

​Dihet se Bibla ka domethanie kuptimore reale në tanësi me “Librat e Shenjtë”, të kanonizueme nga hebrenjtë e të krishterët, po edhe doktori e diplomati Islam Lauka e ka “Biblen e vet” (në se më lejohet hyjnisht të them kështu).“Bibla” e tij është shqiptare atdhetare, kombëtare, që burimon, frymëzon, idealizon, jetëson, lartëson me “Shtatë Shpirtrat” e tij në Shtatë Librat e tij për Kosovën dardane.

​Ia vargnoj kronologjikisht të 7 Librat e tij për Kosovën dardane: 1.- Evolucioni i problemit të Kosovës dhe gjendja e tij aktuale” (1994). 2.-“Kosova: rast Universal apo Sui Generis” (2007). 3.-“Shkëputja e Kosovës nga Serbia” (2007). 4.-“Kosova e Pavarur ose dështimi i Kryqëzatës Ruso-Serbe”(2011). 5.- “Kosova e kërcenuar nga gjarpëri i shtëpisë” (2019). 6.- “Instrumentalizimi i një miqësie (Kosovë-SHBA) (Tetor, 2020). 7.- “Kthimi i Rusisë në vendin e krimit” (Dhjetor, 2020). Edhe këto shtatë libra kanë shpirt, janë shpirtëra të autorit e të kohës, se kanë të vërteta të mëdha historike e diplomatike, se kanë ide e teza kombëtare, se ri-gjenerojnë energji për Kosovën dardane, për Kombin Shqiptar.

​Sikur në këto rreth 70 vite të jetës së tij, doktor Islam Lauka, diplomat e studiues i mirënjohur, të mos shkruente e botonte tjetër vetëm këto 7 vepra të tij për Kosovën, me rrezatim kombëtar e global, do të kishte ba mjaft dhe mirë për kohën e vet, për kombin tonë, për breznitë shqiptare, do të meritonte mirënjohjet në të tashmen e të ardhmen, por ky punëshumë e punëmirë i ka dhe disa vepra të tjera të botueme, i ka me qindra shkrime mediatike e…intervista televizive me tematikë kombëtare shqiptare e, disa sish, me jehonime ndërkombëtare.
​Prapë po due ti lidh gjanat me numrin biblik 7, pasi prapë më përkon se veprat për Kosovën dardane të doktorit e diplomatit, të studiuesit, Islam Lauka, deri tashti, janë të botueme në 7 gjuhë të botës: shqip, anglisht, arabisht, persisht, rusisht, serbisht, bullgarisht, ku kampione për botime në gjuhë të huaja është vepra “Kosova: rast Universal apo Sui Generis”, e dyta vepër e tij studimore monografike.

​2.

​Po kur them se Islam Lauka i ka “shtatë shpirtëra” për Kosovën dardane, më duhet të sjellë të paktën edhe Shtatë Fakte, nga ma kryesoret, sa ma dëshmuese, nga jeta e veprimtaria e tij për Kosovën dardane.​

​I pari Fakt: Islam Lauka “ka lindur Kosovë”.

​Se ka lindur në Malësinë e Gjakovës, në Viliq të Bytyçit, në afri gjeografike me klonin e kufinit të padrejtë ndërshtetëror që e ndante Malësinë nga Gjakova e saj dhe Gjakovën nga Malësia e saj.

​Se ka lindur në një shtëpi, vllazni, fis e trevë të Malësive të Veriut, që ndër brezni kanë marrë pjesë në kryengritje, beteja e luftna me otomanët, me serbo-malazezët, etj. nga lumi Moraça deri në Dri të Bardhë e nga Limi deri në Vardar, për të mbrojt Kosovën dardane, Shqipërinë Etnike (apo si po duen me e thanë ma ndryshe disa e dikush) “Shqipninë Reale, Natyrale”.

​Se vllau i gjyshit të tij, Ibër Ram Lauka, në moshë 43 vjeçare, ra heroikisht në Qafën e Ali Çelës në Alpet Shqiptare në luftë me shovinistët serbo-malazezë. Ai është i shpallur “Dëshmor i Atdheut”.

​Se e ka pasë babën e tij, Shaban Sadik Lauka, minator, njeri i nderuar i punës dhe vlerave njerëzore, që në odën e burrave të shtëpisë e në thellësi të galerive lexonte libra, e lexonte shumë; veshdëgjonte gojëmbyllun radio të huaja; e gjithkund, gjithkahit e gjithëherë fliste për Kosovën dardane, veçmas pas ’68-tës-’81-shit- ’89-tës, aqsa shumëkush, miqësisht e mirësisht, i pati thirrë ndryshe dhe me mbiemnin “Shaban Kosova”. Duket fort mirë se dashurinë për librat 12 fëmijët e tij të shkolluar e kanë trashëgimi dhe nga i ati i tyne. Kurse dashurinë për Kosovën e kanë dhe nga linja e gjakut dhe e qumështit, pra: dhe nga baba i tyne, Shaban Sadik Lauka i Bytyçit dhe nga nana e tyne, Kune Brahë Lauka e Berishës së Brigjeve, e kanë nga vendlindja e vet- Bytyçi dhe Malësia e Gjakovës.

​I Dyti Fakt: Islam Lauka “e ka Familjen e Tij Kosovë”, krejt “Shtëpi Kosove”.

​E shoqja e tij, Fatbardha Berisha-Lauka, nuk është vetëm bashkëshortja e tij e nderuar, “Zonja e Ambasadorit” etj., por është edhe bashkëpunëtorja e parë dhe ma e afërt e tij në botimet e Laukës, ku disa libra e kanë të shkrueme edhe emnin e saj si redaktore apo lektore. Veç kësaj, Fatbardha Lauka e ka botue edhe një libër të vetin për Kosovën: “Medline Ollbrajt – misionarja e Kosovës” (Tiranë, 2010, me 220 faqe, me redaktor: prof. dr. Eshref Ymeri e me sponsor botues: Avni Ponari e Sigal).

​Edhe Albani, djali i Islam Laukajt, që ndjek studimet për kandidat PhD në “Georgia State University” në Amerikë, merret me studime e shkrime për Kosovën, është pjesë autoriale e një Projekti e websajti shqiptaro-amerikan “Rrënjët Shqiptare” e “Gjenetika Shqiptare”, ku veçojmë disa studime të tij, si “Mbi përbërjen gjenetike të serbëve e shqiptarëve” (2018), “Gjenetika rrëzon tezat serbe mbi prejardhjen e Kelmendit”(dhjetor 2020), etj.

​Edhe vajza e madhe e tij, Drenica Lauka-Novoberdaliu, është pjesë e botimeve të babës së saj, të doktorit e diplomatit Islam Lauka, ku në disa e ka dhe emnin e saj si redaktore si tek vepra “Shkëputja e Kosovës nga Rusia” (2007). Po nuk ngelet pas me kontributet e saj as çika e tij ma e vogël, studentja Faina Lauka.

​E gjithë Familja Lauka punon si një ekip i vetëm për Kosovën, secili me angazhimet e veta, ku bashkë me frymëmarrjet e tyne, me ajrin, frymon dhe Kosova dardane, aqsa dhe Dua, mbesa e vogël 4-vjeçare e Islamit e Fatbardhës, ndër fjalët e para që i flet çdo fëmijë i botës, e ka mësue e fjalnue shqiptarisht dhe emrin “Kosova”…

​Ambasadori Islam Lauka, pasi kreu detyrën e tij diplomatike në Kosovë, ndoshta si asnjë diplomat tjetër, qëndroi familjarisht në Prishtinë. Dashuria e vjetër dhe e re, e përhershme dhe e përjetshme për Kosovën dardane, tashti ka dhe një truall të ri për çiftin Lauka: Prishtinën, por dhe dy çikat e Laukajve i kanë shokët e jetës së vet nga Kosova dardane.

​I Treti Fakt: Islam Lauka e ka mbrojt doktoraturën e tij për shkenca politike në Moskë, në Akademinë Diplomatike të Moskës-pjesë e MPJ të Rusisë, me temë e titull: “Evoluconi i problemit të Kosovës dhe gjendja e tij aktuale (1994).

​Shqiptari dardan, Islam Lauka, kur shkoi në Moskë, në ambasaden tonë në Federatën Ruse, kishte tre diploma: të Fakultetit për Gjuhët e Huaja (USHT, 1976), për Diplomaci (1986) e për Filozofi (1982), por duke qënë “i lindur e rritur Kosovë”, ai- pavarësisht e përtej këshillave që t’i moderonte qëndrimet e tij për Kosovën në mbrojtje të doktoraturës, e mbajti të veten, qëndroi në të tijën, e mbrojti Kosovën dardane dhe e mbrojti temën e doktoraturës me 13 votat pro.

​I Katërti Fakt: diplomati e studiuesi, dr. Islam Lauka, i ka kontribue Kosovës, e ka promovue e mbrojt Çështjen e Kosovës në tanësinë e saj, edhe në takime… e konferenca panshqiptare e ndërkombëtare.

​Këto ditë, nga një replikë publike e Islam Laukajt mësova një fakt nga veprimtari e tij për Kosovën dardane, të ndodhun përplot 30 vite ma herët, në shtator 1991, në Moskë, kur në Bashkimin Sovjetik mbahej Konferenca për Siguri e Bashkëpunim në Europë (KSBE, tashti: OSBE). Asokohe Shqipëria ishte ndër antarët ma të rinj të kësaj Konference, ndërsa Kosova ishte nën sundimin e terrorin serb, kurse Lauka ishte diplomat i Shqipërisë në Moskë.

​-“Pёr tё shfrytёzuar mundёsinё qё ofronte ky aktivitet, duke mbledhur njё numёr kaq tё madh vendesh, diplomatёsh, gazetarёsh, etj., -siç pohon publikisht diplomati Lauka,- nga Prishtina kishin ardhur dy burra tё nderuar, dr. Avdyl Krasniqi dhe Nehat Islami, tё cilёt kishin sjellё me vete materiale e tё dhёna tё shumta, nё anglisht, qё dёshmonin dhunёn dhe terrorin e egёr shtetёror qё ushtronte Beogradi kundёr shqiptarёve. Misioni i tyre ishte qё kёto tё dhёna t’i bёnin sa mё tё njohura midis pjesёmarrёsve dhe, mundёsisht, tё organizonin njё konferencё shtypi me gazetarёt e pranishёm aty. Po si tё bёhej kjo punё? Ata as nuk i lejonin tё futeshin nё mjediset e Konferencёs. Atёherё, unё mora njё vendim, pa u konsultuar fare me delegacionin tonё zyrtar (pёr tё shmangur ҫdo implikim tё shtetit shqiptar, nё rast se zbulohesha)- do tё shfrytёzoja momentin e pushimit pёr kafe dhe tё gjitha materialet e ardhura nga Kosova do t’i shpёrndaja nё tavolinat e delegacioneve zyrtare, pёrfshirё atё tё Jugosllavisё dhe tё organizatorit- Bashkimi Sovjetik. Dhe kёshtu veprova. Sapo rifilluan punimet, fjalёn e mori pёrfaqёsuesi i delegacionit jugosllav, i cili protestoi pёr “skandalin” e papritur dhe kёrkoi shpjegime nga organizatori se si u gjendёn kёto materiale nё tavolinat e delegacioneve zyrtare. Nё rast se do tё zbulohej se autori i kёtij “skandali” isha unё, ishte e sigurtё se do tё shpallesha “persona non grata” dhe do tё kёrkohej largimi im i menjёhershёm nga Moska, pa pёrjashtuar mundёsinё e ndёshkimit tim edhe nga Ministria e Punёve tё Jashtme tё Shqipёrisё, pёr veprimin e kryer, pa u konsultuar me njeri pёr kёtё ҫёshtje. Por unё e kisha marrё parasysh ҫdo pasojё, pёr hir tё Kosovёs dhe ҫёshtjes sё saj tё drejtё. Pata fat dhe nuk u zbulova. Nё fund tё punimeve, arrita qё tё organizoj edhe njё konferencё tё pёrfaqёsuesve tё Kosovёs me disa nga gazetarёt e pranishёm aty.

​Kjo më risolli në kujtesë edhe një tjetër rast të shkurtit 2008, të shkurtit të Pavarësisë së Kosovës, kur bash në ditën e bekuar të 17 shkurtit të këtij vit, pasi foli për rreth 30 minuta në orët e para të mëngjezit për Kosovën dardane në Televizionin Publik Shqiptar (RTSH) diplomat ii karierës, dr. Islam Lauka, Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Organizatave Ndërkombëtare të MPJ të Shqipërisë, u nistue drejt Aeroportit të Rinasit “Nanë Tereza” për të shkue në Afrikë, në Senegal, në kryeqytetin Dakar, ku me 18 shkurt do të fillonte Takimi disaditor e disanivelesh i Vendeve të Konferencës së Vendeve Islamike, ku për Delegacionin Shqiptar çështja ma kryesore do të ishte Kosova dardane, shteti ma i ri i botës. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, e kishte porositun diplomatin Lauka që të merrte me vehte edhe 60 copë libra në anglisht të Noel Malcolm “Kosova: A Short Histori” (New York University Press, 1998), të cilat ia kishte sigurue prej nga Kosova akademik Jusuf Bajraktari dhe 60 copë libra në anglisht të Islam Lauka “Kosovo a Universal Case or Sui Generis” (“kristalina KH”. Tiranë, 2007, përkthyer nga shqip në anglisht nga dr. Jorgji Kote dhe me redaktor: prof. dr. Fehmi Rexhepi, ish drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës dhe akademik Beqir Meta, drejtor i Institutit të Historisë së Shqipërisë). Diplomati Lauka në Senegal u ndodh përballë një të papritune: protokolli e siguria e Konferencës nuk lejonin futjen në ambientet e saj përveçse materialeve të klasifikuara, parapërcaktuara, ndaj veproi si dikur në atë Konferencën në Moskë. Në kohën e pushimit të seancës së parë, Islam Lauka, Sami Shiba e Fatmir Çela, me statusin e diplomatit, i mbajtën librat në gji me disa rrugë hyrje-dalje dhe i vendosen në sallë, në venduljet e kryetarëve të delegacioneve të Vendeve Islamike e të sekretarisë së Konferencës. Te dy veprat u mirëpritën, biles vepra e Laukës “Kosova: Rast Universal apo Sui Generis”, nga që ishte dy gjuhësh: në anglisht dhe në arabisht, u kërkua nga Vendet Islamike saqë edhe sikur të ishin 100 copë të tjera ndoshta nuk do të mjaftonin për t’i kënaqur kërkesat e tyre.

​I Pesti Fakt: diplomati Islam Lauka është i pari ambasador i Shqipërisë në shtetin e ri, Kosovën e Pavarur.

​Diplomati Lauka, i cili kishte punuar disa vite në MPJ të Shqipërisë edhe Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë Rajonale (që përfshinte dhe Kosovën e Lirë), e mori njoftimin e emnimit në Senegal, por në Prishtinë nga vonesa e pengesa shkoi tevona, më 2009, ku qëndroi në këtë detyrë deri më 2014 (shtator 2013-mars 2014 ishte Dekan i Trupit Diplomatik në Prishtinë). Pas përfundimit të mandatit të tij si ambasador, në mars 2014, transferohet në Tiranë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me gradën diplomatike Ministër Këshilltar, ku qëndroi deri në mars 2015, ku Shqipëria (duke vepruar “alla shqiptarçe”!) nuk ia mundësoi vazhdimin e detyrave diplomatike në MPJ të saj(!)

​Ambasadori Islam Lauka ishte një autoritet diplomatic, një diplomat publik, një “Akademi Diplomatike” me veprat, studimet e shkrimet e tij, edhe diplomat i hapur e qëndrestarë ndaj qëndrimeve e veprimeve antikombëtare të klaneve politike e rrymave të ndryshme shqiptare dhe të ndërkombëtarëve, veçanarisht Sllavëve të Jugut e aleatëve të tyne, kudo qofshin e kushdo qoftë. E kam cek edhe herë tjetër në shkrimet e mija se Islam Lauka nuk ishte dhe nuk është “foot note” e askujt…!

​I Gjashti Fakt: diplomati e studiuesi, dr. Islam Lauka, edhe të gjitha “Mirënjohjet” i ka marrë me motivacion për kontributet e atributet e tij për Kosovën dardane.

​Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, e ka dekorue me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin: “Me mirёnjohje pёr kontributin e veҁantё nё promovimin dhe mbrojtjen e ҁёshtjes sё Kosovёs nё botё pёrmes veprimtarisё diplomatike, politike, publicistikёs dhe studimeve akademike”, dekoratë të cilën ia dorëzoi në tetor 2018, në një manifestim në “Qytetin e Alpeve”, në Bajramcurri, në Malësinë e Gjakovës.

​Diplomati i njohur, dr. Islam Lauka, ka marrë edhe disa tituj e çmime të tjera, si më 26 prill 2019, “Gazeta e Alpeve”, në “Takimi i Gjakovës”, kur u nderue me çmimin e madh “Dardania”.

Ambasador Lauka i mban tre tituj “Qytetar Nderi” nga treva të Kosovës dardane, si “Qytetar Nderi” i komunës së Bytyçit” (2010) dhe “Qytetar Nderi” i qytetit Bajram Curri në Malësi të Gjakovës (Tropojë) dhe “Qytetar Nderi” i komunës së Deçanit (2016) në Rrafshin e Dukagjinit të Kosovës.

​I Shtati Fakt: Përkushtimet me kontribute e sakrifica për Kosovën dardane.

​Më rastisi më 2007, kur punoja në Drejtorinë e Shërbimit të Trupit Diplomatik të MPJ, teksa dr. Islam Lauka, në lartësinë e dinjitetit e të detyrave të tij si shqiptar, diplomat e shkenctar, përballej në media me të vërtetat për Kosovën me politikëbërës, analistë e studiuesë rusë, t’i sugjeroja miqësisht zotit Islam Lauka për të patur kujdes se ishte diplomat i niveleve të larta zyrtare në MPJ, por në sipërmarrjen e ecjen e tij shpirtërore të guximshme kombëtare, më ktheu një përgjigje të prerë: “Jam i gatshëm të sakrifikoj diplomacinë për Kosovën”.

​Të gjitha veprat e tij librore, studimet e shkrimet e tij, kumtimet në veprimtari shkencore, qëndrimet e veprimet në detyrat e tij diplomatike dhe në takime e…konferenca panshqiptare e ndërkombëtare ka sakrifikuar nga mendja, jeta, familja, koha e tij, për të kontribue për Kosovën dardane.

​Veprimtari e tij shkencore është vlerësue nga perosnalitete të njohura akademike, diplomatike e politike, si nga Sër Noel Malcolm-akademik në Britaninë e Madhe; Dr. Janusz Bugajski i Qëndres së Studimeve Strategjike Ndërkombëtare (CSIS) në Amerikë; prof. dr. Sali Berisha; akademik Mark Krasniqi; Besnik Mustafaj-ish Ministër i Jashtëm e President i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë; prof.dr Behlul Beqaj në Kosovë, prof. dr. Nina Smirvova; prof. dr. Valeri Modestov; Adem Demaçi – politikan, shkrimtar e “Hero i Kosovës”; prof. dr. Eshref Ymeraj në Amerikë; akademik Beqir Meta e shumë të tjerë.

​Dr. Islam Lauka 67 vjeçar, që sipas të Drejtës e të Vërtetës të Përbotshme, duhej të ishte ende në Shërbimin Diplomatik Shqiptar, në të cilin ka hyrë prej shtatorit 1985, para 35 viteve, ende e thërrasin gjithandej “Ambasador”, por ai, njiherit, punon frontalisht, energjik e kontributor, edhe si Drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, President i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, pedagog universitar në Prishtinë, studiues që i boton dhe nga dy libra në vit (sikurse më 2020), që boton me dhjetra studime e shkrime në vit, që merr pjesë e referon në veprimtari shkencore kombëtare e ndërkombëtare.

​3.

​Ngaqë ia nisem me numrin biblik 7, edhe po due ta përmbylli këtë shkrim me këtë numër biblik, pasi tek diplomati e studiuesi, njeriu qytetar e shtetar, dr Islam Lauka, i gjen “Shtatë hiret e Shpirtit të Shenjtë”, si: 1.-Dituria. 2.-Mençuria. 3.-Gjykimi i Drejtë. 4.-Guximi. 5.-Njohuritë. 6.-Përkushtimi. 7.-Ruajtja nga Gjykimi i Zotit kur flet për Kosovën, kur trajton çështje të ditës e të perspektivës së saj, etj. Kush punon për gjana të shenjta i ka shenjtëritë e veta.

​Përndryshe, numri biblik 7 tregon dhe përsosmërinë tek njeriu, se njeriu gjithnjë është në përsosje, por Islam Lauka është një shembull i mirë i kohës në këtë përsosmëri njerëzore e kontributore me të “Shtatë Shpirtrat” shandan për Kosovën dardane e Kombin Shqiptar.

 

Ramiz LUSHAJ

Tiranë, shkurt 2021.