Ballina Aktualitet Kosovë, fillon fushata për zgjedhjet e 14 Shkurtit

Kosovë, fillon fushata për zgjedhjet e 14 Shkurtit

 

Në Kosovë fushata për zgjedhjet parlamentare që mbahen me 14 shkurt zhvillohet në kohë pandemie. 28 subjekte politike garojnë për 120 vende në parlament. Sfidë e parlamentit të ri mbetet edhe zgjedhja e presidentit.

Në Kosovë filloi fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme që mbahen me 14 shkurt. Fushata zgjedhore në Kosovë do të zgjasë vetëm 10 ditë. Në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare marrin pjesë 28 subjekte politike, prej tyre, 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Të gjitha partitë garojnë për 120 vende në parlament. Në garë janë edhe tri subjekte politike serbe, ndërsa, më e madhja, Lista Srpska pos rajoneve të tjera të Kosovës të banuara me shumicë serbe, kjo parti është më e strukturuar dhe ka degë në katër komunat veriore të Kosovës.

Valdete Daka

Autoritetet të përkushtuara për zgjedhje me standarde

Kryetarja e KQZ, Valdete Daka, tha se organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve është një nga proceset më të mëdha dhe gjithëpërfshirëse për një vend. Sipas saj Kosova tashmë ka traditë në organizimin e zgjedhjeve. “Dua të garantoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces zgjedhor dhe sidomos qytetarët tanë, se KQZ-ja mbetet e përkushtuar për organizimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe me standardet më të mira ndërkombëtare”, tha Daka. Në mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore, por edhe në ditën e organizimit të zgjedhjeve janë të përfshirë shumë mekanizma, siҫ janë KQZ, Policia e Kosovës, prokuroria e shtetit dhe Këshilli Gjyqësorë i Kosovës.

Laura Pula, koordinatore nacionale e zgjedhjeve në zyrën e Prokurorit të Shtetit, thotë se janë caktuar 88 prokurorë dhe 40 zyrtarë në mbrojtjen e votës së qytetarëve në ditën e zgjedhjeve. “Dua të dal me një mesazh që prokurori së bashku me policinë do të arrestojnë apo ndalojnë të gjithë zyrtarët që në çfarë do mënyrë ndikojnë në keqpërdorimin e votës së qytetarit të Kosovës”, thotë Laura Pula. Po ashtu nga Këshilli Gjyqësorë i Kosovës bëhet e ditur se janë angazhuar 30 gjyqtar kujdestar që do t’u përgjigjen kërkesave të prokurorisë.

Hera e parë që zgjedhjet organizohen vetëm nga KQZ-ja

Zgjedhjet për parlamentin e Kosovës zhvillohen në të gjithë territorin e vendit, përfshirë edhe veriun e Kosovës. Në këtë pjesë që nga viti 2013 proceset zgjedhore si ato lokale dhe të përgjithshme, zakonisht janë ndihmuar edhe nga misioni i OSBE-së. Por kësaj radhe është hera e parë që zgjedhjet në tërë territorin e vendit organizohen vetëm nga KQZ-ja.

Albin Kurit mbeti jashtë liste pas vendimit të KQZ

 

“Misioni i OSBE-së në zgjedhjet paraprake ka pasur rol këshilldhënës dhe mbështetës për trupat lokale zgjedhore. Ne tani konsiderojmë se këto trupa janë konsoliduar mjaftueshëm dhe se janë të gatshëm që të përmbushin vetë detyrimet që dalin nga ligji dhe rregulloret në fuqi”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi. Për shkak të pandemisë për herë të parë Bashkimi Evropian nuk do të dërgojë ekipën e saj për vëzhgimin e zgjedhjeve. Mirëpo, stafi i ambasadave dhe vet ambasadorët thuhet se do të jenë vëzhguesit e procesit të zgjedhjeve, krahas mijëra vezhguesve të organizatave joqeveritare të Kosovës.

Ambasadorët e shteteve më të industrializuara QUINT, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, thonë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të kujdeset që procesi zgjedhor të jetë transparent dhe i pandikuar nga ndërhyrjet politike. Ata ju bënë thirrje të gjitha partive politike që të përmbahen nga sulmet personale nxitëse dhe spekulative dhe në të njëjtën kohë shprehin “përkushtimin e vazhdueshëm për zgjedhje të lira, të drejta, të sigurta dhe paqësore, më 14 shkurt”.

Avdullah Hoti kërkon të rizgjidhet kryeministër

 

“Qytetarët e Kosovës meritojnë të dëgjojnë propozime të hollësishme të politikave, nga politikanët e tyre, me argumente të bëra në një frymë debati informues. Për të siguruar zgjedhje të suksesshme, i takon edhe popullit të Kosovës që të votojë dhe ta bëjë këtë në mënyrë të sigurt, duke ndjekur gjithashtu të gjitha masat anti-COVID-19. Qeveritë tona janë të përkushtuara për të vazhduar mbështetjen tonë në përpjekjet për të ndërtuar një Kosovë të sigurt, të begatshme, demokratike për të gjithë qytetarët, dhe për të punuar ngushtë me çdo qeveri që formohet përmes zgjedhjeve të lira në përputhje me kushtetutën”, thuhet në një komunikatë të QUINT.

Fokusi i programeve politike të partive

Por çfarë ofrojnë në programet e tyre partitë politike garuese për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit? Rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë COVID-19 pritet të jetë sfida më të cilën do të përballet qeveria e ardhshme nga kushdo që do ta bëjë atë. Lëvizja Vetëvendosja që në zgjedhjet e vitit 2019 doli partia e parë, ka për synim që të marrë sa më shumë vende në parlament, mundësisht më shumë se gjysmën në mënyrë që të qeverisë e vetme. Kjo për faktin që zyrtarë të kësaj partie thonë se gjatë këtyre 21 vjetëve të pasluftës, asnjë parti politike që ka qenë në qeverisje nuk ka arritur të përmbushin pritjet e qytetarëve.

Ramush Haradinaj nga AAK synon postin e presidentit

 

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që pretendon postin e kryeministrit por që nuk garon në listë për deputet për shkak të problemeve me ligjin, thotë se nën qeverisjen e tij do të investohet për të fuqizuar bizneset dhe prodhimin vendor. “E ardhmja ku investojmë në energji të qëndrueshme që fuqizon bizneset dhe prodhimin, por e mbron shëndetin dhe mjedisin për gjeneratat që vijnë. E ardhmja ku biznesit nuk i vendoset ryshfeti për ta hapur, e as haraçi për ta mbajtur atë. E ardhmja ku bujku e fermeri jetojnë me dinjitet nga puna e tyre sepse shteti nxit dhe mbështet prodhimet vendore, e i mbron nga konkurrenca joluajle”, tha Kurti në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij.

Rimëkëmbjen e vendit pas pasojave nga pandemia me një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e synon edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK parti kjo që udhëheqi me qeverinë e fundit. “Normalisht interesi ynë si LDK dhe si parti e qendrës së djathtë është  të fokusohemi në nevojat imediate që i ka vendi tash në kohë pandemie. Ajo nënkupton rimëkëmbjen ekonomike, siç e kanë bërë kryeministri në detyrë deri më tani. Por me një pako më të fuqishme dhe më stabile për të rivendosur zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës si top-prioritet në sferën e ekonomisë”, thotë njëri nga zyrtarët e LDK-së, Faton Bislimi.

Vjosa Osmani iu bashkua listës së Vetëvendosjes

 

Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës PDK, premton mbi 1 miliardë euro për rimëkëmbje ekonomike. “Fokusi ynë do të jetë sektori privat, ku ne parashikojmë një fond prej mbi një miliardë euro dhe ky fond do të jetë i ndarë në disa pjesë. Mbi 500 milionë euro do të jenë kontributet financiare pa kthim për ndërmarrjet private në Kosovë dhe mbi 200 milionë euro do të jenë këtë vit”, thotë nënkryetari i PDK-së Bedri Hamza, i cili pret që vendi të ketë rritje ekonomike nga 5 %deri në 7 %. Një pako të ngjashme ekonomike e premton edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) e udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Ky i fundit kesaj radhe synon postin e presidentit të vendit.

Enver Hoxhaj kandidon me PDK për postin e kryeministrit

 

Sidoqoftë, partitë kryesore që garojnë në këto zgjedhje, tashmë kanë emrat e tyre që synojnë postin e kryeministrit, i cili zgjidhet me votat e deputetëve në parlament pas zgjedhjeve. Lëvizja Vetëvendosja ka kandidatin e saj Albin Kurti, i cili megjithatë në këto zgjedhje nuk mund të garojë në listën zgjedhore për shkak se KQZ nuk e certifikoi atë për shkak të problemeve me ligjin. LDK, garon për kryeministër me kandidatin Avdullah Hoti, kryeministër aktual në detyrë. PDK, garon me Enver Hoxhajn që tashmë udhëheq partinë, pas dorëheqjes së Kadri Veselit i cili në Gjykatën Speciale po përballet me akuzat për krime lufte. Ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, ju bashkua listës Vetëvendosja dhe synon postin e presidentes. Të njëjtin post e synon edhe Ramush Haradinaj. Sfida e parë e parlamentit të ri do të jetë zgjedhja e presidentit, i cili më pas duhet ta propozojë formimin e qeverisë së re. Për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania në sallë e dy të tretave të deputetëve dhe nëse kjo nuk mund të arrihet në tre raunde, atëherë vendi serish shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.