Në Britani ka nisur një studim për të parë se çfarë efekti kanë në imunitetin e njerëzve dozat e marra nga dy vaksina të ndryshme. Shkencëtarët thonë se përzierja e dozave mund të garantojë një mbrojtje edhe më të mirë.
Qeveria britanike po mbështet një studim për të parë nëse duke u dhënë njerëzve doza nga vaksina të ndryshme, mund të jetë po aq efektive sa marrja e të dyja dozave nga e njëjta vaksinë. Rreth 800 persona mbi 50 vjeç pritet të përfshihen në studim dhe rekrutimi i tyre mbi baza vullnetare ka nisur që sot (e enjte).
Eksperti kryesor i studimit thotë se qëllimi do të jetë që të zbulohet nëse një pacient mund të marrë një dozë nga një lloj vaksine e më pas sistemi i tij imunitar të forcohej duke i dhënë një dozë, nga një tjetër vaksinë.
“Me këtë studim synojmë të japim doza të vaksinave të ndryshme, pra mund të nisë injektimi me vaksinën e Pfizer/BioNTech-ut dhe më pas të përforcohet me një dozë të dytë të vaksinës së AstraZeneca-s. Ne po kërkojmë të shohim nëse përgjigja imunitare që prodhohet është po aq e mirë sa në rastin kur të dyja dozat i takojnë së njëjtës vaksine”, thotë Dr Matthew Snape, profesor i asociuar në departamentin e Pediatrisë dhe Prodhimit të Vaksinave në Universitetin e Oksfordit.
Ai thotë se objektivi është që pjesëmarrësit të regjistrohen brenda muajit shkurt dhe pastaj disa nga rezultatet duke vëzhguar nivelin e antitrupave, të merren ndoshta në qershor a korrik. Ministri i ngarkuar me operacionet për vaksinimin e popullatës Nadhim Zahawi, këmbënguli se studimi nuk do të ndikonte në shpërndarjen e vaksinave.
“Të gjithë prodhuesit sikurse Pfizer, BioNTech-u, Moderna, Oxford/AstraZeneca e të tjerë po shohin mundësitë se si mund t’i përmirësojnë vaksinat e tyre për t’u siguruar që të jemi gati për çdo variant. Aktualisht ka rreth 4,000 variante në të gjithë botën të COVID-19”, tha ai.
Qeveria ka dhënë për studimin rreth 9.5 milionë dollarë dhe gjetjet e tij nuk pritet të jenë në dispozicion deri në verën e këtij viti.