Ministri francez për Europën Clement Beaune, si dhe anëtari francez i Komisionit Europian i kishin bërë thirrje Komisionit dhe parlamentit Europian që të saksionojnë gjuhën franceze si gjuhën zyrtare të bllokut, në kushtet qe Britania e Madhe është larguar nga Unioni dhe vetëm 1.3% e popullsisë të BE e ka anglishten gjuhë të parë (Irlanda dhe pjesërisht qytetarë të Maltës dhe Qipros).
Argumenti u mbështet edhe nga lideri i liberal-demokratëve në parlamentin Europian Guy Verhofstad, megjithatë ditën e sotme Komisioni Europian ka publikuar një raport ku rikonfirmon se gjuha angleze do të mbetet e para për punimet e të gjitha organeve të BE, duke e justifikuar këtë vendim me faktin se anglishtja është gjuha e përbashkët më e njohur dhe vendosja e frëngjishtes do të rriste barrierat e komunikimit.
Beaune ka reaguar ashpër ndaj shpalljes dhe është shprehur se çështja do të ringrihet në forumet multilaterale europiane që do të zhvillohen në të ardhmen.
Kjo çështje ka shkaktuar tensione edhe në të shkuarën. Kujtojmë që në vitin 2018 përfaqësuesi francez në Këshillin Europian u largua nga salla e takimeve multilaterale kur plani 10-vjeçar i BE u publikua vetëm në anglisht dhe jo në gjuhët e tjera të kontinentit.